23:01, 12 Prill 2019

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka bërë edhe një hap drejt kualifikimit në botëror.

Të premten e ka mposhtur Nigerinë me rezultat bindës, 34:21.

Djelmoshat e trajnerit Fatmir Muhaxheri kanë dominuar plotësisht ndaj Nigerisë dhe kanë arritur tjetër fitore bindëse pas asaj ndaj Taipeit Kinez (31:23).

Kështu, Kosova U21 në gjysmëfinale të IHF Trophy Intercontinental ka kaluar prej vendit të parë në grupin A. Taipei Kinez ka kaluar poashtu në gjysmëfinale nga grupi A, ndërsa Nigeria ka mbetur e treta në grup dhe do të luajë për plasman.

Në grupin B, SHBA ka dalur e para me 4 pikë. Paraguaji renditet i dyti me 2 pikë, ndërsa Australia e treta pa pikë.

Në gjysmëfinale, të shtunën, Kosova luan me Paraguajin (19:00), ndërsa SHBA takohet me Taipein Kinez.

Kosova U19 nuk ka marrë rezultatin e synuar në ndeshjen ndaj Kanadës, por megjithatë ka kaluar në gjysmëfinale të IHF Trophy Intercontinental.

Të premten Kosova U19 pësoi nga Kanada me rezultat 35:31. Por falë fitores ndaj Zelandës së Re (të enjten), Kosova ka përfunduar e dyta në grupin B dhe të shtunën do të luajë në gjysmëfinale. Kanada u rendit e para në grupin B me 4 pikë, Kosova e dyta me 2 pikë dhe Zelanda e Re e treta pa pikë. Grupin A e fitoi Taipei Kinez me 4 pikë, para Nigerisë me 2 pikë dhe Paraguajit pa pikë.

Në gjysmëfinalen e parë takohen Taipei Kinez me Kosovën dhe në të dytën Kanada me Nigerinë. Gjysmëfinalet janë të shtunën. E para nga ora 17:00 dhe e dyta nga ora 13:00.

Konkurs Pune

Lexo më shumë