Zotimi i munguar dhe ‘Ligji suprem’ politik në Kosovë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 31.03.2021 14:45 31.03.2021 14:45 Lumir Abdixhiku, Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas rrëfimit të tij të ndarë me qytetarët në një intervistë televizive (për TV Dukagjini), kishte kërkuar, në takimin që ai e kishte ditë me parë me Kryeministrin në ardhje, Albin Kurtin, dhe Presidenten në detyrë, Vjosa Osmanin, që lideri i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, të zotohet që ashtu siç po bën tani LDK-ja, pra, që në mënyrë konstruktive, ta pranojë faktin e fitores zgjedhore të kësaj partie, edhe Kurti ta bëjë të njejtën gjë, kur LDK do t’i fitojë zgjedhjet. Ky konstruktivitet i LDK-së, siç është konstatuar tashmë nga Lumir Abdixhiku, do të shprehet edhe me pjesëmarrjen e deputetëve të kësaj partie në Seancën e Kuvendit të Kosovës, kur pritet të ndodhë zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës. Në këtë mënyrë, së paku në teori, edhe nëse PDK dhe AAK do ta bojkotojnë këtë Mbledhje të Kuvendit, për shkak të pakënaqësisë së tyre me figuren e kandidates presidenciale, Vjosa Osmanit, madje, edhe nëse ‘Lista Serbe’ nuk do të merr pjesë në këtë Seancë (me motive krejtësisht të tjera, në shenjë të pakënaqësisë me ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e Kryeministrit Kurti), do të mund të sigurohej ai minimumi i shumicës parlamentare i duhur në këto raste, në trajtë të pranisë prej së paku 80 deputetëve në sallë. Natyrisht, për një gjë të tillë duhet të mbahet uniteti në Grupin Parlamentar të LDK-së. Sidoqoftë, siç tregoi Abdixhiku në këtë intervistë, Kurti kishte bërë vetëm një gjysmë-zotim në kërkesën e tij (teksa gjysmë-zotimi nuk është fare zotim), ndërsa ai përsëriti që nga ana e LDK-së nuk do të ketë qasje rrënuese në Kuvend, në trajtë të gazit lotësjellës dhe dhunës, sjellje kjo që karakterizuan gjysmën e parë të mandatit të Qeverisë së koalicionit të madh, PDK, LDK, komunitetet pakicë, në vitet 2014-2017, kur Isa Mustafa ishte Kryeministër e Hashim Thaçi, President. Abdixhiku pra, sipas dëshmisë së tij vetanake, nuk paska arritur që ta nxjerr edhe një koncesion minimal prej atëherë Kryeministit në ardhje, Albin Kurtit, i cili, do të ishte një kontribut në krijimin, në të ardhmen e afërm, të një atmosfere më të durueshme, më të matur, më të pjekur politike, për të cilën do të kontribojë qysh në ditët vijuese LDK, sipas bindjes së Kryetarit të saj, me pjesëmarrjen në Seancën ku do të zgjedhet Presidenti i Kosovës. Albin Kurti, me gjasë, nuk ka pasë asnjë arsye të vetme që ta bëjë një zotim të tillë para Lumir Abdixhikut dhe në prani të Vjosa Osmanit. Kurti nuk ka kërkuar asnjëherë falje (dhe nuk ka asnjë shenjë të vetëm që e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë), për atë kapitullin e tij të dhunës politike parlamentare dhe jashtëparlamentare, sepse ajo ka qenë pjesë thelbësore e identitetit të tij politik, dhe për më shumë, sipas vlerësimeve të tij (këtu shumëkush do të pajtohej me te), ka përgatitur terrenin politik që me zgjedhje të lira dhe demokratike ta merr hisen absolute të pushtetit qendror. Fitorja e Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit, me përmasat e saja të pakrahasueshme në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë, i ka dhënë domethënie të plotë gjithë të kaluarës së tij si politikan i opozitës dhe si lider i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, apo, ka bërë një justifikim të plotë të saj. Sikur Kurti të kishte qenë përherë konstruktiv, teksa