11:14, 15 Korrik 2020

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën katër qytetarë të prekur me koronavirus.

Mes viktimave është edhe një 21 vjeçare e cila është personi më i ri në moshë me Covid-19 që ka ndërruar jetë në Shqipëri, shkruan A2 CNN.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e re 21-vjeçare, e cila ndodhej në terapi intensive e intubuar, si pasojë e simptomave të rënda të Covid-19. Gjendja e saj u rëndua në mënyrë të menjëhershme si pasojë e tromboembolisë fulminante dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, e reja që vuante nga sindromi metabolik, nuk ka arritur të mbijetojë. Gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me sëmundjen edhe një qytetare 49-vjeçare nga Kruja, e intubuar në gjendje të rëndë prej 11 ditësh dhe dy qytetarë, 56 dhe 67 vjeç, nga Tirana, të intubuar, të cilët nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, me gjithë përpjekjet e mëdha qe po bën stafi mjekësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në 24 orët e fundit janë shënuar edhe 85 raste të reja.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 361 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 85 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 44 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, 5 në Tropojë, 3 në Elbasan, nga 2 raste në Durrës, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Kolonjë, nga 1 rast në Has, Berat, Kamëz, Pogradec, Ura Vajgurore”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë