Kurti tregon gjashtë kushtet për ta pranuar Asociacionin NULL NULL 02.02.2023 11:29 02.02.2023 11:29 Kryeministri Albin Kurti ka treguar në Kuvend gjashtë kushte me të cilat do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Pikat që i tha Kurti janë si vijon: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5). Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013. Kurti tha se në të gjitha takimet e deritanishme ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimin final rreth propozimit franko-gjerman. “Këtë propozim e shohim si bazë të mirë për më tutje dhe jemi të interesuar që të nënshkruhet nga palët dhe të finalizohet. Kërkojmë nga Borrelli që sa më parë të na ftojë në takime të rregullta e të shpeshta”, tha Kurti në foltoren e Kuvendit. Ai tha se pika e 10-të e propozimit për marrëveshje bazë, i dedikohet zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, dhe në kuadër të këtij neni, do të trajtohen të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe ajo e 19 prillit 2013, Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, njofton Klankosova.tv. “Çfarëdo tentative që nenet të bëhen parakushte për ecje përpara, janë sa më të pakuptimta aq edhe joproduktive. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje në qendër, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat, por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si vlerë shoqërore”, u shpreh kryeministri. /Klankosova.tv