11:02, 20 Qershor 2019

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe ajo e Turqisë, bazuar në “Marrëveshjen në mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë” të nënshkruar në Ankara më 8 shtator 2009, nënshkruan sot në Prishtinë Planin e Veprimit për bashkëpunim dhe partneritetin në shëndetësi për periudhën 2019-2021.

Në prani të Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, Plani i Veprimit u nënshkrua nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë së Turqisë, Emine Alp Meşe.

Ismaili tha se nënshkrimi i këtij plani i jep një shtytje të re bashkëpunimit të mirë në fushën e shëndetësisë midis dy shteteve dhe forcimit të marrëdhënieve  të mira që dy shtetet kanë edhe në rrafshet e tjera.

Zëvendësministrja turke Emine Alp Meşe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira tradicionale midis dy shteteve, të cilat kanë ditur të ngrenë marrëdhënie të mira të bashkëpunimit si në ditët e vështira ashtu edhe tani.

“Siç e dini, në mes të Kosovës dhe Turqisë në vitin 2009 është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë. Në kuadër të fushëveprimit të kësaj marrëveshjeje, për çdo vit nga 100 pacientë nga Kosova që nuk kanë mundur të trajtohen në Kosovë, janë trajtuar në spitalet publike të Turqisë falas. Deri më tani, në spitalet publike të Turqisë,  sipas kësaj marrëveshjeje, janë trajtuar mbi 800 pacientë nga Kosova”, tha ajo.

Sipas saj, Plani i Veprimit i nënshkruar sot është një demonstrim i bashkëpunimit të rëndësishëm Kosovë-Turqi në shëndetësi, i cili ka për qëllim të forcoj sistemet shëndetësore të dy vendeve, të nxis bashkëpunimin në  shumë fusha.

Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, dr. Naim Bardiqi duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë dhe gatishmërinë e MSh të Turqisë për të ndihmuar Kosovën  për ofrimin e asistencës teknike hartimin e një Plani për licencimin dhe akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, tha se Plani i Veprimit adreson në mënyrë të qartë fushat konkrete ku shteti i Turqisë mund ta Kosovës në shëndetësi si: bashkëpunimi në fushën e shëndetit publik, emergjencave mjekësore, fushën e kontrollit të infeksioneve spitalore dhe shërbimeve të kujdesit intensiv, fushën e mjekësisë tradicionale; krijimin e politikave dhe planifikimit i buxhetor bazuar në dëshmi, aktivitete të akreditimit për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë në shërbimet shëndetësore , sistemin e vendosjes së çmimit të barnave, etj.

Ai tha se forcimi i bashkëpunimit në shëndetësi do të krijojë mundësi të reja për përmirësimin e sistemin shëndetësor të Kosovës përmes partneritetit me Turqinë.

Konkurs Pune

Lexo më shumë