23:54, 2 Korrik 2020

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka ripërsëritur se Kushtetuta i jep atij të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.

Hoti thotë se tashmë Kosova ka ndërtuar të gjitha mekanizmat për t’u përfaqësuar në këtë dialog dhe pohoi se është i gatshëm të shkojë në takimin e Shtëpisë së Bardhë, në ftesën më të parë që do ta ketë, përcjellë Klan Kosova.

”Unë kam pasur ftesë që të shkoj dhe ka qenë insistim i Ambasadorit Grenell që unë të shkoj, pastaj u dakorduam që ky takim të spostohej për një datë tjetër”.

Një datë tjetër derisa të qartësohet situata dhe akuzat ndaj Presidentit në Kosovë?

”Jo, u spostua deri sa ne të konsolidojmë një ekip shtetëror që përfaqëson Kosovën”.

Hoti ka treguar në Opinion edhe procedurën se si do veprojnë tutje meqë nuk mund të shkojnë në takim nisur nga propozim aktakuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi.

”Delegacioni është ndërtuar”.

”Në aspektin kushtetues është Kryeministri i vendit që përfaqëson shtetin në procesin e dialogut. Ajo që unë po bëj është që të kemi një përfshirje të forcave politike”.

”Dje në mbledhje të qeverisë kemi themeluar një zyrë dhe jemi dakordësuar në sallën e Kuvendit, që Kuvendi të jetë i përfshirë në proceset. Pra kemi ndërtuar mekanizmat”.

Me këto mekanizma që keni ndërtuar që janë funksionale, do të niseni në Washington në ftesën më të parë?

”Po, sigurisht”.

Kryeministri Hoti zbulon nëse do udhëtojë në Washington edhe në mungesë të presidentit Thaçi.

”Për procesin e dialogut Kushtetua është e qartë, që e përfaqëson kryeministri”, thotë ai.

Ndërsa lidhur me takimin e paraparë, Kryeministri Hoti po ashtu përsëriti qëndrimin e tij se në Shtëpinë e Bardhë nuk do të diskutohet për çështje territoresh.

”Nuk diskutohet për çështje territoresh, nuk diskutohet integriteti territorial, karakteri i shtetit”.

”Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Kemi parashikuar objektiva, njohje reciproke dhe normalizim i çështjeve që janë derivat i njohjes reciproke”.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë