LIMAK 10 vjet në Kosovë – Kronologjia e mashtrimeve NULL NULL 21.08.2019 17:31 21.08.2019 17:31 Marrja e menaxhimit të Aeroportit të Prishtinës nga LIMAK në mënyrë automatike i kishte goditur kompanitë dhe bizneset e shumta që për më shumë se një dekadë kishin operuar në këtë Aeroport. Në anën tjetër, bizneseve turke u ishte krijuar hapësirë e bollshme. Madje, menaxhmenti i kishte goditur rëndë agjencitë turistike duke u shumëfishuar çmimin e qirasë, me ç’rast kompani me nam e kishin braktisur vendin tonë derisa në vend të tyre kishin ardhur kompani të dyshimta të cilat më pas i kishin mashtruar qytetarët. Menjëherë pas marrjes në menaxhim të Aeroportit nga kompania turke nga vendi ynë u largua edhe British Petroleum (BP), kompani me nam ndërkombëtar. MASHTRIMET Mbi 100 mijë qytetarë viktima të mashtrueseve në Aeroport Falimentimi i aviokompanisë gjermane “Germania”dyshohet se i ka dëmtuar dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës që kanë rezervuar bileta avioni nga Gjermania drejt Kosovës, si dhe anasjelltas. Por, nuk është kjo hera e parë kur qytetarët po bien viktimë e kompanive të tilla që marrin parat dhe nuk u ofrojnë shërbime qytetarëve. Ishte kompania “Belle Air”, por edhe dhjetëra kompani tjera, të cilat dyshohen se kanë dëmtuar më shumë së 50 mijë qytetarë që më pas thuajse nuk i ka kompensuar askush. Por, marrë edhe rastin e fundit dyshohet se numri i qytetarëve që kanë rënë viktimë e kompanive të tilla mund të kalojë në mbi 100 mijë. Falimentimi i kësaj kompanie do të jetë shumë i madh dhe do të ketë pasoja të mëdha për qytetarët e Kosovës. “Shumë bileta janë rezervuar gjatë muajve në vijim për destinacione të shumta. Për momentin, kompania ka angazhuar vetëm dy avionë nga Bullgaria që në asnjë mënyrë nuk mund t’imbulojnë të gjitha destinacionet për të cilat janë shitur biletat. Dëmi do të jetë shumë i madh, sidomos gjatë kohëve të verës kur rritet dukshëm fluksi i qytetarëve për të ardhur drejt Kosovës”, tha më tutje ky burim i besueshëm. Sipas tij, numri i biletave të rezervuara mund të shkojë mbi 50 mijë. Heqja e depozitës prej 500 mijë eurosh që legalizoi mashtrimin Gjatë viteve të fundit, një numër i madh i kompanive mashtruese ia mësynë biznesit me aviobileta, pasi që me kërkesë të ish drejtorit menaxhues të Aeroportit të Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), Komisioni Europian (KE) e ka shtyrë Ministrisë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT) që të heqë depozitën prej 500 mijë euro për kompanitë që dëshirojnë të fluturojnë nga ky aeroport. Në atë kohë një veprim i tillë i drejtorit të aeroportit, Agron Mustafës, u konsiderua si kërcënim për qytetarët e Kosovës të cilët e shfrytëzojnë këtë aeroport për udhëtime jashtë vendit. Heqja e kësaj takse në masë madhe iu ka ndihmuar kompanive të papërgjegjshme që t’i mashtrojnë qytetarët e Kosovës, duke u marrë paratë dhe mos u kryer shërbimin, si dhe duke krijuar shuma të mëdha parash nga shitja e aviobiletave. Mirëpo, ky rrezik sërish paraqitet në vend, kur tashmë shumë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës ia mësyjnë Kosovës për t’i kaluar pushimet verore, por edhe ato dimërore, në vendlindje. Rasti “Dardania Airways” Po ashtu, edhe kompania “Dardania Airways” dyshohet se ka mashtruar rreth pesë mijë bashkatdhetarë. Pronari i kësaj agjencie për të pasur më të lehtë mashtrimin kishte afruar afër vetes edhe bashkëpunëtorë. Atij në ndihmë për këtëmashtrim i kishte dalë programeri Muharrem Musa, i cili është pronar i booking-sistemit të rezervimit “webkos.de”, si dhe Bali Rramanaj, pronar i “Alba Reisen”. E gjithë shitja e biletave duke mashtruar ka ndodhur brenda një periudhe 3 javore, për aq kohë sa edhe ka qëndruar “Dardania Airways” në sistemin e “webkos.de”. Në mashtrim të bashkatdhetarëve ndihmë agjencisë “Dardania Airways” i ka ofruar edhe pronari i tour-operatorit “Alba Air”, Shefki Rramanaj, i cili është vëllai i Bali Rramanajt. E për të qenë sa më efektiv në operacionin që kishin filluar, pronari i “Alba Air”-it kishe lëshuar në shfrytëzim “Call Center”-in e tij që e ka në zyrat e “Alba Air”-it në qendër të Prishtinës. Më tej, burime të besueshme bënin të ditur se Rramanaj i kishte urdhëruar punëtorët e tij që nga fillimi i muajit maj e deri në fund të qershorit të bëjnë marketing në formë të SMS-ve dhe thirrjeve për agjencinë “Dardania Airways”. Nga aty u ishin dërguar oferta qindra mijëra bashkatdhetarëve se kinse një biletë kthyese nga Zvicra për Kosovë do të kushtonte 280 euro. Po ashtu, “Dardania Airways” i ka mashtruar bashkatdhetarët duke iu shitur bileta në numra fluturimi të kompanisë “Adria Airways” dhe “Germanwings”. “Belle Air” mashtroi 26 mijë pasagjerë Mashtrimet më të mëdha me bileta aeroplani i ka bërë aviokompania “Belle Air”. Vetëm në vendin tonë më shumë se 26 mijë qytetarë janë viktima të kësaj kompanie. Dyshohet se në mashtrim ishin të përfshira edhe tour-operatorë si “Select Fly”, “Air Munich”, “Reisebüro Prishtina”. I gjithë ky organizim ishte bërë me ndihmën e “Select Fly”, menaxher i së cilës ishte Florim Rudaj, “Air Münich”, me pronar Gazmend Vatovci, dhe “Reisebüro Prishtina”,mbrapa së cilës qëndron Gafur Aliu. “Belle Air” në fund të nëntorit të vitit 2013 kishte shpallur falimentimin. ”Airbuchurest” la në aeroport 4600 pasagjerë Po atë vit, në 2013, rreth 2800 udhëtarë kishin mbetur pa udhëtuar në destinacionet e tyre pasi aviokompanitë “Airbuchurest”, “Adria Airways” dhe “Air Dolomiti” nuk i kishin realizuar fluturimet për të cilat kishin shitur bileta. Në ndihmë për të mashtruar këtyre aviokompanive u kishin ardhur “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Biletat nga këto aviokompani ishin shitur nga Dyseldorfi, Shtutgarti, Baseli. Kthimi i pasagjerëve nuk ishte realizuar pasi aviokompania “Airwings” kishte mbyllur zyrat për shkak të presionit të pasagjerëve. “Airbuchurest”, një kompani nga Rumania me pronar të nacionalitetit turk, së bashku me kompaninë “Levingstone” nga Italia dhe “Adria Airways” nga Sllovenia, kishin operuar gjatë kohës shtator dhe gusht 2012, duke realizuar fluturime nga Dyseldorfi, Shtutgarti, Baseli. Një vit më herët në rrugë kishin mbetur po ashtu rreth 1800 udhëtarë, kësaj radhe nga aviokompanitë “Airbuchurest” dhe “Mistral”. Pjesë e këtyre mashtrimeve ishin edhe tour-operatorët “Airwings”, “Eurowings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Gjatë vitit 2011 ishin organizuar fluturimet gjatë muajit gusht dhe shtator, ku destinacioni ishte nga Dyseldorfi, Shtutgarti, Baseli drejt Prishtinës, nëbashkëpunim me kompaninë “Eurowings”, me pronar Feti Salihu. Rasti “Vallahia Air” Në vitin 2013 mashtrime me bileta kishte bërë edhe “Vallahia Air”, duke lënë rrugëve rreth 400 pasagjerë. Organizator i kësaj kompanie ishte “Flywings”. Në këto mashtrime kontributin e tyre e kishin dhënë edhe institucionet e Kosovës, pasi që në atë kohë licencuan aviokompani mbrapa të cilave po qëndronin persona mashtrues. Burime të besueshme bëjnë të ditur se Fahri Zeneli, Kujtim Beqiri dhe Ajan Xhaferofski ishin personat të cilët kishin qëndruar mbrapa këtij mashtrimi. ”Livingston” mashtroi 1700 pasagjerë Për këta mashtrues ishin në dijeni edhe institucionet e Kosovës pasi që vite më parë mashtruan udhëtarët përmes aviokompanisë italiane “Livingston”, duke përfituar rreth një milion euro. Edhe viti 2012 nuk kishte kaluar pa mashtrime, pasi në skenë kishin dalë kompanitë si “Airbuchurest”, “Levingstone”, “Adria Airways”, të cilat kishin lënë në rrugë rreth 1700 pasagjerë. Në ndihmë këtyre aviokompanive për mashtrim u kishin dalë këta tour-operatorë: “Airwings”, “Uskana”, “Reisebüro Prishtina” dhe “Eurowings”. ”Mistral” la në rrugë 2000 udhëtarë Aviokompania “Mistral” i kishte lënë në rrugë rreth 2000 udhëtarë në vitin 2010. Në ndihmë i kishin ardhur tour-operatorët “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Po këtë vit, “Airwings”, me pronar Kujtim Beqirin, dhe “Reisebüro Prishtina”, me pronar Gafur Aliun, kishin operuar me kompaninë “Mistral”. “Pron Air” la 3500 pasagjerë Mashtrimi i madh i udhëtarëve kishte ndodhur edhe në vitin 2009 nga aviokompania spanjolle “Pron Air”, të cilët kishin lënë në rrugë rreth 3500 pasagjerë. Në ndihmë për mashtrim të bashkatdhetarëve me bileta të aeroplanit ishin përfshirë “Air Dardania”, “Munich Airlines” dhe “Air Kosova”. Rasti “Aurora Airlines” Në vitin kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës, më 2008, udhëtarë në rrugë kishte lënë edhe kompania ajrore “Aurora Airlines”. Rreth 4500 pasagjerë kishin mbetur pa udhëtuar drejt destiancioneve të caktuara pasi ishin anuluar fluturimet. “Aurora Airlines” ka qenë kompani me orgjinë nga Sllovenia. Në ndihmë për mashtrim kësaj aviokompanie i kishin ardhur “Airkosova”, me pronar Sebush Hazirin, “Munich Airlines”, me pronar Florim Rudajn, të cilët i kishin shitur biletat në destinacionet nga Gjermania: Shtuttgart, Hannover, Dyseldorf, Mynhen, që kishin sjellë udhëtarë në Aeroportin e Prishtinës, por kthimin e tyre nuk e kishin realizuar. “Bardha Travel” la në det VIP-at Në listën e aviokompanive mashtruese hyn edhe “Bardha Travel”, e cila kishte lënë nëpër oborre të hoteleve në Turqidisa zyrtarë të lartë të shtetit. Në atë kohë, kompania në fjalë kishte joshur VIP-at kosovarë me oferta joshëse me çmime të ulëta, por në fund të gjithë ata që kishin fluturuar me këtë kompani kishin mbetur në rrugë, duke u detyruar që edhe një herë ta paguanin aranzhmanin te ndonjë kompani tjetër. Rasti “Tafa Air” dhe “Illyrian” Po ashtu, edhe “Tafa Air” dhe “Illyrian” hyjnë në listën e kompanive mashtruese të cilat u kanë marrë paratë kryesisht bashkatdhetarëve dhe nuk ua kanë kryer shërbimet. Në vitin 2009, në prag të ndërrimit të motmoteve, “Tafa Air” kishte lënë në aeroport duke pritur me orë e ditë të tëra mijëra pasagjerë dhe në fund e kishte shpallur falimentimin, praktikë kjo e ndjekur nga rrjeti kriminal i mashtruesve me aviobileta. Njëjtë si kjo kishte vepruar edhe kompania “Illyrian”, ku fillimin e operimit të saj në atë kohë e kishte inauguruar ish-Ministri i Financave, Ahmet Shala. Madje, si për çudi,në atë kohë Shala kishe fluturuar drejt Shqipërisë me këtë kompani edhe pse ajo nuk kishte pasur leje për operim në vendin tonë. SËRISH PREMTIME INSTITUCIONALE PËR INVESTIME MILIONËSHE 33 milionë euro para të shtetit për zgjerimin e pistës Qeveria e Kosovës do t’i ndajë 33 milionë euro për zgjerimin e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Këtë e bëri të ditur Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai tha se puna që po bëhet në këtë aeroport duhet të jetë shembull për të gjitha kompanitë e tjera që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. “Mendoj se është një shembull i mirë edhe për kompanitë të tjera që të investojnë në Kosovë. Sepse te ajo me rëndësi është edhe siguria për qytetarët edhe zhvillimi i linjave të reja të drejtpërdrejta dhe të zhvillojmë hapësirën apo gamën e të gjitha shërbimeve. Biseduam për zgjerimin e pistës dhe ne do t’i kryejmë obligimet tona, do t’i japim 33 milionë euro për këtë projekt. U dakorduam që sa më parë të fillojëky projekt dhe të mos zgjatet”.