Lajmet e fundit

Një 53-vjeçar me origjinë nga Kosova, Ajdin Limoni, ka ndërhyrë në një aksident të rëndë në Wohlen të kantonit Aargau në Zvicër, duke ndihmuar në nxjerrjen e katër të rinjve nga një veturë që ishte përfshirë nga flakët. Gjatë aksionit të shpëtimit, Limoni pësoi djegie në duar dhe në ballë.
Aksidenti ndodhi të mërkurën mbrëma, rreth orës 20:45. Një Fiat Punto, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, doli nga rruga në një kthesë dhe u përplas ballë për ballë me një pemë. Menjëherë pas përplasjes, vetura mori flakë dhe më pas u dogj plotësisht.
Limoni ishte duke u kthyer në shtëpi kur vërejti dritën e fortë të zjarrit. Kur iu afrua vendit të ngjarjes, pa disa persona që po qëndronin pranë dhe po shikonin veturën duke u djegur.
Ai u bëri thirrje të pranishmëve që të ndërhynin dhe më pas iu afrua automjetit. Brenda tij ndodheshin katër persona. Tre prej tyre ishin pa vetëdije, ndërsa një vajzë ishte ende e vetëdijshme dhe kërkonte ndihmë, shkruajnë mediat zvicerane transmeton Klankosova.tv
“Më ndihmoni, më ndihmoni, po vdes!”, kishte dëgjuar Limoni nga vajza. Kjo thirrje, sipas tij, është diçka që nuk do ta harrojë.
Së bashku me personat e tjerë që ndodheshin në vendngjarje, ai filloi t'i nxirrte të aksidentuarit nga vetura. Për të liruar njërin prej tyre, kërkoi edhe një thikë për të prerë rripat e sigurimit.
Pasi të katër personat u nxorën nga automjeti, Limoni u kërkoi të pranishmëve t'i largonin sa më shumë nga vetura, pasi flakët po përhapeshin me shpejtësi.
“Flakët ishin të paktën tre metra të larta”, ka treguar ai, duke përshkruar momentet dramatike të ndërhyrjes.
U dogj gjatë shpëtimit
Gjatë aksionit, Limoni pësoi djegie në duar dhe në ballë. Pas trajtimit në spital, ai u kthye në shtëpi po atë mbrëmje.
Megjithatë, ai thotë se në ato momente nuk mendonte për veten.
“Nuk mendova për këtë. Doja vetëm t'i ndihmoja dhe t'i shpëtoja ata njerëz”, ka treguar Limoni.
Katër personat që ndodheshin në Fiat ishin një vajzë 17-vjeçare dhe tre djem, të moshës 17, 18 dhe 21 vjeç. Të gjithë janë shtetas italianë me banim në Zvicër. Dy prej tyre, të cilët kishin pësuar lëndime shumë të rënda, u transportuan me helikopterë drejt spitaleve, ndërsa dy të tjerët u dërguan me ambulanca për trajtim mjekësor.
Policia Kantonale e Aargaut ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit. Sipas të dhënave fillestare, vetura po lëvizte në rrugën Alte Bremgarterstrasse në drejtim të Bremgartenit, kur në një kthesë majtas doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Ende nuk dihet se përse ndodhi aksidenti dhe kush ishte duke drejtuar automjetin.
Autoritetet kanë konfirmuar se disa persona që ndodheshin në vendngjarje pësuan lëndime të lehta, kryesisht djegie, gjatë përpjekjeve për të shpëtuar të aksidentuarit.
Për Limonin, megjithatë, më e rëndësishmja është se katër të rinjtë arritën të nxirreshin nga vetura para se ajo të përfshihej plotësisht nga zjarri.