Koronavirusi vazhdon të përhapet, Hong Kongu pezullon udhëtimet

Koronavirusi vazhdon të përhapet, Hong Kongu pezullon udhëtimet

8 muaj më parë

Hong Kongu ka njoftuar se po planifikon të pezullojë udhëtimin ndërkufitar midis qytetit dhe Kinës kontinentale pasi koronavirusi i ri vazhdon të përhapet.

Më shumë se 100 njerëz kanë vdekur tani në Kinë, ndërsa rreth 4,500 raste të të prekurve me këtë virus janë konfirmuar.

Trenat dhe tragetet me shpejtësi të lartë që kalojnë kufirin do të pezullohen nga e enjtja, njoftoi udhëheqësja e Hong Kongut Carrie Lam.

Gjatë adresimit ajo kishte vendosur një maskë në fytyrë.

Virusi është përhapur në të gjithë Kinën dhe të paktën në 16 vende të tjera në nivel global.

Disa qeveri të huaja me një numër të madh të qytetarëve në Wuhan, epiqendrën e shpërthimit, po shqyrtojnë evakuimet.

Wuhan, si dhe krahina më e gjerë Hubei, tashmë janë në mënyrë efektive në bllokim me kufizime të rrepta të transportit brenda dhe jashtë zonës. Vendosja e maskave në publik tani është e detyrueshme në disa qytete kineze.