Lajmet e fundit

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar se mund të ndërmerren edhe hapa të tjerë, nëse Qeveria e Kosovës nuk miraton plotësim-ndryshimin e Lijgit për Dhomat e Specializuara.
Gucati deklaroi për Klankosova.tv se një nga opsionet është edhe vendosja e tendave para Qeverisë dhe Parlamentit.
"Njëra prej opsioneve është kjo. Ne i kemi 5 apo 6 opsione, ende nuk kemi vendosur. Ne do të mblidhemi me Kryesinë dhe Këshillin Drejtues dhe do t'i diskutojmë", deklaroi Gucati.
Kreu i OVL UÇK-së foli edhe për protestën e nesërme në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Presim të ketë pjesëmarrje masive. Kemi punuar ditë e natë me kryesinë me shoqatat e tjera të invalidëve dhe të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, por edhe me qytetarët. Sigurisht, jemi të bindur se numri do të kalojë mbi 100 mijë. Vetëm prej një qyteti do të jenë 15 autobusë. Pres që protesta të jetë madhështore, pa ndonjë problem", deklaroi kreu i OVL UÇK-së.
Ai i bëri thirrje edhe klasës politike.
"Uroj që partitë politike të reflektojnë e të ulen e ta zgjedhin presidentin. Kemi mbetur në një sokak pa krye. Kemi beteja të rëndësishme përpara, e kemi Apelin në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, andaj uroj që ta zgjedhin sa më parë këtë çështje. Ndoshta jemi në pozitën më të vështirë që nga paslufta", theksoi Gucati për Klankosova.tv.