11:58, 2 Prill 2020

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, pas takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, ka thënë që ka kërkuar nga ai shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për shkak të situatës në të cilën ndodhet Kosova.

“Nisma beson që presidenti duhet i kujdesshëm të shikojë mundësinë që të shmangë zgjedhjet. Mbi të gjitha duhet të respektohet çdo procedurë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne kërkuam nga Thaçi që të respektojë Kushtetutën dhe hapat të cilët duhet ndjekur në situatën në të cilën jemi”.

“Presidenti dhe Qeveria duhet ta kuptojnë që Parlamenti është institucioni më i lartë; askush e për asgjë nuk mund të uzurpojë kompetencat e parlamentit të Kosovës. Presidenti nuk ka hapësirë ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës, pa pasë vullnetin e partive politike”, tha Limaj.

Limaj theksoi se është rrezik që t’i jepet presidentit kompetencë për shpërndarjen e Kuvendit.

“Jemi republikë parlamentare e jo presidenciale. Nisma është e gatshme për të dhënë kontributin në shmangien e zgjedhjeve dhe funksionimin e një qeverie. Ne i kemi kushtet tona që kur të vijë puna te formimi i Qeverisë do t’i shpalosim”, tha Limaj.

Konkurs Pune

Lexo më shumë