Kurti: Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin Kosovës - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kurti: Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin Kosovës

NULL NULL
03/07/2022

Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Olimpiadës së Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX.

“Ne duhet të synojmë të frymëzojmë qysh herët tek nxënësit ndërveprimin me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve edhe shkollave. Olimpiada që mbahet sot e jep një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha kryeministri.

“Kjo olimpiadë i kontribuon ndërtimit të urave të bashkëpunimit mbarëkombëtar në fushën e dijes dhe të shkencës”, shtoi ai.

Para nxënësve e nxënëseve garues në këtë garë, kryeministri tha se njohuritë në matematikë që fitohen gjatë shkollimit do të jenë një aset i rëndësishëm jetësor që do t’u hapin rrugë për studime dhe zhvillim profesional, pavarësisht fushës dhe profesionit që do ta zgjedhin.

Kryeministri theksoi se në arsim, si edhe në fushat tjera të qeverisjes, një nga parimet kryesore në të cilat mbështetet Qeveria është ai i gjithpërfshirjes. Në programin tonë qeverisës, jemi zotuar që të avancojmë barazinë në çdo aspekt, potencoi ai.

Duke theksuar se stereotipet diskriminuese gjinore vazhdojnë t’ua mohojnë vajzave dhe grave qasjen e barabartë për të bërë karrierë në shkencë, kryeministri tha se Qeveria do të vazhdojë të punojë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor.

“Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, në vitin aktual akademik, ne kemi ndarë 1365 bursa universitare për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM”, tha kryeministri.

Ai tha se strategjia e re e arsimit adreson nevojat për zhvillimin e sektorit të arsimit në 5 vitet e ardhshme. Strategjia parasheh intervenime rrënjësore për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, duke u bazuar në orientimet kyçe programore të qeverisë, e që janë: arsimi cilësor gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës; menaxhimi efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet; arsimi i lartë me cilësi dhe integritet, në harmoni me standardet ndërkombëtare; dhe përmirësimi i mjedisit për kërkime dhe inovacion.

Olimpiada e Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX,  është organizim i përbashkët i shoqatave të matematikanëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.