Krasniqi: Emërimet politike sinjal i keq, VV-ja proklamonte se do t’i ç'kapë bordet nga militantët partiakë (VIDEO)

Krasniqi: Emërimet politike sinjal i keq, VV-ja proklamonte se do t’i ç’kapë bordet nga militantët partiakë (VIDEO)

NULL NULL
7 muaj më parë

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus e ka komentuar 100 ditëshin e Qeverisë Kurti duke radhitur ato që i cilëson si punë të mira.

“Duhet vlerësuar qëllimet që janë treguar prej kësaj qeverie që fillojnë me emërimin e njerëzve në pozitat udhëheqëse të qeverisë. Kemi parë persona që kanë background akademik dhe përvojë profesionale, pra nuk kanë ardhë kryekëput vetëm militantë partiakë për të udhëhequr në ato pozita. Kjo na ka bërë të ndjehemi mirë shumicën prej nesh, besoj”.

“Po ashtu edhe mospasja e akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të ngjashme ka qenë një avantazh. Ulja e pagave të cilat nuk ishin arsyetuar, reduktimi i numrit të ministrive për shkak se ishin krijuar ministri për të akomoduar persona të caktuar ishin sinjalet pozitive që kjo qeveri mund të ketë qëllime të mira për të qeverisur mirë me vendin”.

“Pastaj edhe veprimet e para që u ndërmorën janë po ashtu për t’u përshëndetur, ta zëmë anulimi i tenderëve që nuk kishin zotim të mjeteve që ishin miliona euro, shkarkimi i ambasadorëve që ishin emëruar në baza kryekëput politike dhe tejkalim të mandateve të përcaktuara, tërheqja e pagave pas përfundimit të mandatit, anulimi i Zonave Ekonomike që ishin krijuar me qëllim kryekëput të shpronësimit dhe të tjera”.

“Këto janë vetëm një pjesë, sepse shkarkimet dhe anulimet nuk na garantojnë që pastaj emërimet dhe tenderët e ri që do të bëheshin do të ishin në mënyrë të duhur. Kjo është vetëm një pjesë – janë 50 ditë”.

Krasniqi në Rubikon me Adriatik Kelmendin ka thënë se secila qeveri do të kishte probleme nëse qysh në ditët e para të qeverisjes do të përballej me një pandemi globale.

“Ishin dy vështirësi – pandemia dhe mocioni i mosbesimit – që për secilën qeveri, jo vetëm për një qeveri që e ka marrë mandatin për herë të parë, do të kishte probleme që të ballafaqohet me pandeminë në ditët e para. Duhet kufizuar vlerësimi për menaxhimin e pandemisë, ndonëse kjo më shumë ka qenë në duar të institucioneve shëndetësore se sa të Qeverisë. Krejt fatura ta zëmë për një menaxhim jo të mirë të pandemisë nuk mund t’i shkojë Qeverisë, por ndahet në bazë të peshës për sektorë”.

Ai ka kritikuar emërimet që janë bërë në bordet e përkohshme, pas shkarkimit të tyre nga Qeveria, duke thënë se Vetëvendosja dërgoi sinjal të keq me emërimin e militantëve partiakë.

“Emërimet politike nuk mund ta pranoj se kanë qenë provizore, për shkak se u emëruan në mandate të plota në dikasteret që ishin. Ata u emëruan dhe kjo është sinjal i keq në atë çfarë Vetëvendosja ka proklamuar gjatë tërë kohës që do t’i ç’kapë bordet nga militantët partiakë”.

“Ata ishin anëtarë të partisë dhe nuk mund të arsyetohen se janë profesionistë. Edhe në parti të tjera kanë mundur të kenë profesionistë partiakë të emëruar. Pas prishjes së koalicionit shkarkuan disa persona në borde që u konsideruan se ishin nga LDK-ja dhe thanë që ‘s’kanë guxim ta luftojnë krimin dhe korrupsionin’ dhe u zëvendësuan me kryekëput militantë të një subjekti politik”.

Krasniqi ka deklaruar se Qeveria Kurti ka pasë më shumë dështime në politikën e jashtme, se sa në atë të brendshme.

“Në vlerësimin e punës në aspektin e jashtëm të qeverisë janë dështimet më të mëdha të kësaj qeverie se sa ato që janë në rrafshin e brendshëm. Është akuzuar Richard Grenell për rrëzim të një qeverie dhe kjo është bërë në media ndërkombëtare – dhe kjo nuk ndodh në vende të tjera edhe kur realisht ndodh ashtu”.

“Ka një sërë letrash që për këto dy muaj ka marrë presidenti amerikan Donald Trump, zëvendëspresidenti Mike Pence dhe sekretari Mike Pompeo nga Albin Kurti për të tentuar të balancojë rolin e presidentit Hashim Thaçi në dialog dhe duke qartësuar pozicionin e Kosovës, respektivisht të kryeministrit”.

“Ky është një prej dështimeve të kësaj qeverie – dialogu me Serbinë. Albin Kurti nuk ka arritur të imponohet dhe të jetë udhëheqësi i dialogut me Serbinë. Arsyet se pse nuk ka arritur të imponohet janë qasja jokonstruktive, shpërfillja e partnerit të koalicionit [LDK-së] gjatë gjithë kësaj kohe dhe një lloj barikadimi ndaj gjithçkaje që vjen nga jashtë duke tentuar që nga mospjesëmarrja në dialog do të parandalojë një marrëveshje që, sipas supozimit të tij, veç është e gatshme dhe Richard Grenell është në njohuri. Nuk ka paraqitur asnjë fakt për një marrëveshje të tillë, por vetëm në bazë të bindjes së tij”.