18:00, 6 Shtator 2016

Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine u zhvillua një intervistë nga shtëpia e zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi i cili po qëndron në burg shtëpiak pasi dyshohet për sulmin e 4 gushtit në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi, ka treguar për ditën kur ai dhe pesë aktivistët e tjerë të Vetëvendosjes u arrestuan.

“Ne kemi qenë në ditën  e arrestimit, me 30 gusht në banesë.  Policia ka ardhur në orën 5 ne nuk kemi ditur asgjë e 3 – 4 orë nuk e kemi ditur as pse jemi duke u mbajtur”.

“Më pas në prokurori na është thënë se akuzohemi për sulmin në Kuvend”.

Ai ka treguar për Klan Kosovën se në bazë të çfarë dyshimi është arrestuar.

“Prokurori e kemi kuptuar sepse ata më kanë thënë se jam i arrestuar për shkak të një telefonate që i kam bërë kryetarit Visar Ymeri, në ditën e sulmit dhe i kam thënë atij që është mirë të bëjmë një reagim pasi Mustafa ka pretenduar se Vetëvendosje e ka kryer sulmin. Vetëm pse e kam përmendur fjalën ‘sulm’, ata kanë filluar të më përcjellin”.

“Arrestohet Petriti, vetëm pse banon me mua, pa kurrfarë fakti, as foto, as asgjë tjetër”.

“Arrestohet Adea Batusha, vetëm pse ka ecë në sheshin Nëna Terezë, gjoja që ajo paska blerë telefon ku është dërguar një email”.

Ai gjithashtu ka treguar se ku ka qenë natën e sulmit ndaj objektit në Kuvendin e Kosovës, me 4 gusht.

“Unë kam qenë në shtëpi tek prindërit e mi, unë kam shkuar në ora 7 të mbrëmjes dhe nuk kam dal më prej shtëpisë”.

Sipas Krasniqit, prokurori vet e ka pranuar në seancë që nuk ka prova kundër tyre.

“Në fund të krejt seancës, vet Prokurori tha shihni: unë nuk kam fakte, kam dyshime, por prapë i kërkoj gjykatës që të rrinë në burg këta njerëz, e kjo është skandaloze”.

Krasniqi ka thënë se arsyeja e arrestimit të tij dhe pesë aktivistëve të tjerë ishte tërësisht politike.

“Arsyeja pse na kanë arrestu është tërësisht politike është bërë 2 ditë para protestës”. “Policia ka dashur të bëjë show medial, policia në asnjë sulm tjetër nuk ka bërë kësi show medial”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë