Lajmet e fundit

Deklarata lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte temë diskutimi në emisionin “Kosova Today”.
Panelistët Ardian Gaxherri, Azdren Shala, Ardiana Thaçi dhe Korab Blakaj shprehën qëndrime të ndryshme lidhur me proceset gjyqësore në Hagë dhe mënyrën se si duhet të veprohet pas vendimeve të gjykatës.
Azdren Shala deklaroi se, sipas tij, Dhomat e Specializuara duhet të zhbëhen, duke e cilësuar këtë institucion si të padrejtë.
“Për mua, këtu veç duhet zhbërja e Gjykatës, nuk e di nëse e mundshme. Kjo gjykatë është e padrejtë”, tha Shala në Klan Kosova, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkaq, Korab Blakaj tha se, kur kërkohet drejtësi, duhet të respektohen verdiktet e gjyqtarëve, por theksoi se beteja për ish-krerët e UÇK-së duhet të zhvillohet në aspektin juridik.
“Kur kërkojmë drejtësi, duhet të pajtohemi me verdiktin që e japin gjyqtarët. Kosova nuk ka nevojë me kërku drejtësi, Kosova duhet të kërkojë lirimin e tyre. Ky duhet të jetë opinioni publik absolutisht për lirimin e tyre. Beteja është juridike”, tha Blakaj.
Për procesin e ankesave foli edhe Ardiana Thaçi. Ajo theksoi se Gjykata e Apelit duhet të shqyrtojë nëse provat janë administruar dhe vlerësuar siç duhet gjatë procesit gjyqësor.
“Gjykata e Apelit e ka për obligim me e shqyrtu nëse Gjykata Speciale i ka marrë për bazë të gjitha provat dhe nëse i ka administruar ashtu siç duhet. Nëse e vëren se janë administruar keq, ose nuk janë administruar të gjitha dëshmitë, Gjykata e Apelit thotë se kjo lëndë duhet të kthehet në rigjykim”, tha Thaçi.
Ajo shtoi se në një rast të tillë mund të kërkohet edhe ndryshimi i trupit gjykues, duke e cilësuar betejën juridike si rrugën për të kundërshtuar vendimin.
Ndërsa, Ardian Gaxherri u fokusua te deklaratat e partive politike lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ndryshimin e kuadrit ligjor.
“Nëse kjo deklaratë është e sinqertë, është shumëçka, nëse është e pasinqertë, nuk është asgjë”, tha Gaxherri.
Ai shprehu kritika ndaj LDK-së, PDK-së dhe Vetëvendosjes, duke pretenduar se qëndrimet e tyre nuk përputhen me deklaratat e bëra publikisht.