Kryetarja e Barcelonës: Lironi fëmijët tanë nga izolimi - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kryetarja e Barcelonës: Lironi fëmijët tanë nga izolimi

NULL NULL
16/04/2020

Kryetarja e Barcelonës Ada Colau ka kërkuar përfundimin e masave të rrepta të bllokimit në Spanjë, për shkak të koronavirusit, që i ndalon fëmijët të dalin jashtë shtëpive.

“Këta fëmijë kanë nevojë të dalin jashtë. Mos prisni më shumë: Lironi fëmijët tanë”, ka shkruar Colau në Facebook, që është edhe vetë nënë e dy fëmijëve të moshave tre dhe nëntë.

Spanja – që ka më së shumti raste të konfirmuara me koronavirus në Evropë – është shteti i vetëm në gjithë kontinentin ku fëmijët nuk mund të dalin fare nga shtëpitë e tyre, për asnjë arsye.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez kishte njoftuar bllokimin mbarëkombëtar më 14 mars. Që nga ajo kohë, bllokimi është zgjatur të paktën deri më 26 prill – megjithëse ata që punojnë në ndërtimtari, prodhim dhe disa shërbime të tjera janë lejuar të kthehen në punë këtë javë.

Masat për fëmijët ndryshojnë shumë nga njëri shtet në tjetrin – ku shkollat dhe çerdhet tashmë janë rihapur në Danimarkë, transmeton Klan Kosova.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins rastet e konfirmuara globale kanë kaluar dy milionëshin.

Derisa përhapja e infeksionit duket se po ngadalësohet në shumicën e vendeve të Evropës, kontinenti ka regjistruar qindra mijëra infeksione – ku vetëm Spanja ka 19,130 vdekje dhe gati 183,000 raste.

Në ndërkohë në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 551 vdekje të reja.