Kosova hesht, OKB i sugjeron dëmshpërblim për gjashtë shtetasit e dëbuar turq

Kosova hesht, OKB i sugjeron dëmshpërblim për gjashtë shtetasit e dëbuar turq

NULL NULL
4 ditë më parë

Gjashtë shtetasit turq Kahraman Demirez, Mustafa Erdem, Hasan Huseyin Gunakan, Yusuf Karabina, Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars 2018, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Por, përkundër shumë raporteve vendore e ndërkombëtare, institucionet e drejtësisë në Kosovë deri më tani nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë ndaj personave që dyshohen se kanë shkelur ligjin gjatë arrestimit dhe dëbimit të tyre.

Për këtë rast, shkelje të ligjeve të Kosovës, Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare ka konstatuar së fundmi edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në një raport të publikuar nga Grupi i Punës për Ndalimin Arbitrar, që është një organ i përbërë nga ekspertë të pavarur për të drejtat e njeriut që hetojnë rastet e arrestimit dhe ndalimit arbitrar, kritikohen institucionet e Kosovës për veprimet e paligjshme në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Kosova nuk iu përgjigj OKB-së

Në raportin e publikuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut, dëshmohet se si institucionet e Kosovës nuk i janë përgjigjur grupit punues të OKB-së që ka kryer hetim për këtë rast.

Ky grup, në muajin dhjetor të vitit të kaluar përmes misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, i ka dërguar kërkesë zyrtare institucioneve të Kosovës, duke kërkuar që të sqarohen veprimet e ndërmarra në rastin e arrestimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

“Grupit Punues i vije keq që nuk ka pranuar përgjigje nga Kosova”, thuhet në raport.

Grupi Punues konstaton shkelje të shumta duke përfshirë ato që janë bërë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Policia e Kosovës si dhe institucionet të tjera të përfshira në aksionin e 29 marsit, 2018.

Në raport më tej thuhet se ka dyshime të shumta se akuzat ndaj gjashtë shtetasve turq, janë të pabazuara.

Grupi Punues kërkon lirimin e të dënuarve si dhe kërkon nga institucionet e Kosovës “që të garantojnë kompensim dhe dëmshpërblime të tjera në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Zbehja e gjasave për hetim në Kosovë

Më 4 korrik të vitit të 2019, Prokuroria Speciale e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se “janë marrë në pyetje dëshmitarë si dhe një numër mjaft i madh i të dyshuarve”.

Por, hetimet që filluan në vitin 2018 nuk është se kanë prodhuar ndonjë rezultat.

Që nga kjo kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion për hetimet apo ngritjen eventuale aktakuzave.

Të pyetur disa herë nga Radio Evropa e Lirë se në çfarë faze janë hetimet, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.

REL ka provuar sërish që të marrë informacione nëse hetimet kanë përfunduar me ngritjen e ndonjë aktakuze, por zyrtarët e Prokurorisë nuk janë përgjigjur.

Juristi Kushtrim Palushi thotë se është e pakuptimtë heshtja e organeve të drejtësisë në këtë rast.

“Së paku zyrtarët e Departamentit për Shtetësi, Azil, Migracion në kuadër të MPB-së [Ministrisë së Punëve të Brendshme], që i kanë revokuar lejet e qëndrimit edhe nuk kanë dhënë mundësi për ankesë, si dhe zyrtarët përgjegjës policorë dhe komandues, e po ashtu edhe agjentët e AKI-së është dashur të ndiqen për veprën penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar; shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës; privimi i kundërligjshëm i lirisë; cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.

Kuvendi i Kosovës kishte krijuar një komision hetues që konstatoi më shumë se 30 shkelje me rastin e dëbimit.

Pavarësisht se raporti i këtij komisioni i është dorëzuar edhe Prokurorisë së Kosovës, ish-anëtari i këtij komisioni, Sami Kurteshi, nuk beson se në Kosovë ka hetues apo prokuror që guxon t’i hetojë personat që kanë qenë të përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë rast.

“Unë mendoj që ende nuk guxojnë ta hetojnë bërthamën e problemit sepse këtu urdhërdhënësit nuk kanë qenë në polici dhe AKI. Unë nuk besoj se kemi prokurori apo gjyqësi që guxon të merret me urdhërdhënësit”, thotë Kurteshi.

Kurteshi thotë së pas dorëzimit të raportit që kishin hartuar në Komision Parlamentar, Prokuroria nuk ka dhënë asnjë informatë nëse ka avancuar në hetimet për këtë rast.

U amnistuan personat e fuqishëm

Përveç organizatave joqeveritare, edhe Avokati i Popullit në Kosovë, kishte konstatuar dhjetëra shkelje në operacionin e arrestimit dhe dëbimit.

Ky institucion kishte kërkuar hetime penale për personat përgjegjës.

Për këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës kishte parashtruar kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës të cilët kishin qenë të përfshirë në operacionin e arrestimit dhe dëbimit.

Por, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është përgjigjur as në pyetjen se çfarë ka ndodhur me këto kallëzime penale ndaj zyrtarëve policorë.

Këshilltari Ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Yll Zekaj, thotë se janë dëshpëruese veprimet e organeve hetuese në këtë rast.

Zekaj thotë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka dështuar që t’i hetojë personat e profilit të lartë të përfshirë në këtë rast.

“Sistemi ynë i drejtësisë është duke amnistuar në të gjitha rastet kur dyshohet që të njëjtit janë të përfshirë në vepra penale dhe kjo shkon në dëm të personave që kanë qenë vetëm zbatues të vendimeve, kurse amnistohen ata që janë përgjegjës drejtpërdrejt në këtë rast”, thotë Zekaj.

Zekaj thotë se e gjithë struktura e lartë shtetërore, që ka qenë pjesë kyçe për realizimin e këtij operacioni, do të duhej të merrej në përgjegjësi.

Çfarë i tha Turqia OKB-së?

Raporti i Grupit Punues për Ndalim Arbitrar në një pjesë të tij përshkruan akuzat me të cilat hetuesia turke kishte ngarkuar gjashtë të dëbuarit nga Kosova.

Përpos akuzave për terrorizëm, mes tjerash në përgjigjen që institucionet turke i dhanë Grupit Punues për Ndalimin Arbitrar, thuhet se si disa nga të arrestuarit kishin përdorur aplikacione mobile të komunikimit si ByLock, Falcon, Viber, Kakaotalk për të komunikuar me pjesëtarë të tjerë të organizatës FETO – akronimi që përdor Turqia për Lëvizjen “Hizmet” të klerikut Fetullah Gulen, që Ankaraja zyrtare e ka shpallur terroriste.

Në përgjigjen e shtetit të Turqisë thuhet po ashtu se disa nga të arrestuarit kishin deponuar edhe të holla në institucione financiare të lidhura ngushtë me Lëvizjen Hizmet.

Turqia insiston se nuk ka pasur shkelje ligjore si dhe se gjykimi ka qenë i drejt dhe i bazuar në fakte.

Historiku i dëbimit

Më 29 mars të vitit 2018, përmes një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan 6 shtetasit turq.

Pas arrestimit ata u dërguan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, prej ku duke shfrytëzuar një fluturim privat, u dërguan në Turqi.

Pas mbërritjes atje, u përballën me një proces gjyqësor, ku në fund, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit për të cilin veprim, më vonë, gjykata tha se ishte i jashtëligjshëm.

Nga pesë shtetasit turq, tre prej tyre posedonin leje të përhershme të qëndrimit, përkatësisht Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez, ndërsa dy prej tyre Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan kishin leje të përkohshme.

Njëri nga të dënuarit në këtë rast është Hasan Gunakan, i cili u arrestua gabimisht në vend të Hasan Demir, por përkundër kësaj, ai u akuzua dhe u shpall fajtor nga një gjykatë në Turqi më 28 janar, 2020.

Të vetmet veprime që u ndërmorën pas dëbimit, ishte shkarkimi i asokohe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi dhe ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj.

Ata u shkarkuan me vendim të asokohe kryeministrit, Ramush Haradinaj, vetëm pak kohë pas operacionit.

Familjet e gjashtë shtetasve turq ngritën një padi ndaj institucioneve të Kosovës në vitin 2018 për arrestim dhe ndalim arbitrar të familjarëve të tyre.

Disa nga familjarët kanë kërkuar azil në Kosovë e disa të tjerë janë larguar drejt vendeve evropiane.