11:54, 21 Nëntor 2019

Lëvizja Vetëvendosje po zhvillon dialogun shoqëror “Mbështetja dhe fuqizimi i organizimit sindikal” me përfaqësues të sindikatave në Kosovë.

Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, tha se roli dhe rëndësia e sindikatave duhet të rritet dhe se me fuqizimin e tyre mbrohen të drejtat e punëtorëve.

Kurti theksoi se paga minimale, pushimi dhe orari i punës duhet të jenë të garantuar.

“Vendimi për pagën minimale është shumë i rëndësishëm, i cili do të merret pas një analize të mirëfilltë që më pas të dihet edhe mundësia e implementimit të tij. Vendimi i vitit 2011 për pagën minimale ka qenë i padrejtë dhe diskriminues dhe vendimi që u propozua së fundmi nuk është i qartë. Ai duhet të mbrojë dinjitetin e punëtorit dhe mundësinë e punëdhënësit”.

“Paga minimale duhet të bëhet për sektor të ndryshëm dhe duhet të rritet varësisht nga zhvillimi ekonomik. Paga minimale duhet të bëhet në bazë të orëve të punës, e jo ditëve të punës”.

Sipas Kurtit është e nevojshme edhe rritja e inspektorëve të punës dhe krijimi i Gjykatës së Punës, që sipas tij do e mbështesin punëtorin.

“Me 60 inspektorë nuk mund të inspektohet ndërtimi në 38 komuna. Ky numër është i vogël edhe vetëm për Prishtinën”.

Ai u premtoi sindikatave se do te gjejnë mbështetje tek qeveria e ardhshme në krye me të.

“Tek qeveria jonë do të gjeni partnerin më të mirë nga tërë qeveritë tjera”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë