14:55, 19 Mars 2020

Ekipi i Kombëtares së Kosovës në boks bën apel Komitetit Olimpik, Ministrisë së Sportit dhe Qeverisë së Kosovë që sa më shpejtë t’i mundësohet largimi nga karantina 14 ditore që ju është caktuar në konviktet e UP-së.

“Arsyeja është se ekipi i Kombëtares në boks ju ka përmbajtur të gjitha rregullave që janë  kërkuar nga organet kompetente  (policia, personat mjekësorë etj.) dhe ju kanë nënshtruar dy kontrolleve mjekësore që kanë treguar se ekipi i boksit është në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në kumtesën e kësaj federate, transmeton Klan Kosova.

“Dhe kërkojnë që sa më parë të largohen nga këtu dhe të dërgohen ditët tjera të karantinës t’i mbajnë në shtëpi të izoluar dhe  të kenë mundësinë të bëjnë stërvitje çdo ditë për arsye që mos të humbin formën të cilën e kanë fituar në kampe ndërkombëtare dhe përgatitje speciale  se kemi harxhuar më se 20 mijë euro të huazuara nga shokët privat për  përgatitje dhe garat kualifikuese për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020””.

Zëdhënësi i kësaj federate, Latif Demolli ka thënë se sportistët duhet stërvitur dhe mbajtur formën për arsye se në muajin maj vazhdojnë kualifikimet si për Londër ashtu edhe në Francë.

“Dhe dje Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka mbajtur mbledhje dhe është vendosur që Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” nuk do të shtyhen por do të mbahen në kohën e caktuar. Arsyeja tjetër është jo kushtet e mira në konvikt që nga dje nuk kanë sjell ujë të pijes e sidomos peshqirë për duar dhe banjë që domosdo duhet t’i kemi që të pastrohemi që është numër një higjiena”.

“Arsyeja tjetër është ardhja e më se 40 personave nga shtetet tjera në këtë konvikt dhe druaj se është rrezik që sportistët  tanë munden të infektohen edhe nga këta persona që ende nuk dihet a është ndokush i sëmur,dhe unë si përgjegjës i ekipit ia kam ndaluar ekipit tim të dalë nga dhomat dhe të kenë kontakte me personat tjerë që janë së bashku me ne në këtë konvikt për arsye të sigurisë shëndetësore”

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë