13:21, 12 Janar 2019

Mesazhi i Atit të Shenjtë Papa Françeskut për kremtimin e Ditës së 52-të Botërore të Paqes, 1 janar 2019.

  1. “Paqja me këtë shtëpi!”

Duke i dërguar në mision nxënësit e tij, Jezusi u thotë atyre: «Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju» (Lk 10, 5-6).

Dhënia e paqes është në zemër të misionit të nxënësve të Krishtit. Dhe dhënia u drejtohet të gjithë atyre burrave dhe grave, që shpresojnë te paqja në mes të dramave dhe dhunave të historisë njerëzore.[1] “Shtëpia” për të cilën flet Jezusi është çdo familje, çdo bashkësi, çdo Vend, çdo kontinent, në veçorinë dhe e në historinë e tyre; është para së gjithash çdo person, pa dallime e pa diskriminime. Është edhe “shtëpia jonë e përbashkët”: planeti në të cilin Hyji na ka vënë për të banuar e për të cilin jemi të thirrur të kujdesemi me zell.

Le të jetë ky, pra, edhe urimi im për këtë fillimvit: “Paqja me këtë shtëpi!”.

  1. Sfida e politikës së mirë

Paqja është e ngjashme me shpresën, për të cilën flet poeti Charles Péguy;[2] është si një lule e brishtë që përpiqet të çelë mes gurëve të dhunës. E dimë se kërkimi i pushtetit me çdo kusht çon në shpërdorim dhe padrejtësi. Politika është një mjet themelor për të ndërtuar qytetarinë dhe veprat e njeriut, por kur, nga ata që e ushtrojnë, nuk përjetohet si shërbim për shoqërinë njerëzore, mund të bëhet vegël shtypjeje, mënjanimi dhe madje edhe shkatërrimi.

«Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve» (Mk 9, 35). Siç theksonte Papa Shën Pali VI: «Marrja seriozisht e politikës në nivelet e saj të ndryshme – lokale, rajonale, kombëtare dhe botërore – pohon detyrën e njeriut, e çdo njeriu, për të njohur realitetin konkret dhe vlerën e lirisë së zgjedhjes që i është dhënë që me qëllim të realizojmë së bashku të mirën e qytetit, të kombit, të njerëzimit».[3]

Në fakt, funksioni dhe përgjegjësia politike përbëjnë një sfidë të përhershme për të gjithë ata që marrin mandatin për t’i shërbyer Vendit të vet, për t’i mbrojtur ata që banojnë aty e për të punuar që të krijohen kushtet për një të ardhme të denjë dhe të drejtë. Nëse realizohet në respektimin themelor të jetës, të lirisë dhe të dinjitetit të personave, politika mund të bëhet me të vërtetë një formë e lartë e dashurisë së krishterë.

  1. Dashuria e krishterë dhe virtytet njerëzore për një politikë në shërbim të të drejtave njerëzore dhe të paqes

Papa Benedikti XVI na kujtonte se «çdo i krishterë është i thirrur për këtë dashuri të krishterë, në mënyrën e thirrjes së tij e sipas mundësive të tij të ndikimit në polis. […] Kur dashuria e krishterë e gjallëron, angazhimi për të mirën e përbashkët ka një valencë më të madhe sesa ajo e angazhimit vetëm shekullar dhe politik. […] Veprimi i njeriut mbi tokë, kur frymëzohet dhe mbështetet nga dashuria e krishterë, kontribuon në ndërtimin e atij qyteti të gjithëmbarshëm të Hyjit drejt të cilit ecën historia e familjes njerëzore».[4] Është një program në të cilin mund të gjenden të gjithë politikanët, nga cilado shtresë kulturore apo fetare, që, së bashku, dëshirojnë të veprojnë për të mirën e familjes njerëzore, duke praktikuar ato virtyte njerëzore prej të cilave varet sjellja e mirë politike: drejtësinë, barazinë, respektin e ndërsjellë, sinqeritetin, ndershmërinë, besnikërinë.

Në lidhje me këtë meritojnë të kujtohen “lumnitë e politikanit”, të propozuara nga Kardinali vietnamez François–Xavier Nguy Vã Thuân, vdekur në vitin 2002, i cili ka qenë një dëshmitar besnik i Ungjillit:

Lum politikani që ka një vetëdije të lartë dhe një ndërgjegje të thellë për rolin e tij!

Lum politikani personi i të cilit pasqyron besueshmëri!

Lum politikani që punon për të mirën e përbashkët dhe jo për interesin e vet!

Lum politikani që qëndron besnikërisht koherent!

Lum politikani që realizon njësinë!

Lum politikani që është i angazhuar në realizimin e një ndryshimi rrënjësor!

Lum politikani që di të dëgjojë!

Lum politikani që nuk ka frikë![5]

Çdo ripërtëritje e aktiviteteve zgjedhore, çdo skadencë zgjedhore, çdo etapë e jetës publike përbën një rast për t’u kthyer tek burimi dhe referimet që frymëzojnë drejtësinë dhe të drejtën. Jemi të sigurt: politika e mirë është në shërbim të paqes; ajo respekton dhe nxit të drejtat themelore njerëzore dhe, që janë detyra të ndërsjella, me qëllim që mes brezave të sotëm dhe të atyre që do të vijnë të endet një lidhje besimi e mirënjohjeje.

  1. Veset e politikës

Përkrah virtyteve, për fat të keq, edhe në politikë nuk mungojnë veset, që vijnë qoftë nga paaftësia personale, qoftë nga shtrembërimet në mjedis dhe në institucione. Të gjithë e kanë të qartë se veset e jetës politike u heqin besueshmërinë sistemeve brenda të cilave ajo zhvillohet, ashtu sikurse edhe autoritetin moral, vendimeve dhe veprimit të personave të angazhuar.

Këto vese, që dobësojnë idealin e një demokracie autentike, janë turpi i jetës publike dhe vënë në rrezik paqen sociale: korrupsioni – në format e tij të shumta të përvetësimit të padrejtë të të mirave publike dhe të instrumentalizimit të personave –, mohimi i të drejtës, mosrespektimi i rregullave të përbashkëta, pasurimi i paligjshëm, justifikimi i pushtetit nëpërmjet forcës apo me pretendimin arbitrar për  “arsye shtetërore”, prirja për të qëndruar gjithmonë në pushtet, ksenofobia dhe racizmi, refuzimi për t’u kujdesur për Tokën, shfrytëzimi i pakufizuar i pasurive natyrore për arsye të përfitimit të menjëhershëm, përçmimi i atyre që janë  të detyruar të mërgojnë.

  1. Politika e mirë promovon pjesëmarrjen e të rinjve dhe besimin në tjetrin

Kur ushtrimi i pushtetit politik synon vetëm mbrojtjen e interesave të disa individëve të privilegjuar, e ardhmja kompromentohet dhe të rinjtë mund të tundohen të jenë mosbesues, sepse janë të mënjanuar nga shoqëria, pa pasur mundësinë për të marrë pjesë në një projekt për të ardhmen. Ndërsa, kur politika përkthehet, në mënyrë konkrete, në inkurajimin e të rinjve të talentuar dhe të thirrjeve që kërkojnë të realizohen, paqja shfaqet në ndërgjegje e në fytyra. Bëhet një besim dinamik, që do të thotë “unë kam besim te ti dhe besoj me ty” në mundësinë për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët. Politika është për paqen nëse  shprehet, pra, në pranimin e karizmave dhe të aftësive të çdo personi. «Ku ka më bukur sesa një dorë e shtrirë? Atë e ka shtrirë Hyji për të dhuruar e për të marrë. Hyji nuk ka dashur që kjo dorë të vrasë (khs. Zan 4, 1 vazhdim) apo të shkaktojë vuajtje, por të ketë kujdes dhe të ndihmojë për të jetuar. Përkrah zemrës dhe zgjuarsisë, dora mund të bëhet, edhe ajo, një vegël dialogu».[6]

Secili mund të sjellë gurin e vet për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët. Jeta autentike politike, që themelohet mbi të drejtën e mbi një dialog të drejtë mes subjekteve, ripërtërihet me bindjen se çdo grua, çdo burrë e çdo brez përmbajnë në vete një premtim që mund të lëshojë energji të reja relacionale, intelektuale, kulturore dhe shpirtërore. Një besim i tillë nuk është kurrë i lehtë për t’u jetuar sepse marrëdhëniet njerëzore janë komplekse. Në mënyrë të veçantë, sot jetojmë në një klimë mosbesimi, që i ka rrënjët në frikën për tjetrin e për të huajin, me ankthin se po humbasim avantazhet personale, gjë kjo për fat të keq, shfaqet edhe në nivel politik, nëpërmjet qëndrimeve të mbylljes apo nacionalizmave që vënë në diskutim atë vëllazëri për të cilën bota jonë e globalizuar ka kaq shumë nevojë. Sot, më shumë se asnjëherë, shoqëritë tona kanë nevojë për “artizanë të paqes”, që të jenë lajmëtarë dhe dëshmitarë autentikë të Hyjit Atë, që do të mirën dhe lumturinë e familjes njerëzore.

