Lajçak takohet me udhëheqësit e partive opozitare (VIDEO)

Lajçak takohet me udhëheqësit e partive opozitare (VIDEO)

NULL NULL
nga Besnik Tahiri 4 weeks më parë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në mesin e takimeve që i kishte në ditën e dytë të vizitës, ai takoi ndaras edhe kryetarët e tri partive opozitare.

Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhiku e LDK-së dhe Ramush Haradinaj e AAK-së.

“U kërkova mbështetje partive opozitare për procesin e dialogut sepse arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse është mirë për Kosovën. Partitë që sot janë në opozitë, janë parti që e kanë përvojën e tyre në dialog. Në këtë proces ata janë të përgjegjshëm dhe kanë kuptim. Më vjen mirë që dëgjova nga ana e tyre se ata e kuptojnë sa i rëndësishëm është ky proces në të mirën e Kosovës dhe se ata do të jenë konstruktiv në çështjen e dialogut”, tha Lajçak pas takimit që e kishte me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurse, Haradinaj theksoi se Aleanca do të luajë rol konstruktiv karshi bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Çështjet e një rëndësie kaq të madhe në Ballkan e kërkojnë rolin direkt të Amerikës. Është tepër me rëndësi roli i presidentit Biden (Joe Biden) dhe një të ngarkuari të posaçëm të tij në mënyrë që një marrëveshje e tillë jo vetëm që të jetë e suksesshme dhe e zbatueshme, por që të ketë përkrahjen e gjitha aleteve tonë”, tha Haradinaj.

Madje ish-kryeministri thotë se marrëveshja finale me Beogradin zhbllokon shumë çështje që kanë mbetur pezull si “rasti i liberalizimit të vizave, statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE të Kosovës dhe perspektivën evropiane të Kosovë, por po ashtu kjo marrëveshje e përshpejton zhvillimin ekonomik dhe atë që është shumë me rëndësi anëtarësimin në NATO”.

Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se i shpalosi mysafirit qasjen e PDK-së në raport me dialogun që duhet të përfundojë me njohje e pa cenuar asnjë element të shtetësisë së Kosovës.

“Fokusi duhet të jetë te çështjet e mëdha dhe nuk duhet askush të tentoj me çështje më sporadike të ik nga obligimet e mëdha që kanë. UÇK-ja nuk ka pasur arkiva dhe ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo tjetër në një formë apo tjetër me qëllim apo qëllim thotë diçka të pavërtetë dhe shkakton konfuzione dhe që mund të jenë në favor të konspiracioneve dhe imagjinatës” shtoi ai.

Ndërkohë, pas takimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku me emisarin evropian, LDK lëshoi një njoftim ku thuhet se ky subjekt politik ka ritheksuar qëndrimin e tij.

“Dialogu të përfundojë me marrëveshje përfundimtare e cila do të qojë në njohjen e ndërsjelltë të të dy vendeve, duke respektuar kufijtë aktual dhe rregullin kushtetues, si dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Takimin e parë gjatë se enjtes Lajçak e pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.