Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kurti pas telefonatës me zyrtarin amerikan: Të ndalet dhuna deri në zgjedhjet e reja në veri

NULL NULL
01.06.2023 22:31
dhuna e serbeve kfor zvecan reuters
Dhuna e serbëve lokalë dhe atyre të Serbisë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, 29 maj, 2023. Foto: Reuters

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në orët e pasdites së sotme një bisedë telefonike me Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer.

Në Twitter, Kurti tha se i ka thënë Finerit se dhuna në veri duhet të ndalet “deri në zgjedhjet e reja”.

“E falënderova për telefonatën dhe shpreha angazhimin tim për të punuar me ShBA-në për të ulur tensionet. Kjo kërkon një përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër oficerëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, ka shkruar Kurti në Twitter, raporton Klankosova.tv.

E për bisedën e njëjtë njoftoi edhe Zyra për Media e Kryeministrisë. Mirëpo çuditërisht, çështja e zgjedhjeve të reja në komunat veriore në këtë njoftim nuk përmendet fare.

“Kryeministri e falënderoi për telefonatën dhe tha se është i angazhuar të punojë së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partner e aleat strategjik i Kosovës në çlirimin e zhvillim e Kosovës për de-eskalimin e situatës në veri të vendit”.

“Kryeministri theksoi se është e rëndësishme që krimi të dënohet dhe ndëshkohet dhe krahas dënimit të sulmeve mbi ushtarët e KFOR-it, duhet të dënohet edhe sulmi mbi Policinë e Kosovës dhe mediat”.

“Ai tha që është me rëndësi, që turmat e dhunshme e grupet kriminale të dirigjuara e kontrolluara nga Serbia, të largohen nga afërsia e objekteve komunale dhe që dhuna të ndalet, në mënyrë që situata të qetësohet. Objektet e Komunave janë pronë e republikës dhe ato nuk mund të merren me dhunë. Kujtoi që kemi pasur një proces zgjedhor e demokratik të pranuar nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë 5 vendet e QUINT-it”, u tha në njoftimin e kryeministrisë.​

Kujtojmë se sot, presidentja Osmani ka zhvilluar takime me presidentin Macron dhe kancelarin Scholz, ndërsa më pas një takim edhe me presidentin e Serbisë, Vuçiq në Moldavi.

Në këtë takim i pranishëm ka qenë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili përmes një cicërime, tha se i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës.

“Zgjedhje të reja lokale tani; Sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje; Fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe përbrenda Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Dështimi për t’i bërë këto, do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet tona”, tha Borrelli.

Kërkesën për zgjedhje të reja e ka paraqitur edhe Macroni në një konferencë për media pas takimeve me Osmanin e Vuçiqin. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.