Lajmet e fundit
Kosova sonte përballet me Izraelin në Ligën B të Ligës së Kombeve, në një ndeshje ku kërkon rikthimin pas humbjes së thellë ndaj Austrisë.
Gazetarët Kasim Gërbeshi dhe Zgjim Veliu, në “Ora 7”, vlerësuan se Kosova duhet të hyjë në fushë me mentalitetin e fituesit dhe jo me frikën që, sipas tyre, u pa në përballjen me Austrinë.
“Pak rëndësi kanë favoritët. Ke mposhtur Suedinë, ke mposhtur Sllovakinë e Slloveninë në udhëtim. Duke pasur paraqitje të tilla, ti duhet ta njohësh veten. Nuk je kombëtare që duhet të hysh me frikë në fushë”, tha Veliu.
Ndërkaq, Gërbeshi tha se humbja ndaj Austrisë tregoi disa dobësi të Kosovës, veçanërisht në mesfushë, por sipas tij, kjo nuk duhet të ndikojë në përballjen e sontme.
“Ne kemi dy ndeshje me Izraelin dhe e dimë kush është Izraeli. Kemi një barazim dhe një fitore. Prandaj, këto janë përparësitë e Kosovës dhe unë besoj që Kosova mund t’i shfrytëzojë ato pika ku ishte më e dobët, në mënyrë që sonte të triumfojë”, u shpreh Gërbeshi.
Dardanët sot përballen me Izraelin nga ora 20:45. Ndeshjen mund ta ndiqni drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në programet e Artmotion dhe Klan Kosova.