17:55, 24 Prill 2019

Shefja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ka reaguar ndaj Arabisë Saudite e cila së fundi ekzekutoi 37 të burgosur.

Në deklaratën e lëshuar komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, ka dënuar ashpër zbatimin e ndëshkimit me heqje koke ndaj 37 të burgosurve, duke thënë se shumica nga ta ishin pjesë e pakicës shiite të cilët mund të mos ishin gjykuar drejtë, njofton Klan Kosova.

Michelle Bachelet ka pohuar se në mesin e të ekzekutuarve ishin edhe tre të mitur.

“Është veçanërisht e neveritshme që të paktën tre nga të vrarët ishin të mitur në kohën e dënimit të tyre”, është shprehur ajo në një deklaratë të lëshuar në Gjenevë.

Ajo tha se raportuesit e Kombeve të Bashkuara kishin shprehur shqetësimin për mungesën e procesit të rregullt dhe garancitë e gjykimeve të drejta në mes të akuzave se rrëfimet janë marrë përmes torturës.

Arabia Saudite, e cila tha të martën se kishte kryer ekzekutime mbi krimet e terrorizmit, ka hyrë nën një kontroll më të madh global mbi të dhënat e saj për të drejtat e njeriut që nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi vitin e kaluar në konsullatën në Stamboll, njofton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë