Kurti: Me termat e ‘vllaznillëkut’ për arsim ka mundur të flitej në të kaluarën, por jo më (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kurti: Me termat e ‘vllaznillëkut’ për arsim ka mundur të flitej në të kaluarën, por jo më (VIDEO)

NULL NULL
22/09/2022

16:45 – Shabani (PDK): Sivjet edhe dimri ka filluar më herët, si për inati të kësaj Qeverie

Deputeti nga radhët e PDK-së, Isak Shabani, ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj SBAShK-ut, duke thënë se nuk më fyese sesa të akuzohet prindërit se po i shfrytëzojnë fëmijët.

“A ka më fyese kur i thuhet se po i shfrytëzoni fëmijët, a e dimë se edhe vetë këta mësimdhënës janë prindër, apo më mirë të them dy herë prindër, sepse fëmijët tanë qëndrojnë një kohë të gjatë me ata mësimdhënës. A ka më fyese se kur bëhet gjithçka për të shkaktuar fyerje mes prindërve dhe mësimdhënësve apo fëmijëve dhe mësimdhënësve”, tha Shabani nga foltorja e Kuvendit, transmeton Klankosova.tv.

Tutje deputeti tha se stina e dimrit po fillon më herët, “si për inati të Qeverisë”, duke u bazuar në temperaturat e ulëta që kanë kapluar vendin ditëve të fundit.

“Dimri po afron, sivjet edhe dimri ka filluar më herët, si për inati të kësaj Qeverie. Siç duket edhe koha nuk po shkon në favor të kësaj qeverie”.

“Jeta është bërë shumë e vështirë, andaj duhet të kuptojmë edhe kërkesat e grevistëve, sepse me të vërtetë gjendja po rëndohet çdo ditë e më shumë”, përfundoi Shabani.


15:55  – Zemaj: Se di se sa është e moralshme të llogaritet me centa kostoja e jetesës së mësimdhënësve\

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj para deputetëve në kuvend ka folur për grevën në arsim.

Ai tha se ose SBAShK-u ose qeveria duhet të lëshojnë pe, që do gjendet një zgjidhje.

“Në kuptimin e organizimit sindikal, sot do t’i thosha sindikatës, ndërrone qasjen, kursin e organizimit të bojkotit, gjeni mënyra të tjera sepse qeveria, krejt Kosova, edhe ai 50 % qe e ka votu, po i thotë “keq e ke”, por siç duket nga inati i madh po thojnë “keq e kemi dhe nuk ndalemi”, tani në këtë mes, dikush duhet me të vërtetë të lëshojë pe”, tha ai.

Tutje, Zemaj u shpreh se nuk është e moralshme që të llogaritet me centa kostoja e jetesës së mësimdhënësve, përcjell Klankosova.tv.

“Nuk e di se sa është e moralshme që të llogaritet me centa kostoja e jetesës së mësimdhënësve, nuk e di sa është e moralshme të flitet herë për 50 euro, herë për 65 euro, shtomi 5 euro, shtoni 2 euro”, u shpreh tutje ai.

15:33 – Nagavci: Janë përmbushur më shumë se 90% e kërkesave, s’është përmbushur vetëm një

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci duke folur në kuvend për grevën në arsim , tha se janë përmbushur më shumë se 90% e kërkesave.

Ajo u shpreh se vetëm një kërkesë nuk është përmbushur, ajo e 50 eurove, përcjell Klankosova.tv.

“Janë përmbushur më shumë se 90% e kërkesave, nuk është përmbushur vetëm një, kjo kërkesa që po vazhdon me e thënë SBAShK-u “lëvizni edhe pak” për 50 euro, e për të cilën veçse u diskutua këtu se cila është arsyeja e refuzimit të vazhdimit në këtë linjë”, u shpreh ajo.

Tutje, ajo tha se vazhdimisht angazhohet për të respektuar të drejtën në arsim.

15:20 – Basha për SBAShK-un: E kanë vetëm me Kurtin, jo me arsimtarët

Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha para deputetëve në kuvend ka folur për grevën në arsim.

Ai ka thënë se kërkesa e SBAShK-ut është e pasinqertë dhe sipas tij kjo tregon se ata e kanë vetëm me Kurtin e jo me arsimtarët, përcjell Klankosova.tv.

“Unë mendoj që sindikata e ka të pasinqertë kërkesën dhe kjo po dëshmohet vazhdimisht. Ata e kanë pasur 66 euro, na u kemi dhënë 50 dhe investimet, për 16 euro në muaj 300 mijë fëmijë peng. 66 euro i është rritur shpenzimi një mësuesi, 50 i ka ofruar qeveria dhe të gjitha masat e tjera, edhe është e pasinqertë kërkesa që na lë të kuptojmë që e kanë vetëm me Albin Kurtin e aspak me arsimtarët, vetëm i kanë kapur peng fëmijët”, u shpreh ai.

15:09 – Greva në arsim, Tahiri: Një kryeministër të përgjegjshëm nuk do ta zinte gjumi

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për grevën në arsim, duke thënë se në një situatë të tillë, kryeministrin nuk do të duhej ta zinte gjumi.

Ai tha se nëse kjo situatë nuk po e preokupon kryeministrin Kurti, atëherë siç u shpreh Tahiri, Kurti ka një problem të madh.

“Një kryeministër të përgjegjshëm nuk do ta zinte gjumi, kur 1 muaj nuk shkojnë në shkollë 320 mijë nxënës. 1 ditë mos me i shku, duhet me qenë preokupim i madh për qeverinë, po 1 muaj mos me qenë preokupim aspak i madh, unë mendoj që kryeministri jonë vërtetë e ka një problem të madh dikund”, tha ai.

Tutje, Tahiri   u shpeh se kërkesat e SBAShK-ut janë kërkesat e 25 mijë mësimdhënësve, përcjell Klankosova.tv.

“Prandaj, kur t’i shihni kërkesat, kur e shihni SBAShK-un, nuk është thjeshtë SBAShK-u, janë 25 mijë mësimdhënës që janë prapa tyre, 25 mijë mësimdhënës të cilët po kërkojnë të kenë një pagë me të cilën arrinë të mbijetojnë”, u shpreh tutje ai.

14:45 – Krasniqi i drejtohet Kurtit me “njeri”: Se vëlla s’po ke qejf me të thënë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është drejtuar kryeministrit Kurti me “njeri”.

Ai u shpreh kështu, me arsyetimin se Kurti nuk po ka dëshirë që t’i drejtohet me “vëlla”, përcjell Klankosova.tv.

“Lëviz pak o njeri, se vëlla s’po ke qejf me të thënë, lëviz pak, bëji dy hapa, ofro diçka, jo vetëm si të thuash ti, sepse kjo është arrogancë, është diktat, ja si të them unë, ja hiç, nuk është normale kjo sjellje me njerëzit. Duhet me dal me fol me njerëz, me pa se a po rrahin shuplaka”, është shprehur Krasniqi.

14:35 – Krasniqi: S’është problemi vetëm në arsimin, krejt shteti është në rrezik për t’u bllokuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se nuk është probkemi vetëm në arsim, por ky problem sipas tij është shumë më i madh.

Ai është shprehur se i gjithë shteti është në rrezik për t’u bllokuar, përcjell Klankosova.tv.

“Nuk është problemi vetëm me arsimin, problem është më i madh.Sot e pamë që kishte një grevë njëorëshe edhe MPJ, ka pasur greva e paralajmërime për greva edhe në sektorin e shëndetësisë.Krejt shteti është më rrezik për t’u bllokuar”, u shpreh Krasniqi.

14:35 – Kurti: Me termat e ‘vllaznillëkut’ për arsim ka mundur të flitej në të kaluarën, por jo më

ryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar kritikën për kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jashari, pasi ky i fundit i tha “vëlla”.

Kurti tha se i ka dy vëllezër, e sipas tij, asnjëri prej tyre as në Qeverinë Kurti I e as në Qeverinë Kurti II s’kanë shkuar në ndërtesë të qeverisë, pasi sipas tij, vëllezërit janë për në shtëpi.

