Liberalizimi i vizave për kosovarët s’vlen në Spanjë (VIDEO) NULL NULL nga Arbëresha Fazliu 21.04.2023 20:27 nga Arbëresha Fazliu 21.04.2023 20:27 Qytetarët e Republikës së Kosovës edhe pas 1 janarit 2024, duhet të pajisen me viza për të udhëtuar në Spanjë, meqë ky shtet edhe më tutje nuk i njeh dokumentet e Kosovës. Ndonëse si shtet nuk kundërshtoi liberalizimin e vizave për kosovarët, përsëri s’i lejon të hynë në Spanjë pa të. Këtë e tha të premten zëdhënësi i komisionit evropian, Christian Wigand. “Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave do t’u mundësojë mbajtësve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë lirisht në të gjitha vendet, përveç në një vend të Shengenit…. Kështu që ju mund të imagjinoni se çfarë mund të ndodhë nëse arrini në aeroportin spanjoll”, deklaroi ai në interesimin e gazetarëve. Sipas, Wigand i mbetet vetë autoriteteve spanjolle të vendosin se kur ose nëse do të njohin dokumentet e shtetit të Kosovës, meqë kjo nuk është në juridiksionin e komisionit evropian për të vendosë një gjë të tillë. Në të gjithë zonën Shengen vetëm Spanja nuk i ka njohur dokumentet e Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj jave, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit. Po ashtu, një ditë pas miratimit në PE, u nënshkrua edhe akti ligjor, me të cilin Kosova hyn në listën e shteteve, të cilave nuk iu nevojitet viza hyrëse për në Shengen.