paralajmërimin për një qasje të tillë tash e tutje, në këtë mandatin e Kuvendit, e kanë bërë te tri partitë shqiptare opozitare (PDK, LDK dhe AAK), ai, asnjëherë nuk do të mbërrinte në stadin kur me votën e lirë do të bëhej dy herë me radhë, Kryeministër i Kosovës. Ai ka llogaritur që rezistenca e tij politike, ku thuaja të gjitha mjetet e mundshme janë përdorur, është e moralshme, e drejtë, është thelbi i politikës së tij, teksa e ka ditur mirë që ajo (rezistencë) vuan, nga mungesa e legalitetit, si dhe nga deficiti i legjitimitetit (sepse në atë kohë, ‘Vetëvendosje’ i ka pasur, në dy mandatet parlamentare, në vitet 2011-2017, 14 dhe 16 deputetë, pra, ka qenë një parti që ka përfaqësuar pakicën e qytetarëve të Kosovës). Kurti ka qenë dhe është përgjegjës për të gjitha këto veprimet e tij, por ai nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë përgjegjës për faktin që realisht, e gjithë kjo dhunë, asnjëherë nuk u sanksionua si duhet nga gjyqësori i Kosovës, dhe që temat politike të ngritura në këtë mënyrë nga Kurti, kurrë nuk morën një kundërpërgjigje të artikuluar si duhet prej partive tradicionale të Kosovës. Për më shumë, Kurti pati arritur ta imponojë Agjendën e vet edhe te partitë e tjera opozitare parlamentare (te AAK dhe ‘Nisma’), teksa influencoi, në masë të caktuar edhe dy partitë më të mëdha të vendit (asokohe), PDK-në dhe LDK-në. Hap pas hapi, edhe duke hequr realisht nga dhuna si mjet në politikë (prej zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në muajit qershor të vitit 2017-të, e tutje), Lideri i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ mbërriti ku është tani, me një pushtet të pakontestueshëm për vete, për partinë e tij dhe me gjasë, së shpejti edhe për partneren e tij në koalicionin parazgjedhor, Vjosa Osmanin. Në këto rrethana, tek ai nuk mund të bëjnë punë, apelet dhe kërkesat që ta bëjë një zotim të kësisojt, çfarë i ka kërkuar Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, megjithëse ai zotim nuk kushton gjë prej gjëje, apo, realisht, nuk ka asnjë vlerë politike. Fitorja e Albin Kurtit dhe e Listës ‘Vetëvendosje’, siç me siguri mendon dhe vlerëson Albin Kurti, në kuadër të një koncepti të shprehur prej tij si u shpallën zgjedhjet e reja, që ato do të jenë një ‘Referendum politik’ (apo, siç doli më pas, një ‘Revolucion përmes zgjedhjeve’), është ‘Ligji suprem’ politik në Kosovë, të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjitha partitë dhe liderët e tyre, madje, edhe duke vendosur në mënyrë të prerë, siç bëri LDK, për pjesëmarrjen në Seancën e Kuvendit të Kosovës kur do të zgjedhjet Presidenti i ri i Kosovës. Kësaj fitoreje, aktualisht, nuk i subordinohet vetëm Kushtetuta e Kosovës. Dhe atë, për shkaqe të njohura të mekanizmave ekzistues të cilët frenojnë ndryshimin e saj pa një shumicë të dyfishtë parlamentare prej dy të tretave të deputetëve. Në anën tjetër, mungesa e një baraspeshe politike në Kuvendin e Kosovës, siç do të shfaqet gjithnjë e më shumë në këtë Kuvend, dhe në përgjithësi, në politikën kosovare, në parim, të thuash e pamundëson mbizotërimin e një pjekurie dhe maturie politike për të cilën ka nevojë skena politike e Kosovës, që nga prishja e saj, në verën e vitit 2014-të, pas zgjedhjeve të dyta të parakohshme parlamentare në shtetin e Kosovës. Megjithatë, ky raport i forcave poashtu do t’i i kufizojë në një shkallë të madhe tensionet e mundshme politike opozitare, të cilat edhe ashtu, sipas zotimeve opozitare, do të ndodhin apo do të ‘prodhohen’ duke i respektuar ‘Rregullat e lojës’ parlamentare dhe politike.