Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Krasniqi: PDK ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm

NULL NULL
17.10.2021 23:26

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas mbylljes së kutive të votimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ai tha se PDK-ja në këto zgjedhje lokale ka shënuar një rezultat të jashtëzakonshëm anembanë Kosovës dhe qytetarët u bashkuan për të mbajtur e rikthyer qeverisjet e mira nëpër komunat e vendit.

Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës është partia e lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit.

“Ajo ka qenë e fortë, mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë. Qytetarët treguan sot se sa më e fortë që të jetë Partia Demokratike e Kosovës, aq më i sigurt e më i zhvilluar është edhe shteti i Kosovës”, është shprehur Krasniqi në konferencë për media, njofton Klankosova.tv.

Krasniqi njoftoi se bazuar në të dhënat e tyre nga terreni, PDK ka fituar pa balotazh në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe në Han të Elezit.

Më tej, i pari i PDK-së bëri të ditur se partia të cilën ai e udhëheq është në balotazh në Prizren, Drenas, Vushtrri, Shtime, Dragash, Malishevë, Klinë dhe janë duke pritur rezultatet në Fushë Kosovë.

“Qytetarët e vendlindjeve të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, sonte dëshmuan sërish mbështetjen e madhe për themeluesit e UCK-së, PDK-së dhe Shtetit të Kosovës”.

“Në këto zgjedhje, kandidatët tanë për kryetarë të komunave dhe për Asamble Komunale, kanë treguar kulturë të lartë politike dhe fushatë të jashtëzakonshme. I falënderoj secilin për punën e madhe”.

“Në këto zgjedhje, në mënyrë të vecantë, e gjithë Kosova e ka përkrahur e përgëzuar fushatën dhe programin e kandidatit tonë në Prishtinë, Uran Ismaili”, ka thënë Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Ai tha se falë fushatës dhe programit të Ismailit, PDK ka shënuar rritje 100 përqind në kryeqytet.

“Në këto zgjedhje, qytetarët kanë thyer barrierat politike dhe kanë përkrahur kandidatët dhe programin që ka adresuar nevojat e tyre. E natyrisht, PDK është e para këtu”.

“Qytetarët treguan se asnjë propagandë, asnjë manipulim populist nuk mund ta mposhtë të vërtetën dhe të mirën”.

“Sot, qytetarët treguan edhe një gjë, pakënaqësinë e madhe të tyre me punën e Qeverisë së Albin Kurtit, qysh në tetë muajt e pare të kësaj qeverie. Për ne fillon një rrugëtim i ri, duke u bashkuar me qytetarët, për ta ndalë degradimin e vlerave qeverisëse në vend. Kosova sot tregoi se ka ndërtuar një sistem demokratik, institucione kredibile për të organizuar zgjedhje të lira, demokratike e shembull për rajonin”, ka thënë Krasniqi përpara medieve, njofton Klankosova.tv.

Ai tha se kjo po bëhet falë punës së madhe të burrave dhe grave për ta ndërtuar sipas tij shtetin e Kosovës, ku tha se shpesh disa e kanë mohuar.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.