Lajmet e fundit
Kosova sonte përballet me Austrinë në Vjenë, ndërsa para ndeshjes analisti Ardian Llumnica ka vlerësuar se atmosfera në kryeqytetin austriak mund t’i japë një shtysë të madhe skuadrës së Franco Fodës.
“Fillimisht dua ta konfirmoj që është atmosferë e jashtëzakonshme. Kosova sot në Vjenë nuk do të ndihet mysafir, sepse janë dhjetëra mijëra tifozë shqiptarë”, tha Llumnica në Klan Kosova.
Ai është ndalur edhe te mungesa e Albian Hajdarit, duke e cilësuar si shqetësuese, pasi mbrojtësi kishte pasur paraqitje të mirë në ndeshjen ndaj Irlandës.
“Shqetësuese gjithsesi është dëmtimi i Albian Hajdarit, sepse në ndeshjen e fundit ishte mjaft stabil dhe e krijoi atë treshen e fundit që e lavdëruam shumë”, është shprehur ai.
Llumnica ka folur edhe për dilemat në formacion, duke përmendur Ron Raçin dhe Lumbardh Dellovën si alternativat për zëvendësimin e Hajdarit.
Ndërkohë, për sulmin ai ka qenë i qartë se Fisnik Asllani duhet të jetë në formacionin startues.
“Edhe unë konsideroj që në ndeshjen e kaluar Fisi është futbollist që duhet të startojë. Përveç pjesës ofensive që e bën jashtëzakonisht mirë, është shumë i mirë në presing dhe në pjesën defensive. Kësisoj, sot jam me shpresë që ai do të startojë”, tha mes tjerash Llumnica.