14:25, 16 Korrik 2019
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka arritur kuorumin e nevojshëm për asnjë nga 22 bashkitë që u shqyrtuan në mbledhjen e ditës së sotme, për shpërndarjen e mandateve për këshillat bashkiakë.

Kreu i organit zgjedhor, Klement Zguri, votoi kundër në të gjitha rastet, për të rënë ndesh me vendimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Socialistët pritet t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor për të bërë të mundur shpërndarjen e mandateve për këshilltarët, me qëllim konstituimin e këshillave bashkiakë dhe marrjen zyrtare të detyrës së kryebashkiakëve të rinj.

Këshillat bashkiake pa vendim janë: Skrapari, Bulqiza, Klosi, Dibra, Cërriku, Gramshi, Divjaka, Mallakastra, Patosi, Këlcyra, Libohova, Tepelena, Kolonja, Maliq, Kukës, Tropoja, Malësia e Madhe, Himara, Saranda, Lushnja, Durrësi dhe Lezha.

Ndërkaq, nesër do të mbahet mbledhja e radhës në orën 10:30, ku priten të shqyrtohen 13 bashki të tjera, raporton Lapsi.al, transmeton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë