22:43, 10 Mars 2020

Shkrimtari dhe profesori, Milazim Krasniqi, i cili ishte mik dhe koleg i Musa Ramadanit, kujtoi me pietet dhe emocionalitet jetën, veprën dhe rëndësinë e tij në kulturën kosovare.

Ai e vlerësoi si shkrimtar humanist dhe modernist, e mbi të gjitha si njeri të mirë. Ndërkaq kritikoi zyrtarë e qeveritarë që e kanë injoruar dhe, siç ka thënë, për gjallje e kanë harruar.

Më poshtë është reagimi i plotë i Krasniqit, dhënë për klankosova.tv

Musa Ramadani ishte shkrimtar zotni, teraqi, shkrimtar me stil.

E kishte stilin e vet edhe kur e ndezte cigaren, edhe kur fliste. Fliste ngadalë, me zë të ulët, me ndërprerje të lehta, si për ta tërhequr më shumë vëmendjen e bashkëbiseduesve.

Kishte një si buzagaz të përhershëm, nga dashamirësia dhe nga statusi, meqë shkrimtarin e konsideronte misionar. Ishte nga pak mistik. Bile kishte raste kur bisedonim edhe për sferën e misticizmit. Në esencë, ishte shkrimtar humanist dhe modernist. Dhe njeri i mirë. Ndërsa vepra e tij letrare gjithsesi është provokuese për lexuesit dhe studiuesit.

Kishte prirje që të eksperimentonte me figurat, me strukturat e vargjeve. Ndërsa në prozë po ashtu ishte kërkues dhe novator. Edhe si gazetar, më saktë kritik teatri, e ka markuar kohën kur teatri në Kosovë kishte njëfarë statusi të artit elitar, kur publiku ishte elitar, kur kishte kuptim të shkoje në teatër e të shkruaje për teatrin. Pra, Musa Ramadani e shenjon një kohë të Kosovës, kur po krijohej identiteti shqiptar i saj në totalitarizëm, por edhe në modernitet.

Musa ishte kontributdhënës në këtë projekt të madh kulturor shqiptar të Kosovës. Bile, vdekja e Musa Ramadanit pothuajse e mbyll ciklin e vdekjeve të shkrimtarëve domethënës të Kosovës, Beqir Musliut, Teki Dervishit, Ibrahim Rugovës, Azem Shkrelit, Abdullah Konushevcit, Agim Malës, që në vitet 70 e 80 i dhanë vulën elitarizmit kulturor shqiptar në Kosovë.

Musa shkoi në heshtje, i harruar. Pse? Sepse Kosova moti ka hequr dorë nga projekti i saj si një Jerusalem kulturor shqiptar, si kundërpeshë e mitologjisë serbomadhe për Kosovën si Jerusalem serb. Pa atë gjeneratë dhe Musa Ramadanin si njërin prej dëshmuesve të saj, Kosovën më nuk ka kush e mbron në sferën letrare e mitike nga virulenca letrare, kulturore e religjioze serbe.

Besoj se tash ia nisin ta lavdërojnë edhe të gjithë ata zyrtarë e qeveritarë që e kanë injoruar dhe që për gjallje e kanë harruar. Natyrisht, edhe kjo është shenjë e krizës dhe e kollapsit tonë kulturor e moral. (10 mars 2020)

Shkrimtari e dramaturgu kosovar, Musa Ramadani, ka vdekur sot në moshën 76-vjeçare, ndërkaq varrimi i të ndjerit pritet të bëhet nesër në ora 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Konkurs Pune

Lexo më shumë