LIVE| Kurti lavdërohet me qeverisjen dyvjeçare, numëron sukseset (VIDEO) NULL NULL 06.04.2023 11:13 06.04.2023 11:13 14:13 – “E pasaktë, e pasaktë, e pasaktë”, Murati i kundërpërgjigjet opozitës Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk është pajtuar me asnjë deklarim që ka ardhur nga opozita për gjendjen në një sërë sektorësh në vend. “Është e pasaktë që nga Serbia importi është rekord. Rekord ka qenë në vitin 2017 kur në qeveri kanë qenë LDK dhe PDK. Vlera ishte 450 milionë”, ka shtuar ai, njofton KlanKosova.tv. “Është e pasaktë që norma e inflacionit është 20 apo 50. Norma e inflacionit është 10.5 përqind. Ky inflacion do të ishte edhe më i ulët, nëse LDK nuk do ta çonte në Kushtetuese Ligjin për Çmimin për Produktet Bazë”. “Është e pasaktë që nuk kemi ndihmuar komunat. Vetëm për Prishtinë kemi ndarë 270 milionë”. 13:51 – Gashi i LDK-së, Kurtit: Jeni fatkeqësia e vendit Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka numëruar, sipas tij, dështimet e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti për dy vjetët e para të mandatit. “Kurti nuk ka premtuar rritje të tatimit në pronë 100 përqind. E ka bërë. Kështu e ka vështirësuar jetën e qytetarëve. Inflacioni në qeverisjen e Kurtit sipas Bankës Botërore ka qenë 20 pëqind në vitin e parë, mbi 50 përqind për produktet bazë që nuk është përcjell me ide e veprime, por britma e piskama përballë çdo krize”, ka thënë Gashi, njofton KlanKosova.tv. “Vetëm shpërndan lëmoshë për t’i mbuluar dështimet. Nuk të intereson kualiteti i jetës së qytetarëve. Investimet kapitale në 9 muaj kanë qenë 11 përqind. 800 milionë i keni bllokuar në kohën e krizës” “Jeni fatkeqësia e vendit”. 13:44 – Kurti lavdërohet me qeverisjen dyvjeçare, numëron sukseset Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka numëruar sukseset e qeverisë përgjatë dy viteve të fundit. Në seancën e sotme parlamentare, para deputetëve ai i dha disa rezultate, duke thënë se lista e përmirësimeve është shumë e gjatë. “Puna dhe drejtësia ishin dy shtylla të zotimeve tona të 14 shkurtit e si angazhim i yni i përditshëm. Ekonomia është e të gjithëve dhe nëse ajo shkon mirë duhet t’i gëzohemi të gjithë sepse na prek të gjithëve. Në vitin e parë të qeverisjes patëm rritje 10.7 për qind të bruto produktit vendor që është më e larta në historinë e vendit, ndërsa në vitin 2022 kur i gjithë kontinenti ynë po vuante ekonomikisht si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, rritja ishte rreth 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni. Për vitin 2022 i kemi pasur rreth 920 milionë eksporte, këtë vit do t’i kalojmë mbi 1 miliard, rritja e eksportëve tregon rritjen e gjallërisë së ekonomisë sonë, rritjen e sektorit prodhues të mallrave e të shërbimeve. Raporti eksport -import në vitin 2019, pra vitin para se të bëhem unë kryeministër për herë të parë, ishte 1 me 9 e sot është më pak se 1 me 6. Nëse vazhdojmë kështu, dhe sigurisht që do të vazhdojmë kështu, me ndihmën e sipërmarrësve të punëtorëve që angazhohen në sektorët prodhues, raporti eksport-import do të përmirësohet e deficiti tregtar të zvogëlohet”. “Janë dy vite, dhe kemi ende shumë punë dhe shumë politika të reja për t’i zbatuar në ndihmë të eksportit dhe prodhimit vendor, por situata ka ndryshuar për të mirë, është optimiste, edhe deficitin buxhetor për vitin 2022 më në fund kemi arritur ta zvogëlojmë në një rekord historik vetëm 49.1 milionë euro minus, mbi 11 herë më pak se në vitin 2020. E për dy vite janë dyfishuar investimet e huaja direkte. Buxheti i shtetit është rritur me 760 milionë euro për dy vite, ndërsa ekonomia është rritur me 2.1 miliardë euro, pra kemi Republikën e Kosovës me qeverisjen tonë me ekonomi të gjithëmbarshme prej 9 miliardë euro. Në të shkuarën, qeverive u duheshin 3 vite për t’ia shtuar vetëm 1 miliard ekonomisë, e tash për 2 vite i keni më shumë se 2 miliardë. Qeveria po peshon më lehtë se më parë”, tha kryeministri, njofton Klankosova.tv. I pari i Qeverisë tutje deklaroi se kjo rritje ka rezultuar edhe në rritje të punësimit. “Për 21 muaj, nga marsi i vitit 2021 deri në dhjetorin e vitit 2022, është rritur punësimi primar nga mbi 325 mijë të punësuar në mbi 362 mijë të punësuar, pra për 21 muaj mbi 37 mijë më shumë të punësuar dhe numri i grave të punësuara është 50.3 për qind të rritjes së gjithëmbarshme”. Tutje, Kurti përmendi edhe programet e reja të mbështetjes sociale dhe të punësimit, sikurse shtesat për lehona dhe fëmijë. “Si kurrë më parë janë krijuar programe të reja të mbështetjes sociale dhe të punësimit sikurse shtesat për 34 mijë lehona dhe 340 mijë fëmijë, pra lehonat dhe fëmijët nuk kanë marrë asnjë cent në të kaluarën dhe tash praktikisht ata mbështeten nga shteti dhe në momentin kur kalon Ligji edhe në lexim të dytë për Pagën Minimale, automatikisht do të rriten edhe shtesat për lehonat”, shtoi kryeministri. Më tej, kryeministri Kurti foli edhe për miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesin që do të çojë të Vettingu. “Është funksionalizuar edhe Gjykata Komerciale, është forcuar sundimi i ligjit duke luftuar krimin dhe korrupsionin me kontributin e policëve dhe qytetarëve, janë realizuar mbi 850 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Mbi 3200 veta janë arrestuar dhe mbi 300 janë zyrtarë publikë. Në veri kemi mbyllur 16 rrugë ilegale, kemi shkatërruar 83 grupe kriminale, kemi konfiskuar rreth 2 ton substanca narkotike”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv. 13:41 – Armend Muja prezanton “4 D-të” e qeverisë Deputeti i Vetëvendosjes, vlerëson se dy vjetët e këtij mandati kanë qenë të jashtëzakonshme për Qeverinë Kurti. Ai ka thënë se ka pasur transformim politik dhe ekonomik. “Nga 1D, kemi kaluar në 4D. Nga fokusi vetëm Dialog, kemi kaluar në Demokraci, Diasporë, Drejtësi dhe Dialog”, është shprehur Muja, njofton KlanKosova.tv. “Këto katër D-të e kanë sforcuar njëra-tjetrën”. Muja ka thënë se lufta kundër korrupsionit ka shënuar rënie të dukeshme dhe këtë sipas tij e thotë raporte ndërkombëtare. 13:15 – Tahiri për dy vjetët e qeverisë: S’mund të lavdërohen për punë dhe rezultate Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka paraqitur rezolutën për punën dyvjeçare të qeverisë. Në fjalën e tij ai ka thënë se kur tashmë ekzekutivi I drejtuar nga Albin Kurti ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes, nuk mund të mburret për dy gjëra. “Mund të lavdërohen për gjithçka, vetëm jo për punë dhe rezultate”, është shprehur Tahiri, njofton KlanKosova.tv. “Për dy vjet shohim logjikë arbitrare të punës, antikushtetuese dhe varfëruese. Është qeveri arbitrare sepse ka bërë punësime antikushtetuese. Është antkishtetuese që prej shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Shërbyesve Civil. Ligjin për Këshillin Prokurorial…Këto tregojnë logjikën antikushtetuese”. Tahiri ka përmendur se qeveria ende nuk e ka kaluar Pagën Minimale, duke theksuar se nuk ka vepruar për ta lehtësuar ekonominë. “Kurrë më keq s’kemi qenë në rrafshin ndërkombëtar. Raporti i DASH tregon se kjo qeveri ka hyrë edhe në afera korruptive”. 13:05 – Rikthimi 10 minutësh i Listës Serbe në Kuvend, Konjufca: Të privohen nga mëditjet e sotme Pas pesë muajsh, deputetët e Listës Serbe janë rikthyer sot në Kuvendin e Kosovës vetëm për t’u nënshkruar, pasi qëndruan veç 10 minuta. Me këtë rast, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, tha se ajo që bëri Lista Serbe sot, është sjellja më e papërgjegjshme që mund ta shohim në Kuvend. Ai kërkoi nga administrata që të privohen nga mëditjet e sotme. “Dëshiroj të them që ajo që bëri Lista Serbe sot me ardhjen pas 5 muajsh në Kuvendin e Ksoovës vetëm për t’u nënshkruar është sjellja më e papërgjegjshme që mund ta shohim këtu në Kuvend. Ata qëndruan për më pak se 10 minuta dhe dolën menjëherë, më e pakta që kërkoj sot është që të privohen nga mëditjet e sotme”, tha Konjufca, njofton Klankosova.tv. 12:37 – Kurti: Jemi në shërbim të KQZ-së, kushdo që i cenon zgjedhjet