Kryetari i Asociacionit të Komunave: Kërkojmë ndryshimin e masave anti COVID-19

Kryetari i Asociacionit të Komunave: Kërkojmë ndryshimin e masave anti COVID-19

NULL NULL
2 months më parë

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se ata kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndryshimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka theksuar se sot kanë mbajtur një takim me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, e cila u ka thënë se kërkesat e tyre do t’i paraqesin në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

“Ky takim më shumë ishte informues ku propozimet vetëm ishin marrë nga niveli qendror, ata vetëm na i kanë konfirmuar dhe na informuan sa i përket lehtësimit të masave aktuale. Do të ketë ndryshim të orës policore e cila do të jenë ende prezente, por do të fillojë nga ora 24:00 dhe do të zgjas deri në ora 05:00 të mëngjesit, do të jetë sërish në fuqi vendimi për bartjen e maskave edhe nëse personi është duke ecur vetëm në rrugë. Këto kërkesa tona ishin parashtruar para një muaji, ministrja në detyrë na tha se ato do të paraqiteshin para Qeverisë në mbledhje”.

Ibrahimi theksoi se ata kërkojnë që të ndryshojnë këto masa që janë tani, pasi sipas tij qytetarët e meritojnë një ndryshim të tillë.

“Do të kërkojmë që të hiqen këto masa sërish, duhet të bëhet e qartë se nuk do të kërkojmë që këto masa të hiqen një herë e përgjithmonë. Qytetarët e Kosovës nuk janë meritor të kenë këto masa, pasi janë duke treguar një disiplinë të jashtëzakonshme dhe nuk duhen të shpërblehen me mosmbajtjen e maskave kur janë vetëm”.

Ai këto kërkesa për largimin e masave aktuale i krahasoi me masat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të cilët sipas tij nuk kanë orë policore dhe nuk janë të detyruar njerëzit t’i bartin maskat kur janë edhe vetëm në rrugë, njofton Klankosova.tv.