  1. Jo luftës dhe strategjisë së frikës

Njëqind vite pas fundit të Luftës së Parë Botërore, ndërsa kujtojmë të rinjtë që kanë rënë gjatë atyre luftimeve dhe popullsitë civile të sakatuara, sot më shumë sesa dje, njohim mësimin e tmerrshëm të luftërave vëllavrasëse, domethënë, se paqja nuk mund të arrihet vetëm me ekuilibrin e forcave dhe të frikës. Ta mbash tjetrin nën kërcënim do të thotë ta kthesh atë në objekt dhe t’ia mohosh dinjitetin. Është arsyeja për të cilën ripohojmë se escalation me fjalë kërcënuese, ashtu sikurse shumimi i pakontrolluar i armëve janë kundër moralit dhe kërkimit të një harmonie të vërtetë. Terrori i ushtruar mbi personat më të dobët nxit mërgimin e popullsive të tëra në kërkim të një toke në paqe. Nuk mund të pranohen fjalimet e politikanëve që priren të akuzojnë emigrantët për të gjitha të këqijat dhe t’ua heqin shpresën të varfërve. Përkundrazi, duhet theksuar se paqja bazohet mbi respektimin e çdo personi, cilado qoftë historia e tij, mbi respektimin e së drejtës dhe të së mirës së përbashkët, të krijimit që na është besuar dhe të pasurisë morale që na është përçuar nga brezat e kaluar.

Përveç kësaj, mendimi ynë shkon, në mënyrë të veçantë tek fëmijët që jetojnë në zonat ku ka konfliktet, dhe tek të gjithë ata që angazhohen që jetët dhe të drejtat e tyre të mbrohen. Në botë, një fëmijë në gjashtë është i goditur nga dhuna e luftës apo nga rrjedhojat e saj, kur nuk është i rekrutuar për t’u bërë ai vetë ushtar apo peng i grupeve të armatosura. Dëshmia e atyre që përpiqen ta mbrojnë dinjitetin dhe respektimin e fëmijëve është shumë e çmueshme për të ardhmen e njerëzimit.

  1. Një projekt i madh paqeje

Para pak kohësh kemi kremtuar 70-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, hartuar menjëherë pas Luftës e II Botërore. Le të kujtojmë, lidhur me këtë, fjalimin  e Papa Shën Gjonit XXIII: «Kur te qeniet njerëzore kuptohet vetëdija  për të drejtat e veta, në atë vetëdije nuk mund të mos lindën këshilla e detyra përkatëse: te subjektet që i gëzojnë këto të drejta, lind detyra që të kërkojnë respektimin e këtyre të drejtave si kërkesë dhe shprehje e dinjitetit të tyre; dhe në të gjitha qeniet e tjera njerëzore, për detyrën për të njohur të njëjtat të drejta lind detyra për të njohur këto të drejta dhe për t’i respektuar ».[7]

Paqja, në fakt, është fryt i një projekti të madh politik që themelohet mbi përgjegjësinë e ndërsjellë dhe mbi ndërvarësinë e qenieve njerëzore. Por është edhe një sfidë që kërkon të pranohet ditë pas dite. Paqja është një kthim i zemrës dhe i shpirtit, dhe është e lehtë të njihen tri përmasat e pandashme të kësaj paqeje të brendshme dhe të bashkësisë:

– paqja me vetveten, duke refuzuar rreptësinë, zemërimin,  padurimin dhe, siç këshillonte Shën Françesku i Salesit, duke ushtruar “pak ëmbëlsi ndaj vetvetes”, për t’u dhënë “pak ëmbëlsi të tjerëve”;

– paqja me tjetrin: familjarin, mikun, të huajin, të varfrin, të vuajturin…; duke marrë guxim për ta takuar dhe duke dëgjuar mesazhin që mbart me vete.

– paqja me krijimin, duke rizbuluar madhështinë e dhuratës së Hyjit dhe pjesën e përgjegjësisë që i takon secilit prej nesh, si banor i tokës, qytetar dhe aktor i të ardhmes.

Politika e paqes, që mjaft mirë i njeh brishtësitë njerëzore dhe i merr përsipër, mund të marrë vazhdimisht nga shpirti i Magnificat që Maria, Nëna e Krishtit Shpëtimtar dhe Mbretëreshë e Paqes, këndon në emër të të gjithë njerëzve: « Mëshira e tij brezni më brezni për ata që e druajnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit. […] Duke e sjellë në mend mëshirën ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑ në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim» (Lk 1, 50-55).

Nga Vatikani, më 8 dhjetor 2018.

Françesku

———————–

[1]. Khs. Lk 2, 14: «Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!».

[2]. Khs. Le Porche du mystère de la deuxième vertu, Paris 1986.

[3]. Letra apostolike Octogesima adveniens (14 maj 1971), 46.

[4]. Enciklika Caritas in veritate (29 qershor 2009), 7.

[5]. Khs. Fjalim në ekspozitën˗kuvendin “Civitas” të Padovës: “30giorni”, n. 5 i vitit 2002.

[6]. Benedikti XVI, Fjalim i drejtuar Autoriteteve të Benin˗it,

Cotonou, 19 nëntor 2011.

[7]. Enciklika Pacem in terris (11 prill 1963), 24.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë