Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LBK: Vendimi i Gjykatës, hap i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të ekonomisë vendore

NULL NULL
24.06.2025 12:10
Bizneset bllokojnë rrugët në Prishtinë, 29 maj, 2025. Foto: Klankosova.tv

Gjykata Komerciale në Prishtinë ka marrë vendim sot që të pezullojë pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Ky vendim, për Lidhjen e Bizneseve të Kosovës (LBK) është shumë i rëndësishëm drejt mbrojtjes së interesave të ekonomisë vendore.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës tani kërkon zyrtarisht nga ZRrE që të pezullojë plotësisht vendimin për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë, si dhe të ndalojë çdo veprim të mëtejshëm që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e tyre”.

“LBK e konsideron këtë një hap të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për mbrojtjen e interesave të ekonomisë vendore, sidomos në këtë periudhë të vështirë për sektorin privat, ku është evidentuar rënie e eksportit dhe sfida të mëdha për prodhuesit vendorë”, tha LBK në njoftimin për media.

Në të njëjtën kohë, LBK shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me gjitha institucionet dhe ZRrE-në, “me qëllim që të hartohet një fazë tranzitore e drejtë, e planifikuar mirë dhe e zbatueshme, që i shërben një kalimi të qëndrueshëm dhe të drejtë në tregun e lirë”.

LBK rithekson se nuk është kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet me një plan të qartë, me kohë të mjaftueshme për përgatitje, duke garantuar stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve, në kuadër të LBK-së, kemi ngritur në vazhdimësi shqetësimet për ndikimin negativ të këtij vendimi dhe ka kërkuar shfuqizimin e tij, duke e konsideruar të nxituar dhe të dëmshëm për prodhuesit vendorë dhe bizneset”, u tha në komunikatën e LBK-së. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.