në veri do t’i përgjigjemi me ligj Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria që ai udhëheq, në procese zgjedhore është në shërbim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesave të tyre për zgjedhjet në veri. Ai tha se janë marrë veprimet e duhura në mbështetje të KQZ-së, ku janë vënë në dispozicion mekanizmat institucional dhe burimet e nevojshme për përgatitjen dhe organizimin e duhur të zgjedhjeve në veri të vendit. “Aktualisht, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera janë në koordinim të vazhdueshëm me KQZ-në për të adresuar çështjet dhe për të përmbushur kërkesat që dalin nga ky proces”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv. Tutje, kreu i qeverisë tha se kushdo që vijon ta cenojë procesin e votimit në katër komunat në veri, do të ketë përballë ligjin. “Përtej kësaj, pluralizmi politik dhe e drejta e votimit lirshëm te komuniteti serb janë të domosdoshme. Kushdo që vijon ta cenojë këtë të drejt përveç se përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:23 – “Ka Asociacion”, Bislimi e kalon në heshtje pyetjen e deputetes Musliu-Shoshi se kur do të dorëhiqet Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi e ka pyetur zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi se kur do të japë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi që ai vetë kishte deklaruar “se kur kjo qeveri e ndryshon qëndrimin për Asociacionin dhe thotë se do të krijohet me kompetenca ekzekutive ose pa, Besnik Bislimi nuk është më në dialog”. Në këtë pikë Bislimi ka zgjedhur të heshtë, edhe pasi deputetja ia ka lëshuar një fjalim të kryeministrit Albin Kurti kur ai dëgjohet të thotë se “ka Asociacion” nga marrëveshja e Ohrit. Paraprakisht Bislimi e ka sugjeruar deputeten që ta lexojë të plotë marrëveshjen. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:07 – Vajza e Gecit për Komunikatën 59: Babanë tim s’ka mundur ta shkatërrojë Millosheviqi e lëre më Thaçi Deputetja e LDK-së Marigona Geci, në emër të familjes Geci i ka falënderuar Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, për siç tha ajo, zbardhjen e Komunikatës 59. Ajo tha se e ka lexuar një pjesë të deklaratës së Rexhep Selimi dhënë në Prokurorinë Speciale, rreth babait të saj, Gani Gecit. “Sipas deklaratës së Selimit, përmes një thirrje telefonike satelitore, Thaçi ia kishte lexuar tekstin e Komunikatës 59, Rexhep Selimit. Rexhep Selimi e kishte pyetur Thaçin se pse e kishte përfshirë të pavërtetën për Gani Gecin, se kishte udhëhequr masakrat serbe, Thaçi i ishte përgjigjur ‘në mënyrë që ta shkatërrojmë plotësisht’”, tha Geci, njofton Klankosova.tv. Tutje, ajo tha se sipas deklaratës së Selimit, Hashim Thaçi ka tentuar ta shkatërrojë familjen dhe babain e saj, teksa shtoi se “familjen dhe babanë tim s’ka mundur ta shkatërrojë UDB-ja e Millosheviqit e lëre më Hashim Haxhi Polari prej Broje” “Sipas deklaratës së Rexhep Selimit, Hashim Thaçi paska tentuar ta shkatërrojë familjen time dhe babain tim. Edhe në vitin 1945 Serbia e ka djegur dhe ka tentuar ta shkatërrojë familjen time, por ka shpëtuar gjyshi im, Ademi”. “Ndërsa, tani, përveç gjashtë axhallarëve dhe babait tim, jemi edhe 120 anëtarë të tjerë. Këtu në kuvend, për zbardhjen e Komunikatës 59, dua t’i falënderojë udhëheqësit e Zonës Operative të Drenicës, luftëtarët e Prekazit dhe Llaushës, që e kundërshtuan Komunikatën 59 qysh më 8 nëntor 1998”, tha Geci. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:05 – Musliu – Rizvanollit: Do të mbaheni në mend si qeveri e vitrave Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka thënë ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, se qeveria në të cilën ajo bën pjesë, do të mbahet në mend si qeveri e vitrave. “Kjo është e padiskutueshme, me njërën dorë ua jepni nga 100 euro lëmoshë qytetarëve, e me të dyja ua merrni”, tha ajo, pasi ministrja Rizvanolli foli për skemat e suksesshme sa i përket energjisë elektrike. Rizvanolli tha se do të vazhdojnë t’i përkrahin qytetarët që shpenzojnë deri në 800 kilovat orë dhe do të fokusohen veçanërisht tek familjet në nevojë. “Pas një skeme të suksesshme ku i kemi ndihmuar mbi 9 mijë familje vitin e kaluar për të kaluar nga ngrohja me rrymë në forma tjera të ngrohjes, këtë skemë sivjet do ta vazhdojmë dhe zgjerojmë me ndihmën edhe të BE-së për menaxhim të krizës, sivjet masa do të zgjerohet për të përfshirë edhe pajisje të tjera shtëpiake, mirëpo edhe instalime solare. Sivjet kemi ndarë 10 milionë euro për masat e efiçiencës në banesa sociale, skemë e cila do të lansohet nesër, dhe 10 milionë të tjera për masat në shtëpi private, dhe 25 milionë mbështetje për familjet në nevoje për t’u përball me efektet e çmimeve të energjisë. Të gjitha këto janë edhe pjesë e financimit të fondit prej 75 milionë euro nga BE dhe buxheti i Kosovës”, tha ministrja. Pas kësaj deklarate, Musliu më pas tha se kërkesa e saj është që qeveria të lirojë nga pagesa e rrymës të gjitha kategoritë e dala nga lufta, pasi siç tha ajo, janë në gjendje të mjerueshme. “Keni subvencionuar fatura të rrymës e tash ua keni rrit, kërkesa jem ke e qartë, derisa mbi 150 milionë kjo qeveri i ka ndarë për pagesat e rrymës në veri të Mitrovicës, kërkoj nga ju që t’i lironi nga pagesa të gjithë veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, sepse është e papranueshme që t’i shohim veteranët duke u prangosur e duke u dërguara prapa grilave pse s’kanë mundësi me i pagu faturat. Ata kanë familje dhe duhet të hanë buke, lironi të gjithë veteranët nga pagesa, sepse janë në gjendje të mjerueshme”, tha deputetja Musliu, transmeton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:05 – Aliu për rrugën Prishtinë-Gjilan: Do të ketë sanim gjithëpërfshirës për gropat dhe rrëshqitjen e dheut Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se më 31 mars kanë arritur marrëveshje me një kompani për mirëmbajtjen e plotë të rrugës Prishtinë-Gjilan. “Segmenti është mirëmbajtur deri në Llabjan nga një kompani, tani kompania tjetër mirëmban pjesën tjetër. Përveç gropave në zonën e Liqenit të Badocit ka edhe rrëshqitje të dheut”. “Tani do të kemi sanim gjithëpërfshirës, përfshirë gropat dhe dheun që rrëshqet”. Aliu ka përmendur se do të ketë ndërhyrje edhe në urën që ndodhet te liqeni. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:49 – Haxhiu ia kthen Deliu-Kodrës: Ligji për KPK-në lajm i mirë veç për juve Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk është lajm i mirë për drejtësinë. Kështu deklaroi ministrja pasi deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se ky vendim në fakt është lajm i mirë. “Është lajm i mirë vetëm për juve si parti opozitare dhe për grupet e interesit brenda sistemeve të drejtësisë të cilët ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë. Sa kanë përgjegjësi sistemi i drejtësisë për mosveprim dhe neglizhencë po aq keni edhe ju përgjegjësi që e keni ndrydhur e shtrydhur sistemin e drejtësisë për interesat e juaja personale”. “Me qeverinë Kurti nuk do të ndodhë më ashtu sepse sistemi i drejtësisë do të jetë i pavarur dhe transparent, efikas e llogaridhënës, por është lajm i keq edhe për qytetarët ky aktgjykim sepse ju e dini që një nga arsyet kryesore se pse ne si qeveri kemi marr mbështetje të madhe qytetare janë dy zotimet tona, drejtësi dhe punësim. Qytetarët e duan drejtësinë, e duan ligjin, e duan shtetin e së drejtës, aktgjykimi është lajm i keq për qytetarët për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit”, tha ministrja, njofton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:43 – Tahiri thotë se qeveria po ua merr buxhetin komunave, Murati: Rregullohet me ligj Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për të hyrat vetanake, rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Murati tha se të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunave për vitin paraprak, bartën në vitin vijues. “Kjo gjë rregullohet edhe me Ligjin e Buxhetit, i cili e thotë të njëjtën gjë. Dhe kjo është në tërësi në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, është shprehur Murati, njofton Klankosova.tv. E, për këtë gjë, replikë pati nga shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se qeveria s’e ka shfrytëzuar buxhetin në qendër, e sipas tij, tash qeverisë i është kthyer komunave që t’ia merr buxhetin. “Ky është një mashtrim, që na u ka bërë neve që e kemi miratuar Ligjin e Buxhetit sepse jemi dakorduar që të hyrat vetanake iu takojnë komunave”. “Është një mashtrim ordiner në qoftë se vazhdoni t’i prekni këto komuna. Nuk guxoni ta bëni, sepse këtë do ta ndalim. Ne kemi biseduar me PDK-në e LDK-në, por edhe me kryetarin e kuvendit. Ne, këtë çështje s’do ta pranojmë në kuvend”, tha Tahiri, njofton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:38 – Deliu-Kodra për shpalljen e Ligjit për KPK si antikushtetues: Lajm i mirë për drejtësinë Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se shpallja e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese përbën një lajm të mirë për drejtësinë dhe për pavarësinë e zyrës së prokurorit të shtetit. Ajo ka konsideruar se është hap i mirë drejt mbrojtjes së rendit kushtetues përkundër, siç tha ajo, tentativave të qeverisë për ta shkelur atë. “Gjykata kushtetuese na dha të drejtë duke shpallur si antikushtetues përpjekjen e kryeministrit dhe të kësaj qeverie për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e këshillit prokurorial të Kosovë. PDK e dëshmoi se iu shërben interesave të qytetarëve të Kosovës duke mbrojtur rendin kushtetues dhe ngjashëm do të kundërshtojë secilën nismë qeveritare që synon të nënshtrojë të drejtën e diktatit të një njeriu dhe qëllimeve autoritare të këtij pushteti. Janë të papranueshme sulmet ndaj gjyqësorit ashtu siç janë të papranueshme komentimet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ministrja Haxhiu”. “Ai që shkel Kushtetutën është super kriminel, deklaroi Kurti si opozitar e sot numri i ministrave të kësaj qeverie që e shkelin Kushtetutën është shumë i madh, e të tillët jo vetëm që nuk kanë konsekuenca mirëpo edhe provohen të relativizohen e të arsyetohen nga ky njeri, ashtu siç Kurti po mundohet ta arsyetoj Martin Berishajn”, tha ajo, njofton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:28 – Basha: Deputetët e Listës Serbe erdhën i morën mëditjet sa për mos ta humbur mandatin Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka bërë të ditur se deputetët e Listës Serbe sot veç janë nënshkruar për mëditje në kuvend dhe kanë dalë nga seanca. Sipas Bashës, këtë veprim deputetët e Listës Serbe e kanë bërë veç për t’i ikur mundësisë për ta humbur mandatin. “Ata do të ishte e rëndësishme të qëndrojnë këtu për ta dëgjuar gjendjen e vështirë në veri që është duke ndodhur, djegien e veturave, rrahjen dhe torturat e qytetarëve serbë që duan të jenë pjesë e zgjedhjeve legale në Kosovë. Linçimin ndaj qytetarëve që refuzojnë t’i nënshtrohen dhunës dhe monopolit politik të asaj zone”, është shprehur Basha, njofton Klankosova.tv. Tutje, ai tha se Qeveria e Kosovës e mbron qytetarin serb ë veri të vendit, më shumë sesa përfaqësuesit e Listës Serbe, që sipas tij, marrin pagë nga Kosova e i shërbejnë Radoiçiqit e Vuçiqit. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:19 – Musliu kërkon që kategoritë e dala nga lufta të lirohen nga pagesa e rrymës Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar nga ZRrE dhe institucionet që të lirojnë nga pagesa e faturave të rrymës pas shtrenjtimit me 15 për qind, kategoritë e dala nga lufta. Këtë kërkesë, Musliu e bëri gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare. Ajo tha se kjo kategori është lënë pas dore nga qeveria në çdo aspekt. “Ditë më parë, bordi i ZRrE-së ka marr vendim për shtrenjtimin e rrymës me 15 për qind, rritja tarifore do të jetë për të gjitha kategoritë. Ky shtrenjtim në kohën kur qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me luftën e tyre për ekzistencë është i papranueshëm dhe i papërballueshëm për qytetarët e vendit. Të nderuar deputetë, sot kam një kërkesë që ka të bëjë me një kategori të ndjeshme dhe të çmuar për ne, siç janë kategoritë e dala nga lufta që nga kjo qeveri janë lënë pas dore në çdo aspekt duke mos gjetur gatishmërinë që të përfshihen as në ligjin për pagën minimale”. “Kërkoj nga ZRrE që të nxjerrë një vendim dhe t’i liroj nga pagesa dhe faturat e rrymës të gjitha kategoritë e dala nga lufta siç janë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e UÇK-së. Kërkoj nga institucionet që të nxjerrin vendimin për lirimin nga pagesa, me theks të veçantë veteranët dhe invalidët”, tha Musliu, transmeton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:16 – Hoti, qeverisë: Institucionet kyçe i keni pa drejtues – keni tendencë për të vendosur kontroll mbi to Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka kritikuar qeverinë pasi sipas tij, institucionet kyçe janë pa drejtues. Sipas Hotit, kjo po ndodh me tendencën për të vendosur kontroll mbi institucione që sipas Kushtetutës janë të pavarura. Hoti tha se BQK-ja sot është pa Guvernator, TRUST-i pa bord, ATK-ja, Thesari e Njësia për Inteligjencë Financiare janë pa drejtorë. “Procesi i zgjedhjes së guvernatorëve është kompromentuar dhe këtë e kemi diskutuar gjerësisht në Komisionin për Buxhet. Një ditë përpara së të kalojë mandate, edhe një ushtruese e detyrës së zëvendësguvernatorit është shkarkuar, për t’i hapur rrugë që detyrën e Guvernatorit ta ushtrojë kryetari i Bordit të Guvernatorit”, tha Hoti, njofton Klankosova.tv. Tutje, ai tha se qindra miliona euro të investimeve të TRUST-it nëpër instrumente të ndryshme janë në rënie, e siç tha ai, “s’ka kush merret me to”. “Kryeprokurori i Shtetit ka një vit që nuk emërohet, me tendencë që përmes atij ligjit anti-kushtetues të Këshillit Prokurorial të zgjidhet tjetër kush Kryeprokuror me ndikimin e politikës. Është një vit që presidentja e vendit s’e kryen detyrimin e saj kushtetues për ta emëruar Kryeprokurorin e Shtetit ose për ta kthyer prapa propozimin që e ka”, tha Hoti, njofton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 11:06 – Hoxha falënderon pjesëmarrësit në marshin për UÇK-në, flet për çlirimtarët Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, fjalën e saj në seancën e sotme plenare e ka nisur me përkujtimin e të rënëve për liri. Ajo tregoi se dje ka vizituar Rezallën, atje ku siç theksoi ajo, dhimbja është po e njëjta çdo vit. “Ku ende ka varre të hapura që presin njerëzit e tyre të prehen. Kujtojmë të rënët për liri, të pagjeturit nga lufta e fundit tash e 24 vite. Afër 10 mijë viktima civile, 20 mijë viktima të dhunës seksuale, mbi 1.6 milion të pagjetur, mbi 1 mijë fëmijë të vrarë, e për këto drejtësia ende mungon”, tha ajo, njofton Klankosova.tv. Hoxha më pas përmendi ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, me ç’rast falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që dolën për të marshuar të dielën për ta mbrojtur luftën e Kosovës. “Sot historia jonë duket e përmbushur, ku në vend së të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi si viktima të luftës së fundit, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë, e ata që dikur marshuan për liri. Të dielën, Prishtina ishte e vogël për t’i përqafuar zemrat e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova u bë bashkë për historinë e saj, Kosova u bë bashkë për të vërtetën e saj. Kosova duhet të jetë bashkë për të ardhmen e saj që të mos lejojmë padrejtësi të reja në emër të drejtësisë. Më kishte marr malli ta shoh Kosovën kështu me krejt ngjyrat e saj. Faleminderit për të gjithë qytetarëve, partitë, artistët, që të gjithë që marshuan të dielën për drejtësi, nuk ishte marsh i rëndomtë, por i dinjitetit tonë qytetar. UÇK na ka mbrojtur e bashkuar dikur të gjithëve, edhe ne sot duhet të jemi bashkë për ta mbrojtur atë për të ardhmen e saj për Kosovën tonë”, tha ajo. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.