16:54, 11 Shtator 2019

Irani iu ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që “të lënë anash nxitësit e luftës”, pas largimit të John Boltonit nga pozita e Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare dhe në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Teheranit, për shkak të çështjeve bërthamore.

Duke folur në një takim të kabinetit të tij më 11 shtator, presidenti iranian, Hasan Rohani ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë se “armiqësia dhe nxitja e luftës nuk janë në të mirën e tyre. Të dyja duhet të braktisen”.

“Etja për luftë me presion maksimal duhet të largohet bashkë me nxitësin e luftës në detyrë”, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Mohammed Javad Zarif.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë përkeqësuar marrëdhëniet prej majit të vitit 2018 kur presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Më vonë, SHBA-ja ka rikthyer të gjitha sanksionet ndaj këtij shteti.

Në përgjigjje të këtij veprimi, Irani ka hequr dorë nga disa pika të marrëveshjes, meqë ka nisur pasurimin e uraniumit në muajt e fundit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar më 10 shtator se ka shkarkuar nga pozita Boltonin, i cili ka shërbyer në këtë pozitë nga prilli i vitit 2018, duke thënë se kanë “ekzistuar mospajtime të thella” në shumë çështje, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Konkurs Pune

Lexo më shumë