Komunave u bllokohen projektet kapitale, fajësojnë Gjykatën e Tenderëve (VIDEO) NULL NULL nga Kiks Kosova 28.09.2022 23:12 nga Kiks Kosova 28.09.2022 23:12 44 projekte kapitale në pesë komuna të vendit janë ngujuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Amini i Gjykatës së Tenderëve do t’u hapte rrugë komunave që të bëjnë implementimin e këtyre projekteve. Mirëpo, shkarkimi i bordit të këtij organi bllokoi projektet kapitale të komunave për rreth dy vjet. Bllokada në OShP i kushtoi më së shumti Komunës së Prizrenit. Nënkryetari i kësaj komune, Kujtim Gashi, në një intervistë për KIKS Kosovën, tha se Komuna e Prizrenit ka 30 projekte kapitale, të cilat po presin dritën jeshile nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. “Në fakt dy faktorët kryesorë që kanë ndiku negativisht në realizim të buxhetit kanë qenë këto, bllokada që ka ndodhur në OShP e cila i ka vonu projektet për komunat, në këtë rast edhe për komunën e Prizrenit”, ka thënë Gashi. Pasivizimi i OShP-së barrikadoi zhvillimin e projekteve kapitale edhe në komunat e tjera të vendit. Nga Komuna e Fushë Kosovës i kanë thënë KIKS-it se kjo komunë ka gjashtë projekte të bllokuara në OShP. “Për këtë vit kemi pasur të planifikume 6 projekte, këto 6 projekte nuk kanë arritur të realizohen, kjo do të thotë ka qenë si pasojë e moskonstituimit të OShP-së, por që ka ndiku edhe në moszbatimin e planifikimit buxhetor tonë”, ka thënë Ali Topalli, zëdhënës i Komunës së Fushë Kosovës. E përgjigje nga OShP-ja për nga dy projekte po presin edhe Komuna e Rahovecit dhe ajo e Ferizajt. “Numri i projekteve që kanë shkuar në OSHP është 6 ankesa ku prej tyre 4 ankesa janë kthyer si jashtë afatit dhe 2 janë në proces të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni. Ndërkohë, Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili në marsin e këtij viti u funksionalizua pas 2 vjet bllokade, ka theksuar se aktualisht në pritje për t’u trajtuar janë 799 ankesa të natyrave të ndryshme. “Nga prilli 2021 e deri më 24 qershor 2022 kur Bordi aktual ka marr mandatin kanë qenë gjithsej 799 ankesa të pashqyrtuara ,dhe disa prej tyre kanë qenë brenda afatit prej 34 ditësh për shqyrtim konform nenit 117 të LPP-së”, kanë thënë nga OShP-ja. Në një përgjigje për KIKS Kosovën, ata kanë shtuar se tanimë stafi është funksional dhe janë duke punuar që çdo ankesë të shqyrtohet brenda afatit të rregullt. Derisa pikërisht për faktin e mosfunksionimit të tij për një kohë të gjatë, shumë procese të prokurimit kanë përfunduar pa u shqyrtuar fare. Rreth 700 procese të prokurimit nga e gjithë Kosova ishin grumbulluar në OSHP, për të cilat ky organ mori vendime individuale duke i shpallur të paafatshme. Në fakt OSHP-ja la në duar të autoriteteve kontraktuese vendimin për to, nëse do të vazhdojnë prokurimet edhe përkundër ankesave apo do t’i anulonte në tërësi. Që nga data 31 mars 2021 e deri më 23 qershor 2022, OShP-ja ka qenë pa bord dhe jashtë funksionit, si pasojë e të cilës ishin grumbulluar një numër i madh i lëndëve të prokurimit. Që nga koha kur OShP-ja ka mbetur pa bord funksional, është tentuar disa herë të zgjidhen anëtarët e bordit të ri, por që ndikimet politike e bllokonin atë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Fakulteti Juridik i UP-së në top 3-shën e gjithë botës, Osmani: Sukses historik 13 minuta më parë
Kosova Çitaku për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të PDK-së: Zonja për të cilat ka nevojë Kosova 4 orë më parë
Kosova Suspendohet zyrtari policor, dyshohet se kontrabandoi mallra në vlerë mbi 4 mijë euro 4 orë më parë