LIVE: Përfundon takimi në Bruksel, Borrelli thotë se pati pajtueshmëri për planin evropian (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE: Përfundon takimi në Bruksel, Borrelli thotë se pati pajtueshmëri për planin evropian (VIDEO)

NULL NULL
27.02.2023 14:23
Kurti Bruksel Asociacioni

 20:56 – Kurti: Nuk e kam nënshkruar planin evropian, ndonëse u pajtuam

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë pas takimit trepalësh se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për planin evropian, pasi sipas tij, pala serbe nuk u tregua e gatshme.

“Kam shprehur gatishmërinë që ta nënshkruaj këtë tekst, por pala tjetër nuk ishte e gatshme. Mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte meqë u pajtuam. Konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar do të duhej të rezultonte me nënshkrim, por ishte pala serbe që nuk e bëri këtë”.

20:40 – Borrell: Sonte pati progres, pres nga palët të mos ketë veprime të pakoordinuara

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, deklaroi se pati progres në takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekandar Vuçiq.

Borrell, në një konferencë për media, pas takimi deklaroi se dialogu do të fillojë sërish gjatë muajit mars dhe se pret nga pala kosovare e ajo serbe të mos ketë veprime të pakoordinuara, njofton Klankosova.tv.

“Shpresoj që asnjë veprim i pakoordinuar të pengojë bisedimet në Bruksel. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve pa të cilin asnjëra nga palët nuk do të mund të realizoj të ardhmen e tyre evropiane”, tha Borrell.

“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë ne”.

“Progres është bërë sot dhe ju rekomandoj palëve që të përfshihen në të njëjtën kohë duhet më shumë punë nga palët që të bëhet më shumë për atë të cilën është negociuar. Do të vazhdohet me diplomaci dhe nga mesi i marsit shpresoj që të kemi të finalizuar punën” u shpreh Borrell.

20:33 – Borrell konfirmon: Pati pajtueshmëri për planin evropian – dialogu vazhdon në mars

Shefi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka konfirmuar sonte se në takimin që pati kryeministri Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ka pasur pajtueshmëri për marrëveshjen e planit evropian.

Megjithatë siç specifikoi, pritet që gjatë marsit, të ketë edhe një takim tjetër i cili do të finalizonte zbatimin e kësaj marrëveshjeje, përcjell klankosova.tv.

”Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre sa i përket zbatimit të saj. Kemi një storje të gjatë të marrëveshjes që nuk është realizuar ende, dhe palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që ta vazhdojnë zbatimin e saj”.

”Ata shprehën gatishmërinë e tyre, për të zbatuar marrëveshjen, por ende nevojiten negociata të tjera për të përcaktuar modalitete të ndryshme”.

20:32 – Vuçiq: Takimi i radhës më 18 mars në Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar pas takimit me përfaqësuesit e BE-së dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se është rënë dakord që bisedimet të vazhdojnë në periudhën e ardhshme dhe se takimi i radhës do të jetë më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

“Kemi pasur takimin e zakonshëm të vështirë. Do të vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme. Besoj se në periudhën e ardhshme do të ketë shumë bisedime të tjera”, transmeton Klankosova.tv.

“Siç e kuptoj unë, ne duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut më 18 mars, kur përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të vizitojë rajonin”, u tha Vuçiq gazetarëve.

20:16 – Vuçiq: Insistova për asociacionin por Kurti refuzoi

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur për mediat pas takimit trepalësh, duke thënë që ishte një takim shumë i vështirë.

Tutje Vuçiq para mediave tha që ai ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes së asocicacionit, por që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar.

Ndryshe ka përfunduar takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak,

20:12 – Përfundon takimi trepalësh BE, Kurti, Vuçiq

Ka përfunduar tashmë takimi disaorësh mes kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ende nuk dihet se cili është rezultati i këtij takimi, nëse ka ndonjë marrëveshje për normalizim apo jo ende, përcjell klankosova.tv.

Klan Kosova do t’ju mbajë të informuar.

Hyseni: Nuk na u dha asnjë arsyetim nga policia pse u ndaluam në kufi

Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, ka folur rreth ndalesës nga policia serbe që iu bë atij, deputetit Luan Aliu dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, derisa ishin duke shkuar në Bujanoc për ngushëllime tek kryetari Nagip Arifi, të cilit i kishte vdekur vëllai.

Hyseni tha se atyre nuk iu dha asnjë arsyetim lidhur me këtë.

“Pas më shumë se 2 orë pritje, na u lejua të vazhdojmë udhëtimin tonë, pa na u dhënë asnjë arsye se pse jemi ndalur në këtë pikë kufitare. Ata të diskriminojnë e të ndalin në kufinjë pa arsye, duke përdorur figura politike e qytetarë për tensionimin edhe më tej të situatës së brishtë që gjendemi tani”, tha Hyseni.

Ndalimi i tyre u bë pikërisht në ditën kur në Bruksel, po takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ku temë diskutimi është plani franko-gjerman.

Vuçiq flet pas takimit me Borrellin: Faleminderit të gjithëve

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është deklaruar pas takimit me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Vuçiq, i falënderoi qytetarët e Serbisë për përkrahjen e ofruar.

“Faleminderit të gjithëve që kanë besim në udhëheqjen e tyre shtetërore dhe që besojnë se do të bëjmë më të mirën për vendin tonë”, tha ai.

Në Bruksel ka nisur takimi trepalësh, në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe shefit të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

Borrell pret qasje konstruktive nga Kurti dhe Vuçiq

Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, po pret qasje konstruktive nga pala kosovare dhe ajo serbe, në takimin e sotëm mes kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Këtë Borrell e thotë përmes një cicërime në twitter, teksa ka mirëpritur në takim në Bruksel Kurtin dhe Vuçiqin me në rend dite, propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve, përcjell klankosova.tv.

18:10 – E mbijetuara e luftës: Jam kundër çdo marrëveshje me Serbinë (VIDEO)

Sot në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të takohen mes tyre për të diskutuar rreth planit franko-gjerman.

Por, kundër çdo marrëveshje me Serbinë po shprehet Mejreme Kelmendi, nga Gjakova.

Ajo gjatë luftës së fundit ka humbur burrin dhe dy djemtë e saj.

“Nuk kemi dëshirë të kemi asnjë marrëveshje me Serbinë. Na i ka masakruar anëtarët e familjes dhe nuk e dijmë se ku i kemi. Atëherë, çfarë marrëveshje të kemi me ata”, tha ajo në një intervistë për Klan Kosova.

 

18:09 – LDK dëshiron që brenda marrëveshjes Kosovë – Serbi të jetë njohja reciproke (VIDEO)

Lidhja Demokratike e Kosovës është në pritje të zhvillimeve nga takimet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

LDK-ja opozitare do të bëjë të ditura qëndrimet e saja pasi që të dihet epilogu nga takimet mes Kurtit dhe Vuçiq në qendren evropiane.

Burimet brenda kësaj partie i thanë Klanit se do të dëshironin që në marrëveshje të ishte njohja reciproke me Serbinë.

17:15 – Nis takimi trepalësh BE, Kurti, Vuçiq në Bruksel

Ka nisur takimi trepalësh në Bruksel, mes përfaqësuesve të BE-së, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

16:54 – Muçolli: Bashkësia ndërkombëtare po bën pazare (VIDEO)

I ka 14 familjarë të zhdukur nga Masakra e Poklekut të Drenasit.

Në mesin e atyre që presin të mësojnë rreth fatit të familjarëve të tyre është edhe Fadil Muçolli.

Por, ai në një intervistë në Klan Kosova tha se pret pak nga dialogu me Serbi.

Muçolli theksoi se nga ana e bashkësisë ndërkombëtare po bëhet pazare.

“Jemi shumë të zhgënjyer edhe nuk presim shumë sepse presion është vetëm mbi Kosovën. Bindja ime është që me popullin e Kosovës po bëhet pazare. Po plotësohen apetitet e vendeve fqinje me territor si me gjithçka. Prej bashkësisë ndërkombëtare jemi të zhgënjyer”, tha Muçolli.

Sot në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Temë e diskutimit do të jetë plani franko-gjerman.

16:45 – Molliqaj kërkon shkarkimin e qeverisë Kurti dhe zgjedhje të reja (VIDEO)

Partia Socialdemokrate me anë të një aksioni të zhvilluar tek Qeveria e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e ekzekutivit dhe shkuarjen në zgjedhje.

Në banerin e vendosur, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, paraqiteshin si karikatura, mbi tavolinë ata shiheshin me grushte kurse ndër saj ata i shtrëngonin duart.

Sot në Bruksel, në kuadër të dialogut do të diskutohet për planin franko-gjerman.

Kreu i Qeverisë sot do të ketë takime me shefin e Bashkimit Evropian të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Ai po ashtu do të ketë takim edhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

16:30 – Artisti Albion Begisholli, përmes pikturës, kujton betejat e Adem Jasharit (VIDEO)

Pikërisht sot më 27 shkurt, ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, artisti Albion Begisholli vendosi të prezantojë punimet e tij me anë të një ekspozite.

Begisholli tha në një intervistë për Klan Kosova se pikturat e tij i kushtohen “Epopesë së UÇK-së”, konkretisht në betejat e Likoshanit dhe Qirezit.

“Pas betejës së Likoshanit dhe Qirezit, forcat serbe marrin informacione se grupi i Adem Jasharit është i përfshirë në këto beteja dhe vendosin ta sulmojnë me tri njësitë speciale më të mëdhatë që ka pasur Serbia në atë kohë”, tha Begisholli.

Sot në takimet e Brukselit, temë e diskutimit pritet të jetë plani franko-gjerman

16:27 – Edhe Vuçiq arrin për takim me Borrellin e Lajçakun, përfundon ai i Kurtit

Ka nisur tashmë edhe takimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e lartë të BE-së për dialogun.

Paraprakisht, Borrell dhe Lajçak patën një takim me kryeministrin kosovar, Albin Kurtin.

Teksa pas tyre, pritet që në 17.15 të ketë takim trepalësh, ku përfshihen edhe pala kosovare dhe ajo serbe me përfaqësuesit e BE-së.

15:30 – Nis takimi i Kurtit me zyrtarët evropianë

Në Bruksel ka filluar takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti, kryediplomatit evropian, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi, i cili nisi pak pas orës 15:00, po zhvillohet në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dy diplomatët perëndimorë do të presin më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.

Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

15:08 – (Mos)Pajtimi i madh Kurti-Vuçiq 

Në Klan Kosova ka nisur transmetimi special special për takimin e sotëm në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në kryeqendrën evropiane ku Kosova dhe Serbia do të diskutojnë për planin evropian ndodhet edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

15:03 – Klan Kosova me mbulim special për takimin Kurti-Vuçiq

Klan Kosova do të ketë transmetim special nga ora 15:00 për takimin e sotëm në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në tryezën e të cilit do të jetë plani evropian.

Shikues të televizionit, gjatë këtij transmetimi special do të keni rastin ta ndiqni raportimin direkt nga ekipi i Klan Kosovës i cili dnodhet në kryeqendrën evropiane në përbërje të gazetarit njëherësh drejtorit të televizionit Adriatik Kelmendi, gazetarit Besnik Tahiri dhe kameramanit Erand Hyseni.

Edhe ekipet e tjera të gazetarëve, kameramanëve dhe shoferëve të televizionit do të mbulojnë nga Kosova të gjitha zhvillimet rreth takimit të sotëm të Brukselit.

Lidhje direkte dhe storie të ndryshme ju presin në Klan Kosova këtë të hënë.

Të gjitha infomarcionet për takimin e Brukselit, intervista dhe deklarata të shumta do të keni mundësinë që t’i lexoni edhe në portalin Klankosova.tv.

Nga ora 15:00, të gjithë sytë kah Klan Kosova dhe Klankosova.tv .

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.