Libri "Duke ndjekur fluturat" zhduk frikën e fëmijëve ndaj uniformës - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Libri “Duke ndjekur fluturat” zhduk frikën e fëmijëve ndaj uniformës

NULL NULL
nga Albert Bajrami 31.03.2023 12:06
Libri

Adhuruesit e librit do të kenë në duart e tyre edhe një më shumë në bibliotekat e tyre.

Në Bibliotekën Kombëtare u promovua libri i Mihane Hoxhës, i titulluar “Duke ndjekur fluturat”.

Hoxha sjell për më të vegjlit një dhuratë që i dedikohet edukimit të tyre mbi rëndësinë e policisë në sigurinë e njerëzve, e në veçanti të fëmijëve.

nxënësit Xhavit Ahmeti

Redaktorja e librit, Flora Peci, tha se autorja sjell kujtimet e veta përmes një personazhi, duke dhuruar dashuri për natyrën dhe të parët tanë.

Redaktorja e librit Flora Peci

“Të shkruash për fëmijë është ndjesi e veçantë, por edhe madhështi. Ajo ua servon fëmijëve një mesazh relevant për sjelljet dhe bindjet e tyre si dhe besimin dhe dashurinë ndaj policisë së Kosovës, gjë që fëmijët hezitojnë pak dhe kanë frikë ndaj uniformës”, tha redaktorja Peci.

Don Lush Gjergji, para të pranishmëve tha se është kënaqur me librin duke parë vizionin e autores.

Ai e quajti atë si “bleta në kërkim të nektarit, për ta dhënë mjaltin që janë veprat e saj”.

Don Lush Gjergji

“Ajo është ‘shqiponja’ që fluturon në qiellin e lartë, por edhe ‘urithi’ që gjurmon rrënjët e lashta dhe aktuale, me shpirtin e saj të dëlirë dhe të mirë, me mendjen e saj të ndritur, me zemrën e saj të madhe me shumë frymëzim dhe plot dashuri. Mihane Hoxha është shkrimtare dhe poete, sepse si e tillë jeton dhe krijon, apo krijon dhe jeton, për veten e saj, por edhe për të gjithë ne. Përshkrimet e saj në këtë botim janë poetike, filmike dhe idilike, si për shembull jeta në fshat, në familje, gjyshi, gjyshja, toka, jeta e sotme, policët shqiptarë, ata na ruajnë nga rreziku, të udhëzojnë”, tha Gjergji, raporton Klankosova.tv.

Në fjalën e tij, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tani deputet i Kuvendit, Rashit Qalaj, shprehu konsideratë të lartë për poeten Mihane Hoxha, duke e falënderuar për bashkëpunim.

Ish drejtori i policisë Rashit Qalaj

“Hana ka vite që është njëra ndër bashkëpunëtoret më të rëndësishme, më të mira të Policisë së Kosovës dhe unë ndihem shumë krenar. Autorja e di që nuk do të ndalet dhe ky është vetëm fillimi, e di që ka elan e përkushtim të madhe e që të vazhdojë më tutje”, u shpreh Qalaj.

Derisa, zyrtarja policore Begishe Krasniqi, tha se puna e autores Mihane Hoxhës, është motivim për për punën e organeve të rendit.

Begishe Krasniqi, policia e Kosovës

Krasniqi tha se me këtë rast ndihet tejet të vlerësuar.

“Është një respekt dhe një nder që autorja jo vetëm me këtë libër por edhe në librat paraprak që ka shkruar dhe kontribuar në letërsi dhe gjithashtu në edukim të brezave të rinj, për policinë dhe si ta duam vendin. Pavarësisht profesionit që ne ushtrojmë asnjëherë nuk ngopemi së lexuari, andaj, edhe librat e autores dhe autorëve tjerë janë frymëzim për punën tonë. Sigurisht në këtë libër jepen mesazhe të ndryshme që u theksuan nga parafolësit tanë, por, ne si polici ndjehemi mjaftë mirë që puna jonë vlerësohet. Sepse pa bashkëpunime tuaj, të gjithë qytetarëve, të fëmijëve, të rriturit, ne, nuk do të ishim të suksesshëm në kryerjen e detyrave tona”, tha Krasniqi.

Në mesin e shumë personaliteteve, ishte edhe një mysafir shumë i veçantë.

Shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, u shpreh tejet i lumtur që një grua ka arritur të përçojë mesazhe pozitive për njerëzit në uniformë përmes librit.

Shefi i Eulexit Lars Gunnar Wigemark

“Policia në Kosovë është një prej institucioneve më të respektuara. Si shef i EULEX-it jam shumë i lumtur që kemi bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës dhe që këtij institucioni i jepet hapësirë edhe në krijimtari”, tha Wigemark.

Në fund, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe vet protagonistja, Mihane Hoxha.

Ajo tha se libri “Duke i ndjekur fluturat”, ka për qëllim të zbulojë se sa i rëndësishëm është misioni i Policisë.

Ajo theksoi se ne duhet t’i falënderojmë ata për punën dhe përkushtimin e tyre, për të na mbrojtur në të gjitha rastet, madje edhe në rastet e pakujdesive tona rastësore.

Autorja e librit "Duke ndjekur fluturat", Mihane Hoxha

“Po e provoja veten për herë të parë në zhanrin e prozës letrare dhe atë të prozës së shkruar letrare duke pasur në mendje gjatë gjithë kohës që me fjalë të shkurtra, fjali pas fjalie të rrëfeja një ngjarje jetësore të pashkëputur. Po e provoja veten në romanin grafik për të cilin e kisha idenë që në fillim për të qenit atraktiv të një libri për fëmijë, por ta realizuar si të tillë më duhet të bëja një bashkëautor sepse pjesën e grafikës e ilustrimeve nuk e njihja dhe me këtë rast e dija se me kë të bashkëpunoja, ishte kolegu dhe miku im Ridvan Slivova. Ai ka punuan me frymëzim, devocion e mjeshtëri për t’i dhënë këtij libri emocionin e ngjyrave, vijave e karaktereve sa që i ka dhënë librit pamje unike për t’u mbajtur mend me imazhet e tij”, tha Hoxha.

Libri, përpos pjesës narrative, ka në përmbajtje edhe ilustrime të ndryshme.

“Duke ndjekur fluturat”, vjen për lexuesit në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS