Konjufca: Specialja u votua pas një presioni të hatashëm të Thaçit

Konjufca: Specialja u votua pas një presioni të hatashëm të Thaçit

NULL NULL
4 javë më parë

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka thënë se gjithçka që po ndodhë në lidhje me Gjykatën Speciale është si pasojë e politikës.

Sipas tij kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duhet t’i drejtohet kësaj gjykate dhe ta problematizojë mandatin e saj.

Konjufca në TV Dukagjini ka akuzuar politikanët kosovarë se nuk kanë bërë asgjë për mbrojtur pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo që po ndodh është rezultat i votimit të Speciales nga Kuvendi i Kosovës. Të thuash se do të krijohet një gjykatë që do të hetojë krimet e shqiptarëve, është gabim. Ku ka gjykatë që fushëveprimin e saj e definon në mënyrë një etnike? Specialja u votua pas një presioni të hatashëm të Presidentit Thaçi ndaj deputetëve të PDK-së. Gjykata Speciale me 80 vota u kthye pjesë e Kushtetutës sonë”

Ai ka theksuar se kryeministri Avdullah Hoti duhet t’i drejtohet Speciales rreth mandatit të saj.

“Gjykata Speciale nuk shpërbëhet. Mandati mund t’i ketë skaduar, por kjo nuk po ndal punën e saj. Kryeministri duhet t’i drejtohet Speciales dhe të problematizojë mandatin e saj. Nëse ka bazament në ligj për vazhdimin e mandatit, kjo është një çështje për të cilën qeveria të interesohet dhe të mos jetë vetëm shikuese”.