“Ka kaluar koha kur dikush bëhet kryeministër me vëllazëri. Unë natyrisht që irritohem kur dikush vjen në Zyrën e Kryeministër e të thotë vëlla”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se të flasësh për arsimin me termat e ‘vllaznillëkut’ midis kreut të SBAShKut dhe kryeministrit mund të kenë qenë në të kaluarën, por sipas tij s’është më dhe s’do të jetë deri sa ai të jetë kryeministër.

Kurti, më tej tha se ata [qeveria] i ndihmojnë familjes së mësimdhënësit, por sipas tij, mësimdhënësi duhet t’i ndihmojë shtetit me mësim në dërrasë të zezë.

“Nuk merret paga për shportën ushqimore, ajo përdoret për shportën ushqimore. Për shportën ushqimore ne e kemi Pakon e Përballjes me Inflacion”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

14:28 – Kurti: S’ka marrëveshje me terma privat në Zyrën e Kryeministrit, unë e mbroj zyrën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili u shpreh se Kurti ka arritur marrëveshje gojore me Vuçiqin për punë të targave.

Kurti tha se nuk ka marrëveshje private në Zyrën e Kryeministrit dhe u shpreh se po e mbron zyrën, përcjell Klankosova.tv.

“Zyra e Kryeministrit është institucion, nuk është private. Nuk ka marrëveshje me terma privat në Zyrën e Kryeministrit, pra unë e mbroj zyrën, e nuk ka aty “vlla” hajde të merremi vesh, nuk e pranoj atë, duhet të dalim prej asaj logjike, ndërkaq në Bruksel nuk ka pasur takime private, ato i përcakton, i organizon ndërmjetësi, Bashkimi Evropian”, u shpreh ai.

14:21 – Hoxhaj për Kurtin: Ka arritur marrëveshje gojore me Vuçiqin për punë të targave

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se kryeministri Kurti ka arritur marrëveshje gojore me Vuçiqin për punë të targave.

Ai u shpreh se Kurti me Vuçiqin arriti marrëveshje private, ndërkaq siç u shpreh ai me Rrahman Jasharajn nuk po sillet si kryeministër i tij, përcjell Klankosova.tv.

“Ky ka arritur një marrëveshje gojore, tipik feudale me Vuçiqin për punë të targave dhe për punë të kartave të identitetit. Nëse ky ka arritur marrëveshje pikërisht private me Vuçiqin dhe nuk e dimë si do të duket zbatimi i saj dhe ju si kuvend do ta shihni që do të ketë probleme serioze me zbatimin dhe kjo tregon që ky nuk po sillet me Rrahman Jasharajn si kryeministër i tij. Askush prej nesh nuk është mirë që ta bëjë muralin e dyfishtë  në këtë vend, sepse e dimë çka ndodh shumë mirë”, u shpreh ai.

14:23 – Kurti, PDK-së e AAK-së: S’e keni hallin me arsimin, por me mua

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka replikuar me deputetin e AAK-së, Pal Lekaj, dhe me atë të PDK-së, Ferat Shala, ku sipas tij, të dy treguan se nuk e kanë çështjen me arsimin, por me të si kryeministër.

“S’e kanë as me grevën, as me Rrahman Jasharin, por e kanë me mua. Por, në thelb të kësaj është një mosnjohje kronike e rezultatit të 14 shkurtit të vitit të kaluar. Duhet tejkaluar ajo. Populli ka votuar”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Ai tha se halli është me të, jo që s’po shkojnë nxënësit në shkolla, teksa shtoi se po adresohet gabimisht dhe greva po përdoret si armë ndaj tij.

“Unë besoj se sërish nuk është e rastësishme sepse më  5 qershor 2017 kur këto dy parti kur kanë qenë në PAN, bëhet memorandumi i bashkëpunimi midis PAN-it dhe SBAShK-ut. Dhe është i njëjti njëri në krye të SBAShK-ut dhe janë dy deputetë që dalin nga dy parti të PAN-it të cilët sot e tregojnë qartë se problem është kryeministri dhe greva është armë ndaj kryeministrit”.

Ai, gjithashtu i replikoi edhe deputetit të PDK-së, Enver Hoxhajt, teksa ky i fundit si shembull për grevë mori Finlandën.

“Më tej, deputeti Hoxhaj merr shembull Finlandën për grevë. Ka qenë ministër i Arsimit, është dashur ta marrë atëherë shembull Finlandën, s’kishim qenë sot këtu. Tash i është kujtuar Finlanda”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

14:10 – Kurti: BSPK-së i ofruam që pakon për inflacion ta prezantojmë bashkë, u refuzuam

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme ka sqaruar ofertat që i ka bërë gjatë takimit me kryetarin e BSPK-së dhe kryetarin e SBAShK-ut.

Ai tha se më 1 shtator, bashkë me ministrin e Financave e kanë takuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, ku sipas tij, i kanë ofruar që Pakon për Përballje me Inflacionin ta paralajmërojnë bashkë.

“Unë jam i interesuar që si socialdemokrat t’i forcojë sindikatat. I kam ofruar BSPK-së që paralajmërimin për pakon ta bëjmë bashkë ndonëse ajo pako është e favorshme për të gjithë popullin. Unë kam qenë i interesuar ta forcojë sindikatën dhe e kam bërë këtë ofertë që s’është pranuar”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Kurti tha se më 13 shtator bashkë me ministrin e Arsimit dhe atë të Financave u takuan me kryetarin e Këshillit Grevist, Rrahman Jasharajn, ku i kanë ofruar edhe tri gjëra shtesë, por sipas tij edhe ato u refuzuan.

“E para ishte që publikisht të dalim të paralajmërojmë që pasnesër, pra më 15 shtator, del për diskutim publik Projektligji për Paga, pra, thamë që të dalim ta paralajmërojmë bashkë sepse është një moment shumë i rëndësishëm kur Projektligji del prej zyrave të qeverisë e sjellet në popull. Askush s’e ka ditur këtë gjë. S’u pranua. Të nesërmen unë dalë me ministrin e Punëve të Brendshëm dhe e paralajmëroj këtë gjë”.

“E dyta, thamë 10 milionë euro shtesë për barërat esenciale. Them të drejtën edhe atmosfera në takim ishte e mirë. Edhe e treta, po e diskutojmë bashkë, reformën e skemës sociale e pensionale, me crast atë kategorizimin drastik me pragun prej 15 vjet po e bëjmë të diferencuar dhe po e zvogëlojmë me krejt cka mundemi pabarazinë që është bërë”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Kurti tha se në atë takim s’kanë mundur që t’i refuzojnë sepse sipas tij, dilnin absurd, teksa shtoi se i kanë thënë se “po e konsultojmë anëtarësinë”.

“Pasi që dalin nga takimi, dalin para mediave dhe thonë se greva vazhdon. S’kanë mundur ta konsultojnë anëtarësinë më shumë sesa një anëtar të vetëm me të cilin kanë mundur të flasin në telefon. S’është e mundshme fizikisht, sepse mediat kanë qenë jashtë”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

14:09 – Shala – Kurtit: Shumë je bërë zyrtar me sindikatat, e njohim zyrtaritetin tënd

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë që të jetë më pak zyrtarë me sindikatat.

Ai i bëri thirrje Kurtit që ta zgjidh problemin e arsimit, sepse siç u shpreh ai, Kurti ka bllokuar gjithçka, përcjell Klankosova.tv.

“Shumë mu ke bërë zyrtar me sindikatat, lëshohu pak në kaluarën tënde, kalo pak në aspektin njerëzor, lëre pak zyrtaritetin se ta njohim zyrtaritetin tënd, këtu jemi ne që sa vite, prandaj mos kështu, zgjidhje problemin e arsimit se nuk ke lënë tjetër njeri, ke bllokuar gjithçka”, u shpreh ai.

13:49 – Beqa: Kërkesa e mësimdhënësve e drejtë dhe legjitime

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka folur para deputetëve në veçanti për grevën në arsim.

Ai u shpreh se kërkesa e mësimdhënësve është e drejtë dhe legjitime, përcjell Klankosova.tv.

“Pozita bën thirrje të reflektojnë grevistët, opozita bën thirrje që të reflekton qeveria, nxënësitë rrinë në shtëpi, një pjesë i dërgojmë fëmijët në shkolla private dhe kjo me të vërtetë është shumë e pasinqërtë prej atyre që e kanë marrë përgjegjësinë t’i fajsojnë të tjerët. Mësimdhënësit e kanë një kërkesë shumë legjitime, e kanë një kërkesë të drejtë”, u shpreh ai.

13:07 – Lekaj për grevën në arsim: U bë mjaftë me kokëfortësi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj para deputëtëve në kuvend ka folur për grevën e të gjitha sindikatave në përgjithësi dhe të asaj në arsim në veçanti.

Ai u shpreh se barrën kryesore për gjetjen e një zgjidhje për ndërprerjen e grevës e ka qeveria.

Mendoj që nuk kemi kohë për të humbur, pasi janë duke pësuar nxënësitë që janë e ardhmja e Kosovës, duke pësuar janë edhe mësimdhënësit nga nevoja e tyre mbi kërkesat e parashtruara, duke pësuar janë prindërit të cilët duhet të mos punojnë për t’u përkujdësur për fëmijët, duke pësuar janë të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë për të kryer punët dhe shërbimet e tyre nëpër institucionet komunale dhe shtetëror. Mbi këto fakte nuk është e mirë që kryeministri i ofendojë grevistët duke u vënë në pikëpyetje sinqeritetin dhe motivet e kërkesës”,  u shpreh ai.

Deputeti Lekaj u shpreh se është koha që të bëhet një zgjidhje, përcjell Klankosova.tv.

“U bë mjaftë me kokëfortësi ku palët fajësojnë njëra-tjetrën dhe nuk ka zgjidhje, është koha që qeveria të bëjë zgjidhje. Prandaj, iu bëjë thirrje që të plotësoni kërkesat e sindikatave dhe shteti në kthehet në normalitet sa i përketë funksionimit të administratës shtetërore dhe vazhdimit të mbajtjes së mësimit në shkollat dhe çerdhet e Kosovës. E vetmja adresë që mund të bëjë zgjidhje është kryeministri i Kosovës dhe askush tjetër”, u shpreh tutje ai.

12:51 – Hoxhaj (PDK): Kurti s’ka nevojë ta luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka kritikuar qeverinë për gjendjen në arsim.

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme, ai i tha kryeministrit Albin Kurti, të mos e luajë rolin në raport me sindikatat, e as me opozitën, transmeton Klankosova.tv.

“Jemi në shtator dhe i kemi 22 ditë humbje të mësimit. S’po flas sot si deputet, jemi prindër që kemi nxënës në shkolla publike dhe dimë sesa e dëmshme është humbja e këtyre javëve të para të vitit shkollor”.

“Kryeministri Kurti ka thënë këtu në kuvend që arsimi është prioritet, fakti që nuk po ka vullnet që të kërkojë konsensus me sindikatën tregon goxha shumë ku jemi në shtatorin e vitit 2022. I bëj thirrje që të bisedoj me sindikatën dhe mësimdhënësit”, tha ai.

“Nuk e kemi ftuar këtë seancë për një grusht votash, por për faktin që është një gjendje alarmante dhe nuk dihet kur përfundon. E ftoj kryeministrin Kurti që s’ka nevojë ta luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat, as me opozitën, por ta kuptoj në thelb se si duket procesi demokratik. Nëse nuk dialogon me sindikatën, është politikë e nënshtrimit”, tha Hoxhaj, njofton Klankosova.tv.

12: 45 – Kuvendi mban një minutë heshtje për Fehmi e Xhevë Lladrovcin

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur 1 minutë heshtje për Fehmi e Xhevë Lladrovcin në 24 vjetorin e rënies, njofton Klankosova.tv.

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.

Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë. Në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.