Lajmet e fundit

Kandidatja e AAK-së, për kryetare të Fushë Kosovës, Vildane Latifi, ka prezantuar programin qeverisës në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ku theksoi se tre shtyllat kryesore të fushatës së tyre janë shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.
“Ne si Aleancë i kemi nxjerrë tri prioritete kryesore që do të trajtojmë gjatë qeverisjes sonë, që kanë të bëjnë me shëndetësinë, arsimimin dhe infrastrukturën. Këto probleme e prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, të cilët janë lodhur me dështimet e deritanishme”, tha Latifi.
Ajo shtoi se plani i saj, përfshin edhe zhvillimin e kulturës, sportit, ekonomisë dhe bujqësisë, duke theksuar se këto fusha “asnjëherë nuk kanë funksionuar si duhet”, transmeton Klankosova.tv.
Latifi u ndal veçanërisht te gjendja në arsim, duke përmendur mungesën e shkollave dhe kushtet e vështira në të cilat siç tha ajo, zhvillohet procesi mësimor.
“Në arsim kemi telashe të mëdha me mungesë të shkollave. Shumica punojnë me 2-3 ndërrime dhe secila klasë ka pothuajse 40 nxënës”, deklaroi Latifi.
Një tjetër problem që Latifi tha se e ka përjetuar edhe vetë si qytetare, është mungesa e çerdheve publike.
“Në krejt qytetin e Fushë Kosovës kemi pasur vetëm një. Para disa ditësh është bërë edhe një tjetër për rreth 60 fëmijë, por është e pamundur të mbulohet i gjithë qyteti”, shtoi ajo./Klankosova.tv
Ndiqni diskutimin e plotë, në videon e mëposhtme: