Kurti: S’jemi qeveri anti-serbe, madje kemi ministër nga Lista Serbe

Kurti: S’jemi qeveri anti-serbe, madje kemi ministër nga Lista Serbe

NULL NULL
2 weeks më parë

Kryeministri Albin Kurti ka bërë disa sqarime pas fjalimeve që dha opozita në Kuvend rreth çështjes së mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Ai tha se Qeveria e Kosovës s’është anti-serbe dhe as nuk punon kundër interesave të serbëve në Kosovë, madje, sipas tij, e bën të kundërtën, njofton Klan Kosova.

“Ne kemi një ministër nga komuniteti serb, madje është i Listës Serbe, madje është kryetar i Listës Serbe. Kemi zëvendësministra e këshilltarë. Në anën tjetër, luftimi i krimit dhe korrupsionit s’njeh etni dhe policët kur e luftojnë nuk zbatojnë urdhra të qeverisë, por të prokurorisë, institucion i shtetit që vepron në përputhje me ligjin dhe zbatim të ligjit”.

Kurti tha se luftimi i krimit s’bëhet duke pasë parasysh etnitë e atyre që dyshohet. Nga praktika e vitit të kaluar, në këto grupet e krimit e të korrupsionit nuk gjen vetëm një etni, por disa, e së paku dy prej tyre.

“Asnjëherë, s’kemi pasë as qasje e intencë, por as mendim as antiserb. Është Serbia ajo që është kundër Kosovës dhe përpjekjeve tona për progres ekonomik dhe agjendës euroatlantike”.

Ndërkaq, për arsyen e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për të votuar rezolutën kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, Kurti tha se është një temë për të cilën duhet diskutuar pashmangshëm institucioni më i lartë në vend.

“S’ka shtëpi a lagje që nuk diskutohet kjo temë e është gabim të mos diskutohet në Kuvendin e Republikës. S’është vetëm një organ normativ e ligjvënës, por edhe përfaqësues aktual që merret me çështje aktuale. Prandaj, edhe diskutimet duhet të jenë aktuale meqë sesioni pranveror ende s’ka nisur, andaj është seancë e jashtëzakonshme. Për këtë arsye është thirrur seanca dhe s’ka kurrfarë synimi apo qëllimi tjetër”.