Lajmet e fundit

Kryeredaktori në Klan Kosovës, Kosovë Gjoci, juristja Anita Shabani dhe opinionisti Zejnullah Jakupi kanë komentuar zhvillimet e fundit politike dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Duke folur në emisionin “Kosova Today”, Gjoci tha se Gjykata Kushtetuese, sipas tij, ka tentuar të gjejë një mes në rrethanat e krijuara pas 16 shtatorit dhe në mes të krizës politike, transmeton Klankosova.tv.
“Unë mendoj që Gjykata Kushtetuese këtë herë ka tentuar dhe deri në një farë mase ka arrit me gjetë një farë mesi, marrë parasysh në situatën që jemi. Mendoj që Gjykata Kushtetuese nuk ka vepruar keq, përtej faktit që ne mund ta diskutojmë gjithë ditën”, tha Gjoci.
Ai shtoi se, duke marrë parasysh situatën pas 16 shtatorit, krizën politike dhe debatet rreth datës së zgjedhjeve, vendimi i Kushtetueses përbën një veprim të veçantë në rrethanat aktuale.
“Duke pasur parasysh edhe krizën politike, duke pasur parasysh edhe këtë konfliktin politik sa i përket datës së zgjedhjeve, që mendoj që ka qenë një ndër arsyet kryesore që janë bërë gjithë këto lëvizjet e të gjitha partive, mendoj që Kushtetuesja e ka bërë një veprim goxha interesant”, u shpreh ai.
Ndërkaq, Shabani tha se qartësimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet kryesisht me çështjen e datës së zgjedhjeve dhe afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
“Qartësimin që e ka bërë Gjykata Kushtetuese, është kryesisht për çështjen që diskutohej këtë kohë, çështja e datës së zgjedhjeve, gjë që do të thotë se ka dhënë një afat kushtetues lidhur me zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Shabani.
Ajo theksoi se, sa i përket mbledhjes së Kuvendit, nuk kishte një masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese që do ta pengonte atë.
“Sa i përket mbledhjes së Kuvendit, Kuvendi nuk ka pasur asnjë arsye të mos mblidhet, nuk ka pasur asnjë masë të përkohshme të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese. Nuk ka pasur obligim ligjor, masë pezulluese”, tha Shabani.
Në anën tjetër, opinionisti Zejnullah Jakupi foli për nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Qëndrimi dhe iniciativa e PDK-së për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, besoj që vijnë shumë vonë”, tha Jakupi në Klan Kosova.