Lajmet e fundit

Sot me fillim nga ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu" në Prishtinë do të organizohet "Marshi për Liri" në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Figura politike, artistike dhe platforma "Liria Ka Emër" kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.
Klan Kosova do të bëjë transmetimin e plotë, të drejtpërdrejtë, nga sheshi i Prishtinës në "Speciale" nga ora 12:00, aty ku do të përcillen të gjitha aktivitetet dhe fjalimet që pritet të zhvillohen sot gjatë gjithë ngjarjes.
Aktiviteti do të hapet me interpretimin e Arbnora Zogianit me këngën "Pa duvak s'ka me u ba nuse" dhe fjalimet e pjesëmarrësve si: Hysni Gucati (kryetar i OVL-UÇK-së); Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit të kombit, Bajram Sylejmani; Arif Vladi interpreton "Marshi i UÇK-së", kurse pas kësaj do të flasin Ardian Gjini, kryetar i Aleancës dhe Bedri Hamza kryetar i PDK-së.
Në fund do të jetë fjalimi i Buna Mustafës, vajzës së Sali Mustafës-Calit, kurse manifestimin do ta mbyllë Shkurte Fejza me këngën e njohur "Mora Fjalë".
Qytetarë të shumtë tashmë kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt Prishtinës, si nga brenda Kosovës, ashtu edhe nga jashtë, kurse kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka bërë të ditur se sot "Trafiku Urban" dhe parkingu te "Pallati i Rinisë" do të jenë falas.
Policia e Kosovës ka njoftuar se për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve në marsh sot ka ndërmarrë masa të sigurisë, përfshirë edhe kufizimin ose ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit në rrugët kryesore që preken nga aktiviteti.