17:22, 16 Maj 2019

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, në një konferencë për media ka shpjeguar ecurinë e Garës së Diturisë.

“Në Garën e Diturisës janë testuar 300 mijë nxënës. Kjo Garë është hartuar nga ekspertë të jashtëm, të cilët iu kanë nënshtruar konkursit, 3 herë është rihapur për t’i marrë këta ekspertë nga jashtë. Gjithsej janë angazhuar ekspertë për 23 lëndë, 128 hartues nga klasa e parë deri në 12 dhe janë hartuar 364 teste”.

Ai njoftoi se vëzhgues të Garës së Diturisë kanë qenë 500 studentë të fakultete të ndryshme të institucioneve arsimore në Kosovë.

Hoti ka bërë të ditur se Qeveria ka ndarë një shumë prej 1 milion eurosh për ta realizuar Programin Nacional për Rininë.

Këto detaje ai i ka dhënë gjatë një konference për media duke shtuar se do të kërkojë buxhet më të lartë nga Qeveria për garat që do të mbahen në vijim, transmeton Klan Kosova.

“Për vitin 2019, na janë ndarë një milion euro nga Qeveria. Sa i përket Garës së Diturisë, mund të them se për shtyp janë harxhuar 43.465 euro, për përkthime 1.243 euro, për hartuesit e testit 21.402 euro, për ushqime dhe gjëra të tjera janë harxhuar rreth dy mijë euro. Gjithsej janë harxhuar 68.111 euro”.

“Me këtë program ne kemi sanuar një shkelje kushtetuese e cila iu ofron të gjithë nxënësve mundësinë që të kenë aktivitete kurrikulare dhe jokurrikulare. Ne do të kërkojmë më shumë se një milion euro për vitin e ardhshëm”.

Kur është pyetur rreth gabimeve nëpër teste, Hoti ka thënë se këto janë shpifje, pasi sipas tij, për 2.864 pyetje që kanë qenë në testin e diturisë janë evidentuar vetëm 19 gabime.

Koordinatori Hoti tha se anëtarët e Panelit Vlerësues të testeve të Garës së Diturisë janë zgjudr prej DKA-ve.

Ai premtoi transparencë të plotë për gjithë ecurinë e procesit.

 

 

 

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë