Lajmet e fundit

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka shkarkuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të KPK-së, ku 6 vota ishin pro shkarkimit të tij, dhe vetëm 1 ishte kundër.
Lajmi u konfirmua nga KPK përmes një njoftimi për media.
KPK tha se ka vendosur për largimin nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufajn, ndërsa shtoi se funksionin e prokurorit do të vazhdojë ta ushtrojë në këtë prokurori.
Ndërkaq, KPK tha se ka caktuar Dren Pacën, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Ushtrues të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në plotësimin e pozitës në pajtim me procedurat dhe kompetencat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Këshilli tha se caktimi i Ushtruesit të Detyrës synon të sigurojë vazhdimësinë e menjëhershme të funksionimit institucional, ushtrimin e pandërprerë të kompetencave të Prokurorisë Speciale dhe garantimin e efikasitetit në trajtimin e rasteve penale, pa lejuar që ndryshimi në drejtimin e institucionit të cenojë funksionimin e tij të rregullt.
Arsye për shkarkimin e Isufajt, sipas KPK-së, janë:
keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës;
jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit;
dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj për pozitën e Kryeprokurorit;
mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës, e konstatuar përmes vlerësimit të performancës të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore.
“Gjithashtu, KPK thekson se këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale”, tha KPK në njoftimin për media.
Sipas vlerësimit të KPK-së, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për ndërmarrjen e masës së largimit nga pozita, në kuptim të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial tha se vlerëson me shqetësim të veçantë gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale.
“Mënyra e menaxhimit të kësaj Prokurorie, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale, duke krijuar një situatë që kërkon ndërhyrje të përgjegjshme, institucionale dhe të menjëhershme”, u tha më tej në njoftim.
Për KPK-në, drejtimi i një institucioni të tillë nuk mund të reduktohet në ushtrimin formal të kompetencave administrative.
“Kryeprokurori bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit që drejton, në përputhje me ligjin, standardet profesionale dhe detyrimin kushtetues për funksionimin efikas të sistemit prokurorial”, tha më tej KPK-ja.
Në këtë kuptim, KPK tha se konsideron se përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia nuk janë çështje diskrecionale, por kërkesa të domosdoshme për funksionimin e një sistemi prokurorial të pavarur, profesional dhe efikas.
“Andaj, KPK u garanton qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin e efikasitetit, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale dhe përmirësimin e rezultateve të Prokurorisë Speciale”.
Vëmendje e veçantë, KPK tha se do t’i kushtohet forcimit të kapaciteteve dhe rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e organizatave kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.
KPK vlerëson se “përballja me këto forma të kriminalitetit kërkon prokurori profesionale, efikase, të mirëmenaxhuara dhe të afta për të vepruar në mënyrë të koordinuar me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë”.
“KPK nuk do të tolerojë që dobësitë në menaxhim, mungesa e rezultateve apo mosrespektimi i standardeve të performancës të cenojnë funksionimin e Prokurorisë Speciale dhe përmbushjen e misionit të saj ligjor”, tha ky institucion në njoftimin zyrtar për media.