Linja Prishtinë-Beograd, Berisha: Hap me rëndësi në hapjen e korridoreve ajrore të reja për Kosovën

Linja Prishtinë-Beograd, Berisha: Hap me rëndësi në hapjen e korridoreve ajrore të reja për Kosovën

8 muaj më parë

Aviokompania gjermane “Lufthansa” pritet që së shpejti të hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Një gjë e tillë vjen pas iniciativës të emisarit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të cilën Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, po e konsideron si tejet të rëndësishme.

Në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës, Berisha foli për zhvillimet rreth hapjes së linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

“Iniciativa e sotme ka rrjedhur nga i dërguar special i Donald Trump për dialogun  Kosovë-Serbinë, Richard Grenell, i cili ka ndërmarrë këtë iniciativë për normalizimin e marrëdhënieve dhe transportit ajror ndërmjet dy shteteve. Sa i përket transportit rrugor ka disa kompani që operojnë, mirëpo ka munguar linja ajrore, e cila pritet të funksionalizohet në kuadër të normalizimit të hapësire ajrore për të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Në kuadër të kësaj iniciative Berisha e cilësoi si shumë të rëndësishme edhe vendosjen e kontaktit ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Vënia e kontakteve të dy autoriteteve të aviacionit civil është mjaft e rëndësishme. Që nga paslufta nuk ka ekzistuar asnjë kontakt dhe ky është një hap i rëndësishëm. Po krijohen edhe mundësi të reja të depërtimit nga hapësira ajrore e Kosovës nëpër hapësirat ajrore tjera”.

“Me rendësi të theksohet është se hapësira ajrore e Kosovës ka qenë pothuajse e mbyllur sepse ka ekzistuar vetëm korridori ajror me Maqedoninë e Veriut. Me këtë hap synohet hapja e korridoreve ajrore të reja drejt Serbisë dhe në të ardhmen edhe me Malin e Zi”.

Sa i përket udhëtimit, konkretisht dokumenteve për udhëtim, Berisha njoftoi se do të vlejë marrëveshja e nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, dhe se e njëjta do të aplikohet edhe në transportin ajror.