Kur teatri u çlirua nga ideologjia - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kur teatri u çlirua nga ideologjia

NULL NULL
08/08/2015

Pas viteve ’80, drama e parë që pati sukses në skenën e teatrit “Migjeni”, ishte “Çmurosja” e Serafin Fankut me regjisor vetë autorin. drama sjellë në skenë motivin e lashtë të gjakmarrjes, urrejtjes vetëshkatërrimit. Gjithçka e parë brenda caqeve të ndërgjegjes njerëzore ku autori kalon nga një gjendje në tjetrën…

Teatri shqiptar nisi të dilte nga skemat e soc-realizmit kohë para ndryshimit të sistemit në vitet ’90. Shenjat e një teatri të ri kanë nisur të shfaqen që pas viteve ’70, ku regjisori Kujtim Spahivogli me stilin e një njeriu që e njeh mirë teatrin, vendosi elemente që e zhvishnin dramën nga kornizat e kohës. Komedia “Banja” e Majakovskit kujtohet ende si një vepër e cila befasoi në lirshmërinë artistike. Spahivogli do të vazhdonte në këtë linjë dhe me dramat e Fadil Paçramit, për t’u larguar më pas nga teatri në vitin 1973, pas goditjes që Paçrami pati në plenumin e katërt të Partisë së Punës. Teatri modern, eksperimental, apo absurd si tërësi nuk pati mundësi të gjente shtratin e tij për shkak të situatës politike, por elemente të veçanta, përpjekje për të futur qoftë edhe pjesërisht trajtime regjisoriale të kësaj natyre ka pasur gjatë gjithë historisë së teatrit. Regjisori Spahivogli ndërmori një nismë për të krijuar një studio për të rinjtë me pjesë nga teatri modern, me trajtesa të reja dhe nga një tjetër shkollë. Por kjo iniciativë nuk e pati jetën e gjatë. Nga fundi i viteve ’80 u panë elemente të teatrit modern në disa shfaqje të regjisorit Kumbaro “Frikë dhe mjerim në Rajhun e Tretë” nga Berthol Breht (1987). Para këtyre viteve shenjat e elementeve të reja në teatër shoqëroheshin shpesh me ndëshkime ndaj autorëve të veprës. Por vitet ’90 do ishin vitet interesante për sa i përket hapjes së teatrit ndaj shkollave dhe rrymave të ndaluara. Më 1990, regjisori Gëzim Kame vendos në skenë dramën “Shkallët” ku mizanskenat prireshin të krijonin teatrin-debat. Ndërsa shfaqja “Kush e solli Doruntinën” me regji të Fatos Haxhirjat, elementet e folklorit u bënë funksionale në skenë në shërbim të imazhit artistik regjisorial. Drama “Kush e solli Doruntinën” ishte një eksperiment për të sjellë diçka të re. Në vitin 1989 u organizua Festivali i Teatrove Profesionistë. Në këtë festival u vu re prirja për të dalë nga kornizat tradicionale. Në shfaqje të tilla si “Sa shumë gjethe të thara atë vjeshtë” me regji të Spiro Dunit, “E bukur shtëpi e vjetër”, e teatrit “Bylis” u ndje një konceptim regjisorial bashkëkohor. Ndërsa drama “Natë me hënë” e Edmond Budinës, sipas novelës së Ismail Kadaresë, theu të tjera parime të teatrit realist. Madje ajo doli “jashtë kontrollit” për shkak të kumteve të saj, lojës, simbolikës, dhe frymës kritike të theksuar. Regjisori, duke pasur parasysh edhe thellësinë e veprës së Kadaresë, arriti ta trajtojë ndryshe ngjarjen me forma e mjete të tjera, pak të njohura ose shumë pak të përdorura. Edmond Budina përsëri orvatet të sjellë një teatër të ri. Me dramën “Zgjimi” nëpërmjet skenografisë, ndriçimit, mizanskenave, plastikës aktoriale dhe më në fund me lojën e aktorëve tashmë po shkohej drejt një teatri të ri. Këtë teatër të ri, Flori Slatina e analizon në studimin që ka bërë për teatrin shqiptar pas viteve ’90 me titull “Prirje të sotme të teatrit”. Përpjekje për një teatër ndryshe ka dhe në disa pjesë të regjisorit Gëzim Kame, pas viteve ’90. “Vizita e damës plakë” e Durenmat ishte përpjekja e tij më serioze. Ai futi elementë të rinj në teatër si kërcimi. Drama e parë e mirëfilltë absurde në teatër do të ishte “Në pritje të Godosë” e Beketit me regji të Arben Kumbaros. Pas një pune të gjatë, Kumbaro në bashkëpunim me aktorë si Agim Qirjaqi, Guljem Radoja, Ahmet Pasha, Niko Kanxheri si dhe skenografin Edi Hila zbritën më 2 tetor 1993 në skenën e Akademisë së Arteve. Si prodhim i teatrit eksperimental, kjo vepër do të ngjallte emocione të mëdha. Kjo shfaqje theu tabutë duke e bërë publikun ta donte edhe pse nuk ishte mësuar me këto lloj dramash. Një ngjarje që do të ndikonte në rritjen e teatrit ishte dhe Festivali i Parë Gjithëkombëtar i Teatrove Profesionistë që u mbajt nga data 21-18 nëntor 1993. Një shfaqje e teatrit absurd spikati në këtë festival. Ishte komedia “Fando dhe Lis” e Fernando Arrabal. Kjo komedi u vendos në skenë nga Agim Qirjaqi që u ndërrua dhe si regjisori më i mirë i festivalit. Është interesante puna e Qirjaqit si regjisor. Pas dramës “Rikardi III”, ai provon teatrin absurd. “Pas “Rikardit III” unë në mënyrë krejtësisht të natyrshme u hodha tek “Fando dhe Lis”. E ndjeva si një nevojë shpirtërore, artistike të flas me një autor të teatrit absurd si Arrabali, sepse në atë pozicion, në atë gjendje shpirtërore u ndodha në ato momente”, do të shprehej regjisori në atë kohë. Një tjetër vepër që do t’i jepte sukses Qirjaqit si regjisor ishte pjesa e Joneskos “Këngëtarja tullace”, e vënë në skenë më 16 shkurt 1994. Dyshja e regjisorëve Kumbaro dhe Qirjaqi dhe autorë si Jonesko apo Beket do të jetë e pranishme në pesë vitet e para të teatrit të ri, të lirë nga ideologjia. “Një nga prirjet kryesore ishte teatri i ‘Body language’, ose i gjuhës së trupit, që futet te teatri eksperimental, ose alternativ. Kjo prirje nuk është fort e re për botën, por për ne është relativisht e re. Karakteri universal që përdor ky teatër është se gjuha e tij është një gjuhë pa fjalë, dhe duke qenë e tillë ajo është shumë komode për të komunikuar me çdo lloj kombësie”, thotë regjisori Alfred Trebicka.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KËTU