LIVE NGA KUVENDI| Haxhiu: Rizvanolli ka dërguar mbi 20 lëndë në Prokurori, për asnjërën s’është kontaktuar (VIDEO) NULL NULL 26.04.2023 11:31 26.04.2023 11:31 14:24 – Haxhiu: Pas mandatit, prokurori Hoxha shkoi në LDK dhe drejtori Qalaj në PDK Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës për ndikim në sistemin e drejtësisë dhe në organet e rendit dhe ligjit. Nga foltorja e Kuvendit, Haxhiu ka pyetur se si është e mundur që prokurori Sylë Hoxha pas përfundimit të mandatit shkoi në LDK, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, shkoi në PDK, njofton Klan Kosova. “Qysh ka mundësi të flisni për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, kur Sylë Hoxha në momentin që e ka kryer mandatin ka ardhur në partinë e juaj. Pastaj Shala pas shkarkimit ka ardhur në PDK”. 14:12 – Haxhiu: Rizvanolli ka dërguar mbi 20 lëndë në Prokurori, për asnjërën s’është kontaktuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kritikuar Prokurorinë për drejtësi selektive. Ajo ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka dërguar në Prokurori mbi 20 raste dhe për asnjërën nuk është kontaktuar, njofton Klan Kosova. “Rizvanolli ka adresuar më shumë se sa 20 lëndë. Për asnjërën prej tyre nuk është kontaktuar. Unë i kam 17 lëndë përpara, asnjëherë nuk është ftuar as bordi, as menaxhmenti dhe askush tjetër që i ka deponuar këto raste”. “Kam gjetur në MD që prona publike nga ish-ministri i është dhënë privatit, por prokuroria e ka mbyllur këtë rast”. “Por tash prokuroria a e din më kë merret? Me auditorin e MD që ka gjetur se janë bërë shkelje. Kjo nuk është drejtësi, është drejtësi selektive”. 13:57 – Bajrami-Rizvanollit: Mos flisni për performancë se po dilni shumë qesharake Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka replikuar ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli duke i thënë se LDK nuk ka gënjyer asnjëherë. “E ke rritur çmimin e energjisë 85 përqind tarifën e ulët dhe 104 përqind tarifën e lartë. Prej 1 prillit të këtij viti është rritur për 15 përqind për të gjithë operatoret. Çmimin nën 800 KË që e ke mbajtur të njëjtë e ke subveniconuar me taksat e qytetarëve të këtij vendi, që d.m.th se gjithsesi ne e kemi ndjerë shtrenjtimin në poret tona. Andaj mos flisni për performancë se po dilni shumë qesharake!”, deklaroi Bajrami gjatë fjalës së saj gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës. 13:47 – Haxhiu: Si humanist që jam, Mujës i kam dërguar picë kur ishte i arrestuar për korrupsion Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se i ka dërguar picë Armend Mujës kur ka qenë i arrestuar për korrupsion. Nga foltorja e Kuvendit, ai ka thënë se nuk ka ushtruar ndikim për lirimin e Mujës, njofton Klankosova.tv. “Është e vërtetë që kur Muja ka qenë i arrestuar për korrupsion, me kërkesë të familjarëve të tij ja kam dërguar një picë si humanist që jam”. “Por, nuk kam bërë asnjë ndikim për lirimin e tij. Me kërkesën e familjarëve ja kam dërguar një picë për me ngrënë, nuk kishte ngrënë prej mëngjesit”. Klikoni në linkun e mëposhtëm për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje./Klankosova.tv/. 13:43 – Rizvanolli-Krasniqit: Mos t’ju kishim njohur, ndoshta edhe ju kishim besuar Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, arrestimi i kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqit, është vazhdë e keqpërdorimeve të, siç tha ai, miliona eurove që kanë ngjarë gjatë Qeverisë Kurti. Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ai u shpreh se në vend që kryeministri të kërkonte shkarkimin e menjëhershëm pas lajmit se u arrestua shefi i energjisë së Kosovës, “ai e mbron dhe fillon e sulmon e shantazhon komplet sistemin e drejtësisë”. Krasniqi po ashtu u shpreh se abuzimet më të mëdha të Qeverisë Kurti janë bërë në sektorin e energjisë. Kundërpërgjigje ndaj tij pati ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke thënë se është tragjikomike me e dëgju PDK-në se si përkujdeset për mirëqenien e qytetarëve. “Mos të ju kishim njohur se sa keni bërë ju për ta, ndoshta edhe ju kishim besuar”, i tha ajo. 12:48 – Krasniqi (PDK): Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë, njofton Klan Kosova. “Po flasim për dyshime të keqpërdorimeve për 72 milionë euro. Keqpërdorimi i këtyre është vazhdim i keqpërdorimit të qindra milionave euro”. “Të gjitha këto shpërfaqin dy gjëra: [1] Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë dhe [2] qytetarët e Kosovës sot e kanë jetën më të vështirë si pasojë e këtyre abuzimeve sepse me këto para ka pasur mundësi të bëhen përmirësime të jashtëzakonshme në çdo sektor”. 12:40 – Ferat Shala i thotë Armend Mujës: Bekim Haxhiu ta solli picën dhe të nxori nga burgu Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se Bekim Haxhiu i ka dërguar picë Armend Mujës së VV-së në stacionin policor dhe e ka nxjerrë nga burgu. Kështu ka thënë Shala në foltoren e Kuvendit, pas fjalimit ku Muja tha se vajza e Shalës punon në KOSTT, njofton Klan Kosova. “Kam nevojë të replikojë me Bekim Haxhiun, që kur është arrestuar për korrupsion, që ta ka pru picën në stacion të Policisë dhe të ka nxjerrë prej burgut, për korrupsion. “Bekimi ka faj që ta ka pru picën dhe të ka nxjerrë prej burgu për korrupsion dhe me Bekimin kam punë”, tha Shala. Ky reagim erdhi pasi Muja tha se vajza e Shalës punon në KOSTT dhe djali në KRPP. “Këto të dhënë për KRPP, normalisht i marrim nga djali i Ferat Shalës, që punon në KRPP, të dhënat mbi bilancin e energjisë i marrim nga vajza e Ferat Shalës që punon në KOSTT”, ka thënë Muja. 12:35 – Rizvanolli opozitës: Është e turpshme qysh gënjeni kështu Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është drejtuar e mllefosur deputetëve të opozitës, duke i thënë se po vazhdojnë të thotë që çmimi i energjisë elektrike është shtrenjtuar për 100 përqind. “Është e paimagjinueshme se sa mund të gënjejë njeriu për të njëjtën gjë edhe pasi demantohet 100 here dhe pasi qytetaret i marrin faturat. Nuk ka pasur rritje 100 përqind, krejt bota e din. Lëreni këtë punë, është e turpshme qysh gënjeni kështu”, tha ajo nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. 12:24 – Rizvanolli pyet opozitën: Si është e mundur të dini kaq shumë rreth tenderëve? Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka pyetur deputetët nga opozita se si është e mundur që ata të dinë kaq shumë rreth tenderëve, njofton Klan Kosova. “Ministria e Ekonomisë është duke bashkëpunuar me bordin mbikëqyrës të KEK-ut për t’u siguruar se operimet vazhdojnë me sukses”. “Desha të ju pyes se pse përgjatë këtyre dy viteve aq pak keni folur për politikat, por aq shumë dini për tenderët. Nuk do t’ju pyes sepse ju njoh, andaj nuk ka nevojë për përgjigje”. 12:19 – Haxhiu i thotë Haradinajt: Për shkak teje një prokuror special është dashur ta lëshojë vendin Në Kuvendin e Kosovës ka nisur të zhvillohet debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka akuzuar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, se prokurori special Elez Blakaj për shkak të tij është dashur ta lëshojë Kosovën, njofton Klan Kosova. “Në Republikën e Kosovës një prokuror special është dashur ta lëshojë vendin për shkak teje sepse sa ke qenë kryeministër i ke kërkuar raport me shkrim”. “Bëhet fjalë për Elez Blakajn, kjo është ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë. Për shkak teje dhe për shkak qasjes tënde i njëjti nuk është mbrojtur”. 12:11 – Haradinaj: Kurti është shef i lidhjes së shkurtë korruptive, mbron dostat Në Kuvendin e Kosovës ka nisur të zhvillohet debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti e ka instaluar modelin e lidhjes së shkurtë korruptive, njofton Klankosova.tv. 12:01 – Arrestimi i Krasniqit, Selmanaj (LDK) kërkon shkarkimin e bordit të KEK-ut Në Kuvendin e Kosovës ka nisur të zhvillohet debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, ka kërkuar shkarkimin e bordit të KEK-ut, njofton Klan Kosova. “Jam i bindur se Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete shumëmilionëshe dhe ta paligjshme”. “Në rastin konkret, përgjegjësia penale është e pamjaftueshme. Shkarkimi i bordit të KEK-ut është më e pakta që mund të ndodhë urgjentisht”. 11:50 – Tahiri: Për pesë muaj, KEK-u nënshkroi 30 kontrata njëburimore me vlerë 72 milionë euro Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se për pesë muaj, KEK-u ka nënshkruar 30 kontrata njëburimore që arrijnë shifrën 72 milionë euro, njofton Klan Kosova. “Padyshim që një Kuvend i Kosovës e ka të drejtën me thirr një seancë të jashtëzakonshme kur arrestohet një zyrtar i lartë i një partie politike. Nuk po flasim për një person të rëndomtë”. “Për ta parë punën e tij, i kam nxjerr tenderët që ka nënshkruar Krasniqi në muajt e fundit, për pesë muaj KEK-u ka nënshkruar 30 kontrata njëburimore” “Nëse i sheh 72 milionë euro për 5 muaj, e sheh abuzimin e madh që e ka kryer Krasniqi”. 11:40 – Kusari ironizon me opozitën: Ta sjellim Nagip Krasniqin në Kuvend me duar të lidhura Në Kuvendin e Kosovës ka nisur të zhvillohet debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka ironizuar me opozitën për thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme duke iu kërkuar atyre që ta sjellin Nagip Krasniqin në Kuvend me duar të lidhura për ta intervistuar, njofton Klan Kosova. “Opozita po mundohet të shfrytëzojë mekanizmin e prokurorisë duke e kthyer sallën e Kuvendit në gjykatore. Unë i propozoj opozitës që ta bëjë edhe një mocion sot dhe ta sjellin nga gjykata Krasniqin me duar të lidhura dhe ta zhvillojmë këtu gjykatën”. “Sikur të ishit të bindur se prokuroria e ka të bazuar në fakte akuzën, ju nuk do të insistonit në mbajtjen e kësaj seance”. 11:31 – Interesim i ulët i kabinetit qeveritar për debatin në lidhje me kryeshefin e KEK-ut Në Kuvendin e Kosovës ka nisur të zhvillohet debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, në këtë seancë të jashtëzakonshme, përveç ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, askush prej kabinetit qeveritar nuk është pjesëmarrës, njofton Klan Kosova. klankosova.tv