14:58, 11 Shkurt 2019

Ka përfunduar pak minuta më parë seanca në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku Saimir Tahiri kishte apeluar vendimin e prokurorëve të çështjes së tij, për të mos shtyrë më tej afatin e hetimeve.

Gjatë daljes nga Krimet e Rënda, Tahiri tha se Gjykata ka pranuar kërkesën e tij, duke lënë të kuptohej se nuk do të ketë shtyrje të hetimeve ndaj tij dhe për pasojë, mbylljen e hetimeve.

I pyetur nëse do t’i rikthehet politikës, Tahiri u përgjigj “se ka kohë për të gjitha”

“Akuza të padrejta dhe skandaloze ndaj meje. I falënderoj të gjithë pa masë që më kanë treguar që ia vlen të presësh për atë ditë që vjen drejtësia. Për mua ka rëndësi drejtësia dhe që kësaj maratone t’i shkojmë më në fund drejt finishit”, tha Tahiri për mediat.

Gjykata i ka vendosur kohë prokurorisë deri më 10 mars për të vendosur përfundimisht nëse do kalojë në gjykim, apo do të mbyllen hetimet.