Kryetari i OVL-UÇK-së: Kryeministër Hoti ndali bisedimet në Bruksel ose përballesh me protesta

Kryetari i OVL-UÇK-së: Kryeministër Hoti ndali bisedimet në Bruksel ose përballesh me protesta

2 muaj më parë

Kryetari i OVL së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar nga insitutcionet vendore dhe ndërkombëtare që të mos luajnë me dinjitetin e veteranëve të UÇK-së.

Reagimi i tij vjen për shkak të kërkesave së Serbisë në Interpol për të arrestuar ish-luftëtarët e UÇK-së, njofton Klan Kosova.

Për këtë çështje ai ka paralajmëruar protesta nëse kryeministri Avdullah Hoti nuk i ndërprenë bisedimet në Bruksel.

“Është tepruar me degradimin e kësaj shtrese të shoqërisë, bëjë apel tek bota e qytetëruar, të ndalet ky represion kaq i egër dhe i njëanëshëm që po ndodhë tash e 20 vite. Apeloj tek Kryeministri Hoti, që t’i ndërpret bisedimet me Serbinë, ose do të përballet më protesta të përditëshme”.

“Arrestimet e fundit të veteranëve të UÇK-së sipas listës së re të Interpolit që i ka dërguar Serbia, është një dhunim dhe cenim i lirive dhe të drejtave të njeriut që po e bën Interpoli, por edhe organet e “drejtësisë” që e kanë miratuar këtë listë apriori pa kurrfarë baze, vetëm me kërkesë të Serbisë. Është tepruar loja më listat e UÇK-së në Interpol”.

“Shteti serb që nga viti 2002 i kishte përpiluar disa lista të pjestarëve të UÇK-së, të cilat me kerkesën e Serbisë kishin përfunduar në Interpol. Që nga kjo kohë, pjestarët e UÇK-së, janë malltretuar, janë ndaluar e keqtrajtuar nëpër kufi të shteteve të ndryshme të Evropës e më gjërë. Këto veprime të Serbisë kanë qenë veprime të paligjëshme, arbitrare dhe kanë cenuar Kushtetuten dhe rendin e brendshëm të Shtetit të Kosovës. Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por edhe në emrin tim përsonal si kryetar i kësaj Organizate, iu bëj me dije por edhe apeloj publikisht tek të gjitha organet e Kosovës, ato ndërkombëtare dhe strukturat e Interpolit dhe EULEX-it; mos luani më, me dinjitetin, lirinë dhe të drejtat njerëzore të Veteranëve të Luftës së UÇK-së”.

“Është shkelje e pa presedan nga Bashkësia Ndërkombëtare qe i ka lejuar Interpolitit një veprim kaq të padrejtë ndaj pjestarëve të UÇK-së. Edhe sa falsifikime e akuza duhet t’i tolerojë UÇK-ja mbi supet e veta me propozime të Serbisë”.

Gucati ka shkruar se këto veprime janë vazhdimësi e përpjekjeve të Serbisë dhe partnerëve “të dëgjueshëm të saj, për denigrimin, njollosjen dhe komprometimin e kësaj lëvizjeje politiko-ushtarake, që mbrojti popullatën e Kosovës në vitet 1998 1999”.

Ai ka paralajmëruar se kjo është koha e fundit që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, organet e drejtësisë, EULEX-i dhe organet tjera ndërkombëtare duhet ta rregullojnë urgjentisht problemin e listave të Serbisë të pjesëtarëve të UÇK-së në Interpol”.

“Sepse ky veprim i Serbisë me listat e veteranëve të UÇK-së, është veprim ilegal kundër Kosovës. Prandaj Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të marrë masa në këtë drejtim, sepse akuzat e Serbisë në këtë drejtim janë krejtësisht të pa baza. Padrejtësia ndaj veteranëve të UÇK-së që ua mohon atyre të lëvizin të lirë, sipas skenarëve serbë e bënë të pabesueshme punën e Interpolit dhe organeve tjera të sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare”.