Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një propozim të ri lidhur me miratimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Në një konferencë për media, Kurti i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të deklarohet publikisht se i gjithë Grupi Parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për Presidentin.
Kurti ka thënë se, nëse Hamza jep këtë zotim, sipas tij, ata do ta votojnë menjëherë edhe leximin e dytë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“Propozimi ynë më i ri është ky: Meqë nuk po mund të arrijë ta takojë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të del sonte dhe të zotohet që i gjithë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës merr pjesë me votë në zgjedhjen për president dhe ne pas zotimit të tyre menjëherë po ua votojmë edhe leximin e dytë, nëse ata mendojnë që nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72 orësh ndërmjet dy leximeve”.
“Ne ua votojmë Projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht, e mandej sonte menjëherë votimi për President, Glauku ose Feridja. Pra, një seancë Kuvendi sonte me dy pika. Votimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhja e presidentit të ri të Republikës”, deklaroi ai.
Kurti ka përsëritur se pret një deklarim publik nga Bedri Hamza, lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve të kësaj partie në votimin për Presidentin.
"Pas kësaj çfarë thash unë, pres që kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, të cilin nuk po arrijë ta takojë, të dalë publikisht dhe të thotë që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, që të gjithë, votojnë sonte për President, Glauku ose Feridja, për, kundër ose abstenim, dhe pas një deklarimi të tillë të tij, ne e thërrasim seancën sonte me dy pika të rendit të ditës: Leximi i dytë i Projekligjit për Gjykatën Speciale dhe votimi për President të ri të Republikës", deklaroi Kurti./Klankosova.tv